Shkrime me 4 gishta

1284
spak-godina
Credit: SPAK

“Media Yaris”

1.

Vendimi i Gjykatës për të ndaluar mediat të mos botojnë informacione për dosjen Toyota Yaris nuk është një lajm i mirë. Së pari nuk është lajm i mirë për mediat. Jo vetëm për faktin që shumica e tyre nuk do kenë çfarë të bluajnë në këto ditë vere, por, është lajm i keq për lirinë e supozuar të mediave në detyrën e tyre që të informojnë publikun. 

Sigurisht, pjesë të dosjes do përdoreshin nga disa media për show, por, mediat profesjonale të këtij vendi – dhe të tilla ka disa – do e përdornin dosjen Toyota Yaris në funksion të informimit serioz të publikut mbi këtë aferë me rëndësi të madhe.

Me anë të këtij vendimi, mediat duhet të kuptojnë dhunshëm që nuk vendosin ato se çfarë ka rëndësi për publikun, por, një elitë juridike, e cila nuk është as e dalë nga procese natyrale, por është elitë e pjellë me cezarian nga një miks jo fort i gëlltitshëm të huajsh e shqiptarësh me pushtet.

2.

Bllokimi nuk është lajm i mirë për publikun. Së pari, publiku po trajtohet si një para-adoleshent që gjykata vendos se çfarë është e mirë që të dëgjojë e çfarë jo. Në pamundësi për informim, publiku, njësoj si në kohën e diktaturës do informohet përmes sistemit gojë-më-gojë. Në vazhdën e dezinformimit e keqinformimit, publikut po i hiqen edhe ato pak mjete (lexo: pak media të përgjegjëshme) që mund të bëjnë një përpunim profesional të informacionit.

Dosja Toyota Yaris që të jemi të qartë është tashmë në shumë duar, që nga ato të avokatëve, të politikanëve të prekur ose jo, e të disa njerëzve të medias. Pra, dosja nuk është sekret për një tjetër “elitë” që ka akses. E vetmja gjë që i ngelet publikut është të imagjinojë çfarë ka në dosje kur dëgjon “lajmëtarët” e grupeve të ndryshme të interesit mbi këtë dosje në debatet e darkave televizive, ku këta të fundit dërgojnë mesazhe të koduara mbi informacione të dosjes që ata kanë privilegjin ta njohin.

3.

Bllokimi i informacionit për këtë dosje, është akoma më shumë problem dhe për gjykatën. Ai kthehet në një precedent të rrezikshëm, ku Gjykata vendos të hyjë në një fushë që nuk është e saj dhe të sillet si “sherif” mbi informimin e publikut. Kjo qasje është absurde në kohën kur institucionet e reja të drejtësisë, se ato të vjetrat po e po, rrjedhin vazhdimisht informacion, në mënyrë të përzgjedhur, e në benefit të grupeve të ndryshme të interesit.

4. 

Jo vetëm kur mediat janë të papërgjegjshme, por dhe në vende më të stabilizuara medaitikisht se Shqipëria, gjykata mund të bllokojë pjesërisht informacionin. Shpesh kjo bëhet për të mbrojtur individin e shumë rrallë, publikun; si në rastin “Toyota Yaris”. 

Në një vend pa sekrete si Shqipëria, ku fotografët rusë hyjnë pa teklif deri në bazat ushtarake; ku përfliten vazhdimisht ministra-agjentë që caktohen nga vendet fqinje; ku për çdo databazë shqiptare duhet të pyesësh sa e shesin iranianët; dhe ku çdo gjë është në Pazar; ngjan pak e çuditshme përpjekja e gjykatës për të mbajtur të bllokuar një dosje, informacioni i së cilës ka interes të lartë publik. Por, nuk ka asnjë çudi këtu. Shqipëria është vendi ku “sekret” mbahen vetëm kontratatat abuzive shtetërore, dhe mungesa e transparencës aplikohet mbi çdo informacion që mund të dëmtojë individë me pushtet. Për fat të keq, gjykata, po sillet me të njëjtin mentalitet. Ndoshta, nuk di ose nuk do të bëjë ndryshe.

Koloreto Cukali
+ posts

Koloreto Cukali u lind në Tiranë, ku dhe u diplomua për Filozofi në Universitetin e Tiranës.
Që nga viti 2000 Kolo ka punuar në media të ndryshme: radio, TV, shtyp dhe në mediat e reja. Prej mbi 15 vjetësh ai është një kolumnist i shpeshtë nëpër gazeta të ndryshme ditore dhe në media të reja.
Kolo është gjithashtu dhe kineast, duke realizuar filma, serialë e dokumentarë të ndryshëm, si skenarist, regjisor e producent.
Që nga viti 2017 Kolo shërben si Kreu i Këshillit Shqiptar të Mediave, një organizatë gazetarësh qëllimi i së cilës është të vendosë standarde etike dhe të ndërtojë mekanizma të vetë-rregullimit në vend.