Seanca e parë gjyqësore për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe të tjerët të përfshirë në aferën e marrëveshjes koncesionare për pajisjet kirurgjikale është shtyrë gjatë ditës së sotme për shkak të debateve mes palëve në proces.
Avokati i ish-ministrit, Ermal Yzeiraj, kërkoi nga Gjykata e Posaçme të Krimeve të Rënda (GjKKO) aktin e shkruar nga ana e prokurorisë për rikualifikimin e akuzës. Ai theksoi se ende nuk kishte marrë një qëndrim të qartë nga Prokurori lidhur me ndryshimin e akuzës nga shpërdorimi i detyrës në vjedhje duke shpërdoruar detyrën, duke i dhënë kështu një përmasë të re çështjes.
“Ne nuk e dimë qëndrimin e Prokurorit lidhur me ndryshimin e akuzës nga shpërdorimi i detyrës në vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Nga bashkëpunimi i thjeshtë në një formë më të lartë, ajo e grupit të strukturuar kriminal,” – u shpreh mbrojtja e Beqajt.
Në një moment të seancës, ish-ministri Beqaj e shpjegoi situatën, duke deklaruar se kishte kërkuar informacion në administratën e Durrësit lidhur me vendimin e rikualifikimit të akuzës. “Deri dje pyeta ata të administratës në Durrës, por më thanë se nuk kishte ardhur ende. Nisët një vendim të dhjetorit, por jo rikualifikimin e akuzës,” – tha Beqaj, duke iu drejtuar prokurorit në sallën e gjyqit.
Sipas prokurorit, kjo arsye kishte në thelb shtyrjen e seancës. Prokurori Edvin Kondili kërkoi nga gjykata që të pezulloheshin afatet e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak për të paktën një periudhë kohore.
“Në dukje kjo është kërkesë për marrje vendimi, por në fakt, në thelb është për shtyrje,” – u shpreh ai. Gjykata vendosi të shtyjë seancën për datën 13 mars, në orën 12:30.
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka ngritur akuzë ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj për shpërdorim detyre në lidhje me kontratën e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një kontratë që ka një vlerë rreth 100 milionë euro, nënshkruar në vitin 2015. Hetimet e SPAK sugjerojnë se Beqaj ka favorizuar biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit, duke shpërdorur pozitat e tij dhe duke mos respektuar ligjin dhe procedurat e parashikuara.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.