Shumë oficerë sigurie në shkolla, pak siguri për nxënësit

Majlinda Keta: Oficerët e sigurisë i sheh si asistentë, si ndihmës, si sekretarë të drejtorëve të shkollave që kanë tendenca autoritariste

969
Majlinda Keta, ekperte e Arsimit
Credit: Facebook

Më 12 shkurt të vitit 2018 Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës në prezantimin e projektit “Oficerët e Sigurisë në Shkolla” në shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa” në Tiranë. Në prezencën e mësuesve, prindërve dhe nxënësve Kryeministri deklaroi se vendosja e oficerëve të sigurisë në shkolla do të bënte të mundur krijimin e një mjedisi të qetë në institucionet arsimore.

Statistikat tregojnë se auditorët mësimore vetëm siguri nuk garantojnë.

Martin Cani, nxënësi 14-vjeçar i shkollës “Fan Noli” humbi jetën si pasojë e plagëve të marrë nga thika e ngulur në zemër prej një bashkëmoshatari, ndërkohë që më 12 nëntor një nxënës 16-vjeçar u plagos me thikë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” gjatë një konflikti me 3 persona të tjerë.

Qeveria, si masë për të garantuar sigurinë ka shtuar numrin e oficerëve në 150 shkollat publike të sistemit parauniversitar, por për eksperten e arsimit, Majlinda Keta rritja e numrit të oficerëve të sigurisë, shërbimit psikologjik dhe të punonjësve social në shkolla nuk është reflektuar në pasjen e një mjedisi të sigurtë për nxënësit.

1- Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë regjistruar 194 konflikte fizike midis nxënësve. Sipas jush, çfarë tregojnë këto statistika dhe si do e konsideroni  gjendjen aktuale të sigurisë në shkolla?

Së pari, do të nënvizoja faktin që referenca statistikore e drejtorive vendore të policisë duken të pa përditësuara në konceptet bashkëkohore që vetë Policia e Shtetit operon. Ai i policimit komunitar, i detyrimit për të përcaktuar dhe për të dhënë detaje më përmbajtësore rreth cilësimit të asaj ngjarjeje që e cilëson si “konflikt fizik” të evidentuara në territorin e shkollave tona.

Sigurisht, e pa-precizuar si kategorizim se çfarë kupton Policia e Shtetit si “konflikt fizik” apo “incident” që është e shprehur përmes konflikteve fizike, relatimi në numra nuk merr shumë rëndësi sesa merr rëndësi se cilat janë pasojat e këtyre konflikteve fizike.

Në pamje pozitive duket që kemi një rënie të numrit të incidenteve të raportuara nga Policia e Shtetit për Drejtoritë Vendore të Policisë në të gjitha qarqet. Nga viti 2022-2023 në 2023-2024, kjo rënie është e konsiderueshme.

Por nëse shihet ana numerike e këtyre incidenteve apo konflikteve fizike, siç e cilëson deklarata e tyre, do të shikosh që këto janë qytete që kryesisht kanë edhe profilin e vet më të kriminalizuar në rekordet e veta të krimit në nivel republike.

Referenca bën fjalë për qytete si Tirana, që zë rreth 1/3 e numrit të konflikteve të shtuara, dhe më pas qytetet e mëdha siç janë Durrësi apo Vlora, mbeten në ato shifra që është edhe shqetësimi i krimit në këto qytete.

2- Ne ndodhemi përballë faktit që në shkollat shqiptare, për dy vite, kanë ndodhur me qindra incidente fizike mes nxënësve. Çfarë mendoni se po çalon në arsimin publik?

Ajo që më bëri përshtypje nga ana e shifrave, si një eksperte arsimi, më tremb e dhëna që në kushtet e Drejtorisë Vendore të Kukësit në vitet 2022-2023 shënohen 47 konflikte. Dhe të mendosh që në Kukës janë mbyllur disa shkolla për arsye të mos pasurit të kontingjentit të fëmijëve dhe të pasojave që ka krijuar emigracioni masiv në to, më bën që të mendoj se janë disa gjëra përtej profilit të një qyteti. Profilit që mund t’i përshkruhet krimit të një qyteti.

Këtu futemi në fushën e edukimit, që do të thotë: a mbajmë ne të edukimit një peshë në këto histori konfliktuale? Për hir të së vërtetës duhet thënë që Qeveria ka marrë një sërë masash të cilat mund dhe duhet të na sjellin një shkollë më të paqtë, më gjithëpërfshirëse dhe larg konfliktualitetit. Kështu kemi numrin e shtuar të atyre që janë oficerë sigurie. Ne kemi të gjithë shërbimin psikologjik dhe jo rrallë të bashkëshoqëruar me atë social dhe tash së fundi janë shtuar dhe disa elementë të koordinatorit të karrierës dhe cilësisë.

Duke iu referuar fuqizimit të të dy të parave, pre-supozohet që asistenca dhe shërbimi ndaj fëmijëve në mënyrë të specializuar për t’u larguar nga sjelljet e tyre devijante, nga konflikte fizike apo nga incidente që trajtohen më pas nga Policia e Shtetit, duhet të ishte në rritjen më të mirë të mundshme. Ne duhet të kishim një shkollë shumë më të larguar nga këto të dhëna që dalin edhe pse në rënie në vitin 2023-2024, dhe duhet të kishim një shkollë ku këto shërbime të jepnin ndikimin e tyre direkt mbi pjesën e qetësisë, rregullit dhe sigurisë në shkolla.

Sërish edhe këtu bëjmë një refleksion të dytë, që përtej njerëzve të specializuar, të cilësuar për siguri mendore, apo në përgjithësi për siguri të institucionit apo të gjithë burimeve njerëzore që lëvizin atje si aktorë dhe faktorë, ka elementë të tjerë që janë drejt për së drejti të lidhur me mënyrën se si ndërton marrëdhëniet shkolla në procesin e gjatë mësimor, por edhe në marrëdhëniet me prindërit dhe komunitetet prindërore dhe ato përreth shkollave.

Në cilësinë e specialistes së arsimit, do të thoja: ndërsa mbështes fuqimisht fuqizimin me psikologë dhe me punonjës socialë në shkolla, dhe ky është një shërbim që për hir të së vërtetës krahasuar me vitet kur unë kam drejtuar Tiranën, është i disafishuar.

Duhet që ky lloj shërbimi të kishte bërë një lloj organizimi të punës që sjellja devijante të menaxhohej, të ndërmjetësohej dhe të zgjidheshin konfliktet, pa kaluar në konflikte të pranuara në mënyrë deklarative si “incidente” nga Policia e Shtetit.

Dhe këtu na del një detyrë e parë që normimi i punës së psikologëve, të oficerëve të sigurisë dhe të punonjësve socialë duhet të jetë i standardizuar më së miri nga ekspertiza e këtyre fushave, duke njohur mirë psikologjinë moshore dhe funksionimin e institucionit shkollor. Unë e kam thënë, që jo rrallë oficerët e sigurisë i sheh si asistentë, si ndihmës, si sekretarë të drejtorëve të shkollave që kanë tendenca autoritariste dhe delirojnë me ndjesinë dhe funksionin e krye-edukatorit, e kryemësuesit për një komunitet të paqshëm të fëmijëve, prindërve dhe stafeve arsimore.

3- A duhet të bëhet një rishikim i procesit të rekrutimit të stafit mbështetës në shkolla? Nëse po, çfarë duhet të ndryshojë?

Mendoj se duhet të jetë rishikimi i atyre stafeve të rekrutuara nën këtë cilësim si “stafe sigurie”, se çfarë formimi kanë, çfarë përvojash kanë me moshat shkollore, apo me shërbimet në zyrat e shtetit që kanë pasur në përgjegjësi kushtetuese apo ligjore të gjitha ndihmat apo mbështetjet për zhvillimin e komuniteteve edukative dhe institucioneve edukative në vend.

Duhet parë mbase edhe cilësia, pasi punësimi në institucionet e arsimit, sidomos në shkollat e mesme dhe të ciklit 9-vjeçar, nuk është çdo lloj punësimi që mund ta marrë çdokush si një punonjës policie në X rajon të drejtorive vendore.

Do një ekspertizë dhe një përvojë shumë përtej formimit universitar, shumë përtej një formimi të thjeshtë të policimit që mund të bëhet dhe me kurse. Mbi të gjitha, do të doja të kishim preferuar ato që janë dhe me statuse prindërore dhe që e njohin psikologjinë e sjelljes së fëmijës në këto mosha.

ARSIM DHE DHUNE NE SHKOLLAT SHQIPTARE
Credit: shteg.org – Gjatë dy viteve të fundit shkollore janë regjistruar 703 raste të konflikteve fizike midis nxënësve

4- Si mund të përmirësohet roli i oficerëve të sigurisë dhe psikologëve në trajtimin e konflikteve në shkolla?

Ajo çka ngrihet nga të gjithë mësuesit në shkollë, pasi as rregullin, as sigurinë, as mirëqenien mendore, as rezultatet e shkëlqyera, nuk i ruan dot asnjëri nga këta ekspertë të cilësuar të mësuar për secilin sektor të përmendur më sipër. Por, e siguron një trup homogjene dhe shumë e bashkëmbështetur brenda njëri-tjetrit, me objektiva dhe plane të qarta mbi cilësinë dhe profilin socio-psikologjik dhe ekonomik të komuniteteve të fëmijëve në shkolla të ndryshme në vend.

Që do të thotë: pa pasur të gjithë ne bashkë një profil të tillë të fëmijëve, ku e njohim të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të gjithë marrim përgjegjësitë tona, dikush në cilësinë e mësuesit, dikush në cilësinë e mësuesit kujdestar, drejtuesit, nën drejtuesit, oficerit të sigurisë, psikologut, punonjësit socialë, dhe tash së fundmi të dy koordinatorëve, le të ndërtojmë një plan pune i cili do të ndjekë në mënyrë jo-inflacioniste fjalët që shkruhen dhe thuhen politikisht korrekt, por të ndjekë vlerën e shtuar mbi atë cilësi komuniteti mbi të cilin ne kemi realizuar dhe kemi përcaktuar drejtimet e punës sonë.

5- A janë planet vjetore aktuale të shkollave mjaftueshëm të strukturuara për të monitoruar zhvillimin e fëmijëve?

Kam frikë që, dhe jam e bindur për këtë se e kam parë, planet tona vjetore vuajnë nga një inflacion i fjalëve të bukura, nga mungesa totale e analizave konkrete si ajo që po them, dhe mbi të gjitha nga ngritja e instrumenteve monitorues që ndjekin zhvillimin dhe ngritjen e vlerës edukative të çdo fëmije.

Ne nuk jemi në kohën për të krijuar kolektiva të forta. Ne në shoqërinë që kemi hyrë, në rendin dhe sistemin politik që i aspirojmë Shqipërisë në Evropë, duhet të dimë që forca e Shqipërisë do të qëndrojë te individët e fortë, dhe duke ditur këtë lloj parimi të filozofisë së edukimit që gjithçka dhe mbi gjithçka është fëmija dhe ai është qendër, dhe puna edukative dhe puna pedagogjike, dhe puna psikologjike, dhe puna për elementë të sigurisë, ngrihet në bazë të çdo individi dhe vlerës së shtuar që hyrja në institucionin shkollor duhet t’i japë dhe t’i bashkëngjitet fëmijës në këtë shkollë.

6- Si mund të matet cilësia e edukimit në shkolla përtej notave dhe statistikave tradicionale?

Një element tjetër i rëndësishëm do të ishte ndryshimi i koncepteve të MAS, me të cilat koncepte operojnë në listime apo shpallje të listës së atyre institucioneve arsimore si më të mirat në qytet apo kudo qofshin ato. Unë i bëj një thirrje, sepse nuk ka më kohë për të mos e dëgjuar këtë thirrje: shkollë e mirë në shek. XXI nuk mund të cilësohet ajo që në referencë dhe fokus ka numrin e numrit të 10-tave dhe të nxënësve të shkëlqyer.

Kush e njeh mekanizmin si funksionon, të gjithë shoqëritë e progresuara perëndimore e dinë që shtresa e njerëzve që janë të ekselencës, maksimumi shkon te 15-20%. 80% e shoqërisë duhet të mundësohet të nxjerrë klasën e mesme të sigurt dhe çfarëdo lloj niveli formimi në shërbim të progresit socio-ekonomik të tij.

Nëse shkollat tona do të vazhdojnë që në kartën e performancës t’i referohen numrave, notave dhe nuk i referohen treguesve të zhvillimit të kapitalit human, ne nuk do të kemi kurrë progres të komuniteteve tona shkollore, si komunitete edukative, qytetare, aktiviste, me solidaritet në lirinë e fjalës, të shkrimit, të ndërveprimit që parashikon ligji për çdo qytetar aktiv… dhe nuk do të arrijmë kurrë standardin që Evropa në shekuj e ka arritur me revolucione të mëdha, me deklarata që formësuan botën qytetare, jo vetëm Evropën.

7- Si mund të balancohet ndërtimi i individëve të fortë me krijimin e komuniteteve të fuqishme brenda shkollave?

MAS duhet të bëjë një kartë të performancës, të sigurisë mendore të fëmijës, ku elementët e sigurisë, elementët e devijancave apo të konfliktualiteteve të cilësimit të tyre preciz dhe referuar dhe neneve të kodit penal, apo të sjelljeve devijante si një trajtesë psikosociale brenda institucioneve edukative, të kenë shprehjen e tyre. Vetëm kështu mësuesit tanë do të bindën që në punën e tyre do të maten më shumë me shkallën e qytetarisë që do të prodhojnë për komunitetet te kolektivat e nxënësve në klasat ku japin mësim, ku marrin përgjegjësinë e mësuesit kujdestar, apo mbi të gjitha ku marrin përgjegjësinë e progresit të shkollave që duan të drejtojnë.

Unë mendoj që përpara se të prodhojmë statistika ne duhet të konceptojmë realisht fëmijën në moshën e duhur, në kohën e duhur, në komunitetin e duhur, me profilin e vetë psikosocial-ekonomik personal dhe mbi të të angazhohemi që të gjithë që së paku të mos raportojmë numra, por cilësi dhe vlera të shtuara, ku gjithmonë progresi të jenë tipar i kalimit të fëmijës nga një cikël në tjetrin.

Shqipëria ka pasur një përvojë prej më se 25 vjetësh pë bashkëpunimin shkollë-polici, për policimin në komunitet. Pati një kurrikul të shkëlqyer të gjimnazit të profilizuar ku edukimi ligjor doli si një formim mëvete, krahas disiplinave të tjera të formimit të shkencave sociale. Ato gjimnazet e profilizuara sot ka nxjerrë nga ekspertët më të mirë të fushave, si nga fushat natyrore, ashtu edhe në shoqëroret. Shqipëria ka me dhjetëra juristë, të cilët në fillimet e studimeve të tyre doktorale janë marrë me devijancën në fëmijëri dhe adoleshencë, dhe kanë propozime dhe platforma konkrete. Shqipëria sot ka një rrjet të ojf-ve, të cilat nëse do të ruanin qëndrueshmërinë e tyre kundrejt politikave të zbatuara, ne nuk do të ishim në këto shifra. Se mund të ketë rënë numri, sipas të dhënave të Policisë, por agresiviteti dhe forma  me të cilën shprehet ose krijon pasojën incidenti fizik, mund të jetë shumë herë më e rëndë, shumë herë më e egër se ato që një vit më parë prezantoheshin si trefishi i tyre.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.