Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione financiare ndaj 25 individëve dhe entiteteve të përfshirë në trafikimin e emigrantëve përmes Kanalit Anglez, përfshirë shtetasin shqiptar Bledar Lala, i identifikuar si drejtuesi i operacioneve të një grupi të organizuar kontrabande në Belgjikë.
Sipas Ministrisë së Jashtme Britanike, ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të goditur krimin e organizuar të imigracionit dhe për të frenuar fluksin e emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Grupi i sanksionuar përfshin furnizues varkash të vogla në Azi, udhëheqës bandash në Ballkan dhe Afrikën e Veriut, si dhe ndërmjetës financiarë që përdorin sistemin informal hawala për të kanalizuar pagesa të lidhura me kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez.
“Po ndjekim trafikantët kudo që ndodhen, nga Evropa në Azi. Ata që mundësojnë migracionin e paligjshëm do të përballen me pasoja reale,” deklaroi të mërkurën ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.
Ky regjim i ri sanksionesh, i miratuar vetëm dy ditë më parë, i jep qeverisë britanike të drejtën të ngrijë pasuritë, të vendosë ndalime udhëtimi dhe të bllokojë qasjen në sistemin financiar për çdo person apo kompani të përfshirë në ndihmën ndaj migracionit të paligjshëm, pa pasur nevojë për vendime gjyqësore apo ligje antiterroriste.
Sunduesit e kanalit

Në orët e para të mëngjesit, ndërsa era fryn përgjatë brigjeve të Belgjikës, një telefon bie brenda një xhipi të zi e parkuar në një fshat të qetë afër Zeebrugge.
Mesazhi është i shkurtër. “Dorëzimi në 60 minuta. Varka gati.” Brenda pak çastesh, një furgon me një grup emigrantësh të shqetësuar niset drejt bregdetit.
Në krye të këtij operacioni të fshehtë, një nga më të sofistikuarit të trafikimit të emigrantëve, qëndron Bledar Lala, njeriu që qeveria britanike e cilëson si “një ndër përfituesit kryesorë të fatkeqësive njerëzore.”
34-vjeçari nga Hasi i Kukësit është një ndër 25 individët dhe entitetet që u sanksionuan në kuadër të Regjimit të ri Britanik të Sanksioneve për Emigracionin e Parregullt dhe Trafikimin e Qenieve Njerëzore, një nismë që synon goditjen e trafikantëve të qenieve njerëzore në nivel global.
I lindur në vitin 1991, Lala është identifikuar si truri i operacioneve belge të një grupi të strukturuar kriminal që transporton emigrantë përmes Kanalit Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), Lala organizon kalime nga Belgjika duke përdorur varka të vogla, pranon pagesa përmes rrjeteve të paligjshme të transfertave të parave (si sistemi hawala), dhe ruan lidhje të ngushta me rrjete të krimit të organizuar në Ballkan dhe Francën Veriore.
“Nga Evropa në Azi, po i shkojmë përballë trafikantëve që nxisin emigracionin e parregullt,” deklaroi Sekretari i Jashtëm David Lammy.
“Mesazhi im për ta është i qartë. E dimë kush jeni dhe do t’ju nxjerrim përpara drejtësisë.” – paralajmëroi David Lammy.
Bledar Lala, emri i të cilit u rendit krahas figurave famëkeqe si Mohammed Tetwani, i njohur si “Mbreti i Horgos”, dhe Alen Basil, një ish-përkthyes policie që u kthye në trafikant të dhunshëm, dyshohet se ka fituar miliona euro përmes trafikut të emigrantëve.
Autoritetet britanike thonë se ai ka ndërtuar një strukturë komanduese të fortë dhe përfiton drejtpërdrejt nga pagesat që kalojnë nëpërmjet kanaleve informale financiare.
“shteg.org” nuk gjeti të dhëna që vërtetojnë pasuri të dukshme të tij në Shqipëri, por mësoi se origjina e familjes së tij është nga Hasi i Kukësit, dhe Bledari është fëmija i pestë i familjes Lala.
Por ndërsa 34-vjeçari, sipas autoriteteve britanike, vepron në hijet e rrjeteve të krimit ndërkombëtar, mbiemri i tij nuk është i panjohur për autoritetet britanike.
Vetëm disa javë më parë, Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) arrestoi Hazir Lala, 43 vjeç, në një banesë në Walthamstow, Londra Veriore. I dënuar për trafikim dhe dokumente false, Haziri ishte dëbuar dy herë më parë nga Anglia, dhe historia e tij është kthyer në një ndër ngjarjet tipike që vërtetojnë linjat e trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore në Mbretërinë e Bashkuar.
Djali më i madh i familjes Lala u arrestua në vitin 2016 për posedim të ID-ve të falsifikuara. Hazirit iu hoq patenta për pesëmbëdhjetë muaj dhe u burgos për gjashtë muaj. Ai u arrestua përsëri në shtator 2019 për krime të lidhura me emigracionin në Belgjikë, pikërisht në zonën ku operon Bledari, për ngjarje të ndodhura në vitin 2016.
Në një gjyq që u zhvillua në mungesë të tij, ai u dënua në shkurt 2018 dhe më pas u ekstradua në Belgjikë në fillim të vitit 2020. Atje, u gjobit me 102,000 euro dhe u dënua me pesë vjet burg për trafikimin e qenieve njerëzore dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, por dënimi u pezullua dhe ai u lirua pas disa muajsh.
Është e paqartë se si Haziri u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, por ai u arrestua përsëri në shkurt 2020 për shkelje të ligjit të imigracionit dhe më 7 prill 2020 iu nënshtrua urdhrit të deportimit që u ekzekutua në gusht të atij viti.
Por, si shumë të tjerë në këtë rrjet të fuqishëm kriminal, ai arriti të depërtojë sërish në Angli, ku ishte objekt i një hetimi të agjencive ligjzbatuese vendase në muajt e fundit.
Jacque Beer, drejtues rajonal i hetimeve, e cilësoi Hazir Lalën si një njeri me rrezikshmëri të lartë.
“Hazir Lala është një trafikant i dënuar i qenieve njerëzore dhe nuk ka vend në Britani. Prania e tij këtu përbënte një rrezik të papranueshëm për publikun. Lufta kundër krimit të organizuar të imigracionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore është një prioritet për Agjencinë,” – deklaroi oficeri i lartë.
Hetuesit e NCA-së kanë ndjekur gjurmët e Hazir Lalës që nga korriku i këtij viti. Arrestimi i tij të premten më 18 korrik 2025 në Walthamstow u bë pas një operacioni intensiv që synonte goditjen e këtij trafikanti të dënuar dhe rikthimin e tij në Shqipëri.
Megjithëse lidhja familjare mes Hazir dhe Bledar Lalës nuk është konfirmuar zyrtarisht, autoritetet angleze dyshojnë për një bashkëpunim të ngushtë mes të dyve.
Regjimi i ri i sanksioneve nuk përfshin vetëm individë. “Weihai Yamar Outdoors Product Co”, një kompani kineze prodhuese varkash, u sanksionua gjithashtu për reklamimin dhe shitjen e varkave të vogla që përdoren për trafik emigrantësh në mënyrë të qëllimshme.
Grupi i sanksionuar përfshin furnizues varkash të vogla në Azi, udhëheqës bandash në Ballkan dhe Afrikën e Veriut, si dhe ndërmjetës financiarë që përdorin sistemin informal hawala për të kanalizuar pagesa të lidhura me kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez.
Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të goditur krimin e organizuar të imigracionit dhe për të frenuar fluksin e emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.
“Po ndjekim trafikantët kudo që ndodhen, nga Evropa në Azi. Ata që mundësojnë migracionin e paligjshëm do të përballen me pasoja reale,” deklaroi të mërkurën ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.
Në vitin 2024, mbi 37,000 emigrantë kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla, ndërsa gjatë vitit 2025, deri tani janë shënuar mbi 22,000 raste, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar këtë rrugë të rrezikshme.
Rritja e numrit të emigrantëve që mbërrijnë në jug të Anglisë me varka të vogla nga Franca Veriore është kthyer në një sfidë të madhe politike për qeverinë laburiste të Kryeministrit Keir Starmer. Partia e djathtë ekstreme ka përfituar nga pakënaqësia publike, ka miratuar politika të ashpra kundër emigracionit. Sipas Kryeministrit britanik Starmer, këto banda janë kërcënim për sigurinë globale dhe duhet të trajtohen si rrjete terroriste.
Në përpjekje për të frenuar fluksin, Starmer ka nënshkruar së fundmi marrëveshje me Francën dhe Gjermaninë. Një ndër to përfshin një sistem “një brenda, një jashtë”, ku për çdo emigrant të kthyer në Francë, një tjetër mund të vijë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar me dokumentacion dhe kontroll të rreptë sigurie.
Gjermania gjithashtu ka premtuar të ndryshojë legjislacionin, për të konsideruar vepër penale edhe ndihmën e dhënë në dërgimin e emigrantëve drejt Britanisë, një veprim që mendohet se do t’u japë autoriteteve më shumë fuqi për të goditur rrjetet logjistike të trafikantëve. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se këto masa janë vetëm hapi i parë në një betejë të gjatë.
“Sanksionet pa juridiksion janë si thikë pa teh,” thotë një analist i politikave të emigracionit. “Për sa kohë që nuk ka bashkëpunim të thellë ndërkombëtar dhe korrupsioni në Ballkan nuk çrrënjoset, figura si Lala do të përshtaten dhe do të vazhdojnë aktivitetet kriminale.” – tha për “shteg.org” një prej analistëve të sigurisë.
Për momentin, Bledar Lala mbetet i lirë. Ai nuk është arrestuar, dhe vendndodhja e tij është e panjohur. Por tashmë që emri i tij është shpallur publikisht në listat ndërkombëtare të sanksioneve, mbretërimi i tij mbi Kanalin Anglez mund të jetë drejt fundit.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.