Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka krijuar një përplasje të fortë mes Prokurorisë, Gjykatës së Posaçme dhe Policisë së Shtetit.
Të premten, përmes dy njoftimeve, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme denoncuan publikisht dështimin e Policisë së Shtetit që nuk mori masa të mjaftueshme sigurie gjatë procesit gjyqësor, ku mbështetës të Veliajt rrethuan institucionin, pas arrestimit të tij më 12 shkurt 2025.
Kërkesat e përsëritura të punonjësve të Gardës së Republikës për të siguruar perimetrin e jashtëm të godinës mbetën të injoruara, duke vënë në rrezik jetën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë punonjësve të administratës gjyqësore.
“Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit, të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm u është cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre,” deklaroi Gjykata e Posaçme përmes njoftimit.
Situata e paprecedentë ndodhi të mërkurën, kur mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste u mblodhën që në orët e para të mëngjesit rreth Gjykatës së Posaçme në shenjë proteste për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Pas përfundimit të seancës, protestuesit u filmuan teksa kishin rrethuar makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe thërrisnin në kor “Turp”.
Protestuesit kanë penguar gjykatësit të dalin në ambientet rrethuese të gjykatës, madje kur kanë tentuar të dalin, automjetet e tyre janë goditur ndërkohë që ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve u janë drejtuar me sharje dhe ofendime.
Gjatë realizimit të seancës së Kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxe dhe 5 biznesmenëve të akuzuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, sipas GJKKO-së nuk ka pasur asnjë reagim nga Policia e Shtetit për të bashkëpunuar me Gardën.
“Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit” – thotë në deklaratën e saj GJKKO-ja duke shtuar se policisë i ishte bërë i ditur grumbullimi i një numri të konsiderueshëm protestuesish në mënyrë institucionale, por edhe është mbuluar si informacion në lidhje direkt të të gjitha mediave në vend.
“Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ”, – thuhet në njoftim.
Gjykata e Posaçme i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të cilësuar prej tyre si të paprecedentë.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, asnjë prej institucione të akuzuara nga SPAK dhe Gjykata për shkelje të ligjit nuk iu përgjigjën pyetjeve për koment të ngritura nga “shteg.org”.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, një ditë pas protestës u justifikua para gazetarëve se tubimi nuk ishte njoftuar më parë dhe ata që rrethuan institucionin ishin simpatizantë. Sipas Ministrit ato u mblodhën në mënyrë të menjëhershme, ç’ka vështirësoi punën e koordionimit të policisë.
Shteti kundër shtetit
Sipas ligjit shqiptar, Garda ruan dhe mbron perimetrin e brendshëm të Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndërkohë që bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje.
E ndërsa Gjykata e Posaçme ka kërkuar sqarimet për mosveprimi e Policisë së Shtetit dhe marrjen e masave ndaj personave që kanë shkelur ligjin, mesditën e së shtunës po nëpërmjet një deklarate publike Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka pretenduar se nuk ka pasur njoftim për grumbullim të mundshëm pranë godinës së SPAK.
Sipas, policisë vendore kjo ka qenë arsyeja që nuk është hartuar prej tyre ansjë plan masash ndërkohë që deklaron se për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore janë angazhuar në total 77 punonjës policie.
“Në këto kushte nuk është hartuar plan masash, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është vlerësuar situata dhe janë marrë masa duke reaguar në kohë, me angazhimin e një numri të konsiderueshëm punonjësish” – sqaron Policia, sipas të cilës grumbullimi i protestuesve cilësohet si spontan dhe nuk ka cenuar rendin publik.
Dhe pse rrethimi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme nga përkrahësit e Erion Veliaj është transmetuar në të gjitha mediat televizive në vend, policia deklaron se nuk ka pasur asnjë njoftim për sa ndodhi gjatë 24 orëve ku u vlerësua në gjykatë masa e arrestit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“DVP Tiranë nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë të drejtuar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme” – thuhet në njoftimin ku sqarohet se protesta e simpatizantëve të Veliajt ka qenë një grumbullim spontan që nuk ka cenuar rendin dhe sigurinë.
“Qytetarët në datë 12 shkurt 2025 janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, ç’ka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar” – sqaron policia.
Përplasjet mes institucioneve të drejtësisë dhe Policisë së Shtetit sollën dhe reagimet e opozitës e cila ka paralajmëruar kallëzime penale ndaj kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe kreut të Policisë së Shtetit për dështimin në marrjen e masave të sigurisë gjatë seancës për verifikimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Opozita e ka konsideruar këtë situatë si një abuzim të hapur me pushtetin dhe një provë të ndërhyrjes politike në drejtësi.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kjo ngjarje pasqyronte shkallën e politizimit dhe kriminalizimit të drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar protestën si një sulm të organizuar nga qeveria.
Ndërsa për deputeten Jorida Tabaku, ngjarja e paprecedentë është një grusht shteti, për të cilën ajo bëri përgjegjëse qeverinë.
Sipas deputetes Tabaku, protesta ishte një përpjekje e koordinuar për të mbrojtur korrupsionin dhe për të shpëtuar Veliajn dhe të tjerë nga ndjekja penale. Sipas Tabakut, Policia e Shtetit ka qëndruar pasive, duke ndjekur një “urdhër të heshtur”.
“Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit sapo zbuloi një sulm të organizuar nga qeveria kundër drejtësisë: Gjyqtarët dhe prokurorët të bllokuar brenda gjykatës! Protestuesit penguan hyrjen, sulmuan stafin gjyqësor! Policia nuk bëri asgjë – me urdhër të heshtur për të mos vepruar!”, shkroi Tabaku në rrjetin social Facebook.
Mosreagimi i policisë ndaj protestave të ndodhura në Gjykatën e Posaçme më 12 shkurt 2025 është kritikuar edhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit.
Ngjarja është komentuar prej tyre si tregues që Shqipëria ende nuk ka një polici të depolitizuar por është gjithnjë në shërbim të pushtetit të radhës.
Mit’hat Havari, një oficer karriere në Policinë Shqiptare i ka krahasuar protestat e mbështetësve të Veliajt të ngjashme me ato që zhvillohen kur ka seancave gjyqësore ish-kryeministri Sali Berisha.
“Normal që rasti i Veliajt e komprometon Policinë e Shtetit. Kjo vërteton faktin se policia nuk është e depolitizuar, por në vartësi të pushtetit të radhës, një herë PD dhe tani PS” – tha për “shteg.org” ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Mit’hat Havari.