Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vendimin e saj më 28 korrik 2025, pranoi provat e SPAK-ut dhe urdhëroi fillimin e gjykimit për të pandehurit, emra të njohur për drejtësinë, si Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli (alias Astrit Balliu/Sulejmani), Naim Stafuka, Blerim Abazi, dhe Leonard Duka. Ata akuzohen për vepra të tilla si “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, “Mbajtje pa leje e armëve”, dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Sipas hetimeve, Astrit Avdyli, Shullazi, Abazi dhe Stafuka ishin pjesë e një plani të mirëorganizuar për të vrarë disa persona, duke përdorur mjete dhe kushte të sigurta për të kryer vrasjet.
Emra të tjerë si Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi u akuzuan për sigurimin e mjeteve për atentate të ndryshme, ndërsa Leonard Duka dhe Drianto Bardhi, në vitin 2020, përgatitën vrasjet e dy bosëve të tjerë kriminalë.
Ngjarjet e zbuluara në hetime tregojnë për 7 grupe kriminale të cilët u goditën nga operacioni “Revanshi”, që nisi në maj 2024 dhe përfshiu arrestimin e 20 personave në Shqipëri dhe jashtë saj, duke përfshirë figura me rekorde kriminale dhe zyrtarë të lartë policie.
SPAK njoftoi se kishte goditur bosët dhe anëtarët e grupeve duke përfshirë edhe atë të Ervis Martinajt, i cili, në aleancë me grupin e Avdylajt dhe ish-deputetin Ndoka, rekrutonte vrasës me pagesë për zonat e Fushë-Krujës dhe Burrelit.
Për shumë kohë, emrat e tyre ishin sinonim i fuqisë së krimit në Shqipëri por hetimet treguan se edhe nga brenda burgut, Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi nuk u ndalën, por organizuan vrasje, duke komunikuar fshehurazi përmes telefonave të fshehur në qeli.
Sipas prokurorisë ata ishin porositësit e vrasjeve të Durim dhe Valter Bamit, dy emra të njohur që ranë pre e planit të tyre. “Komandat” e tyre nuk ishin vetëm urdhra, ishte një plan i mirëmenduar me zbatues, pagesa dhe logjistikë që shtrihej përtej hekurave.
U organizuan takime, u dhanë pagesat, por atentati dështoi në momentet e fundit, për arsye logjistike.
Emiljano Shullazi nuk i kurseu as sulmet personale. Ai akuzohet se goditi bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani, në një tentativë për të frikësuar dhe ndikuar mbi vendimet e drejtësisë.
Kjo dosje nxjerr në pah edhe lidhjet e thella të grupeve kriminale me politikën dhe institucionet, duke përfshirë edhe zyrtarë policie.
Një nga episodet më të ndërlikuara të dosjes ishte atentati ndaj ish-deputetit Arben Ndoka.
Xhelil Rraja, vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja, akuzohet se ishte personi që organizoi këtë sulm, duke siguruar armë, përgatitur itinerare dhe mbledhur një grup për ekzekutimin. Por përgjimet dhe hetimet e SPAK e bllokuan atë në kohë, duke parandaluar vrasjen.
Mbrëmjen e 9 dhjetorit 2017, në Lezhë u vra vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka. Pas vrasjes, Ndoka akuzohet se krijoi një grup kriminal për hakmarrje, duke rekrutuar nipin dhe dhëndrin e tij si dhe duke lidhur kontakte me figura të botës së krimit si Ervis Martinaj dhe Emiljano Shullazi.
Pjesë e dosjes hetimore është edhe atentati i ndodhur më 15 shtator 2020 ndaj Preng Gjinit, i cili mbeti i plagosur rëndë. Hetimet zbuluan se prapa këtij atentati qëndronin Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi, të cilët kishin kujdesur për çdo detaj.
Pamjet e kamerave dhe provat telefonike kanë ndihmuar në vërtetimin e përfshirjes së tyre, ndërsa shpërthimi tronditi gjithë lagjen dhe rrezikoi jetën e shumë banorëve.
Në vitin 2020, Leonard Duka dhe Drianto Bardhi u përpoqën të realizonin një tjetër urdhër vrasjeje, për të eliminuar Ervis Martinajn dhe Erigers Mihasin. Plani për likuidim ishte i detajuar, me përgatitje të armëve dhe mbikëqyrje të lëvizjeve, por ndërhyrja në kohë e policisë ndaloi ekzekutimin.
Në Durrës, Viktor Imeraj dhe Satilno Basho akuzohen se përgatitën atentatin ndaj vëllezërve Fatmir dhe Armando Hyseni. Për ditë të tëra ndoqën lëvizjet e tyre, por fatmirësisht plani nuk u zbatua.
Sipas vendimit të gjykatës, të gjithë të pandehurit do të përballen me akuzat përkatëse në një gjykim që pritet të jetë ndër më të rëndësishmit të viteve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjykata urdhëroi gjithashtu formimin e fashikullit të gjykimit, që do të përfshijë aktet e hetimit dhe të seancës paraprake, si dhe depozitimin e vendimit brenda 10 ditëve në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme, që do të shqyrtojë çështjen në themel.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.