Shullazi urdhëroi dhunimin e bashkëshortit të gjyqtares së Krimeve të Rënda

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim Emiljano Shullazin, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 23 prill 2023, kur bashkëshorti i gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani, u dhunua brutalisht.

593
Shullazi
Credits: ExitNews

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim Emiljano Shullazin lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 23 prill 2023, kur bashkëshorti i gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani, u dhunua brutalisht.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Shullazi ishte organizatori i sulmit ndaj bashkëshortit të Dollanit, me qëllim që të ndikonte në gjyqin që po zhvillohej ndaj tij dhe disa personave të tjerë, përfshirë Gilmando Danin.

Në njoftimin e SPAK, theksohet se Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ndërmarrë veprime të kundraligjshme gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, më 23 prill 2021, ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje të Apelit për Krime të Rënda, e cila po gjykonte çështje të rëndësishme penale, përfshirë dhe atë të Shullazit. Ky i fundit kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares për të penguar zhvillimin e gjyqit.

“I pandehuri Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, si dhe veprimtari e konkretizuar më datë 23.04.2019, 2021, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një cështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ngjarja u zbulua nga bisedat në SKY, ku u konstatua se Emiljano Shullazi ishte organizatori i dhunimit dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojën e burrit të gjyqtares Saida Dollani.

Policia arrestoi një person, por ai u lirua shpejt dhe çështja e “kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe dhunimit të bashkëshortit të Dollanit u pezullua nga Prokuroria e Tiranës për mungesë autori.

Çështja u pezullua, edhe pse hetimet e para krijonin bindjen se dhuna ishte orkestruar nga brenda burgut për të detyruar Saida Dollanin të jepte dorëheqjen nga procesi gjyqësor kundër Shullazit dhe disa personave të tjerë.

Sipas dosjes penale të përfunduar nga SPAK, që ka përfshirë 50 të arrestuar, njerëzit kryesorë që mundësuan këtë dhunë ishin Emiljano Shullazi, ish-deputeti Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.

Burri i gjyqtares Dollani denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit 2023, kur ai ishte duke pirë një cigare me një mik dhe papritur u sulmua nga një person me pistoletë.

“Ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë.” – i tha agesori.

Kërcënimi lidhej me funksionin e bashkëshortes së tij si gjyqtare në procesin gjyqësor që po zhvillohej për Shullazin.

Për shkak të kërcënimeve, Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit.

Hetimet për këtë ngjarje filluan në Prokurorinë e Tiranës, por pas disa muajsh, prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi dhe e riktheu çështjen për vijimin e hetimeve. Megjithatë, çështja nuk mundi të zbardhej dhe përfundoi me pezullimin e saj.

Procesi gjyqësor i Shullazit u ndalua në Apel, ku ai dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së parë. Dënimi për ta u dha pa praninë e avokatëve mbrojtës dhe çështja tashmë është transferuar në Gjykatën e Lartë.

Shullazi u dënua me 14 vite burg nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel, ndërsa grupi i tij mori gjithsej 55 vite burg për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, kanosje dhe përndjekje për shkak të detyrës. Pjesë e këtij grupi ishin edhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.