Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, Erion Alibej, i penduar i drejtësisë, rrëfeu në detaje organizimin e një sërë atentatesh mafioze, duke përfshirë vrasjet e Dorjan Shkozës, vëllezërve Haxhia dhe Emiliano Ramazanit. Ai pranoi se kishte paguar shuma të mëdha parash për këto vrasje, ndërsa armët ishin siguruar në Tiranë. Një detaj tronditës ishte përdorimi i uniformave të falsifikuara të OFL-së, të siguruara nga një kontakt në Kukës, me qëllim krijimin e bindjes se atentatet kryheshin nga forcat e rendit.
Alibej tregoi se qëllimi kryesor i tij dhe i bashkëpunëtorit të tij, Nuredin Dumanit, ishte eliminimi i Talo Çelës, ndërsa të tjerët u vranë gjatë përpjekjeve për ta nxjerrë këtë të fundit në skenë. Përmes komunikimeve në aplikacione të enkriptuara si SkyECC dhe Encrochat, Alibej mbante kontakt me figura të tjera të krimit, ku për çdo atentat paguheshin shuma që varionin nga 75 deri në 100 mijë euro. Në disa raste, viktimat rezultuan të jenë të gabuara, si në rastin e Viktor Haxhisë, i cili nuk ishte objektiv i planifikuar.
Alibej përshkroi gjithashtu përfshirjen e policisë dhe individëve të lidhur me drejtësinë, duke përmendur presione të ushtruara ndaj dëshmitarëve dhe lidhje të gjyqtarëve me grupe kriminale. Ai rrëfeu se përpiqej të siguronte informacione nga brenda strukturave shtetërore për të mbrojtur veten dhe për të mbajtur kontroll mbi situatat. Komunikimet e tij me persona të ndryshëm dëshmojnë për një rrjet të mirë-organizuar me mbështetje logjistike, financiare dhe informuese që shtrihej në disa qytete të Shqipërisë.
Seritë e atentateve mafioze
Erion Alibej pranoi se ishte një nga organizatorët kryesorë të disa prej atentateve më të bujshme të viteve të fundit. Ai rrëfeu mënyrën se si bashkëpunonte ngushtë me Nuredin Dumanin për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjeve, duke e përshkruar këtë të fundit si personin që merrte vendimet finale.
Në rrëfimin e tij përpara gjykatës, Alibej tregoi se kishte financuar Nuredin Dumanin për ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, të ekzekutuar më 2 mars 2020.
“Kam paguar 100 mijë euro. Për armët, çmimet lëviznin nga 500 në 2,000 e deri në 3,500 euro. Hoxha na tregonte çfarë kishte dhe më pas vendosnim nëse i blinim apo jo,” sqaroi ai.
Sipas dëshmisë së Alibejt, Dorian Shkoza ishte njeriu më i afërt me Talo Çelën i cili ishte objektivi kryesor i Alibejt dhe Nuredin Dumanit prandaj ishte shumë e rëndësishme që të ekzekutohej.
“Unë këmbëngulja vetëm për Talo Çelën. Gjatë kësaj kohe po hetoja edhe për Altin Docin, sepse shoqërohej shpesh me Besmir Haxhinë në Durrës,” tha ai.
“Për Besmir Haxhian kam pasur foto nga TIMS, kisha mësuar se ka qenë pjesë e 3 atentateve të familjarëve të mi” deklaroi Alibeaj ndërkohë që Besmir dhe Viktor Haxhia, u ekzekutuan pasditen e 27 Prillit 2020.
Ata u ekzekutuan nga një breshëri prej 55 plumbash që u derdhën mbi automjetin e tyre pranë tregut të makinave në Shënavlash të Durrësit.
Më vonë policia arrestoi si të dyshuar për këtë ngjarje Altin Docin ndërsa Alibej tregoi se për vrasjen e vëllezërve Haxhia kishte paguar Nuredin Dumanin.
Për të fituar besimin e Dumanit, Alibej i kishte dhuruar një makinë Toyota të vjedhur dhe armë, të dorëzuara në pazarin e Rrogozhinës. Kur Dumani kërkoi 50 mijë euro për vrasjet, Alibej i dërgoi 150 mijë, për të treguar fuqinë financiare dhe për të forcuar besimin mes tyre.
Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, Alibej tha se kishte dorëzuar dy kallashnikovë dhe një pistoletë.
Alibej rrëfeu se për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kishte dhënë Dumanit 2 kallashnikovë dhe 1 pistolë. Planifikimi fillestar ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, por si viktimë e paplanifikuar doli edhe Viktori.
“Ata nuk e dinin që ishte Viktori në makinë. Menduan se ishte Altin Ndoci,” tha Alibej.
Viktori u ekzekutua pa dashje në momentin kur shkoi të merrte lekët për borxhin, pa e ditur që në makinë ishte edhe Altin Doci.
“Atë ditë e dija që ishte parapërgatitur çdo gjë për Altin Docin dhe Dorjan Shkozën. E dija që ishin përgatit, por se dija që ekzekutimin do e bënin atë ditë. Atë moment që e nxorrëm në pritë dhe erdhi të marrë lekët për borxhin, i kanë shkuar me makinë” sqaroi mënyrën se si është kryer atentati Alibej.
Pas vrasjes, Alibej mësoi nga lajmet se në vendngjarje ishin konstatuar njolla gjaku të autorëve. Kur e pyeti Dumanin për gjurmët e gjakut në makinë, ai iu përgjigj se kishin qëlluar me xhamat mbyllur dhe “Kusho” kishte lënduar këmbën.
Më pas, një person me nofkën “Nipi” u shoqërua nga policia. Dumani i tha se ai po fliste shumë, sipas asaj që dëgjonte nga fqinjët, përfshirë edhe një mik të tij, “Miri Pojes”.
Sipas informacioneve të policisë, vëllezërit Haxhia u ekzekutuan nga një grup autorësh ndërsa Alibeja tha se Dumani kishte lidhje me grupin e njohur si “çunat e Fushë-Krujës”, por nuk i njihte emrat e tyre.
Uniformat false të OFL-së

Një detaj i veçantë që doli në seancë ishte përdorimi i uniformave të rreme të OFL-së për të realizuar atentatet. Alibej rrëfeu se kishte marrë uniforma të falsifikuara nga një mik i tij në Kukës, Bujar Gërmizi, i cili i kishte siguruar nga Kosova.
“I thashë Nuredinit se keni nevojë për uniforma si të OFL-së. Ai pranoi. Bujari më dha jelekë, këpucë dhe uniforma që më pas ia dhashë Nuredinit,” tha ai.
Dhe pse ia kishte dalë të vriste njerëzit e afërt, Talo Çela mbetej synimi i përhershëm për Alibeajn. Sipas tij, pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, Talo Çela qëndroi në shtëpinë e tyre.
Ndërkohë, Nuredin Dumani u fsheh në Spille tek e vjehrra, pasi dyshonte se po flitej për të në media. Policia i bëri një vizitë banesës së tij, por ai kishte ikur tashmë.
“Unë mbaja kontakte vazhdimisht me të në Sky ECC. Gjatë kësaj periudhe ka qenë në përdorim Encrochat dhe SkyEcc, i përdorja sipas përdoruesëve të tjerë. Kodet që përdorja në SKYECC, ka qenë LIZZ dhe tjetri KUMI. Ndërsa në Encrochat NOKU” tha Alibej.
Vrasja e Emiliano Ramazanit
Emiljano Ramazani u ekzekutua më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan dhe për vrasjen e tij Alibeaj tregoi se kishte paguar 75 mijë euro. Sipas tij, atentatin e realizuan Henrik Hoxha dhe Skerdi Tase, ndërsa Dumani ishte ai që merrte vendimet.
“Këtë si punë e morën Henrik Hoxha dhe Skerdi Tase, për vrasjen e Emiliano Ramazanit. Kanë qenë 2-3 episodet që mbetën tentativë dhe nuk u krye ekzekutimi. Ditën e ekzekutimit, Emiliano Ramazani ishte te palestra, Henrik Hoxha ishte shofer dhe Skerdi Tase ishte ekzekutor. Ka ardhur makina e Emiljano Ramazanit, dhe pa e fikur Emiliano makinën e ka ekezekutuar Henrik Hoxhaj me pistoletë TT”, dha detaje Alibej.
Alibej pranoi se për këtë ngjarje kishte pasur informator Xhuljano Hoxhën, ndërsa Dumani përdorte Eljo Bitrin.
“Xhuljano Hoxha ka qenë në dijeni për vrasjen e Emiliano Ramazanit. E kam paguar dhe për këtë rast. Për çdo vrasje do të paguheshin 100 mijë euro. Për vrasjen e Ramazanit kam paguar 75 mijë euro. Pasi është vrarë Emiljano, kam çuar Arsen Preçin te Rrethrrotullimi i Teg-ut, e ka pritur një vajzë në taksi. Asaj ia ka dhënë paratë – përfundoi Alibej.
Pas kësaj ngjarje, 29 korrik 2020 vritet në Elbasan edhe miku i Emiljano Ramazanit, Regis Runaj i cili u qëllua rreth 20 herë me thikë.
Alibej theksoi se motra e Regis Runajt, ishte sekretare e gjyqtares Pajtime Fetahu në Elbasan.
Sipas tij, gjyqtarja kishte lidhje të afërta me Çopjat dhe Suel Çelën. Ai përmendi një episod ku një oficer policie i tha Xhuljano Hoxhës: “Të fala ke nga Keli, sa lekë do, hap gojën dhe trego”.
Ndërsa Alibeaj ishte i zënë në thurjen e planeve për armikun e tij kryesor, Talo Çelën, më 15 shtator 2020 ekzekutohet Klevis Kapllani i njohur si mik i Nuredin Dumanit. Alibeja ka pohuar se ka paguar para për autorët e vrasjes së Kapllanit që sipas policisë dyshohej se ishte Ervis Daka.
“Në vijim ishim të interesuar gjatë gjithë kohës për Talo Çelën, por këto vrasjet tjera ishin plane aty për aty. Për vrasjen e Ervis Dakës pagova 30 mijë euro” – tha Elibeaj, sipas të cilit edhe shenjë hakmarrje grupi nisi nga plani për vrasjen e Bujar Çelës.
“Pas vrasjes së Kapllanit, 1 ose 2 ditë më pas vendosëm për ekzekutimin e Bujar Çelës. Nuredini ma sugjeroi unë e pranova” – dëshmoi Alibej.
Në fakt dhe kështu ndodhi. Më 17 shtator 2020 në orët e para të mëngjesit u ekzekutua në një lokal në Bradashesh vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, taksist i palicencuar pa asnjë rekord kriminal.
“Edhe pse unë isha porositësi nuk është se më vinte mirë për këto vrasje sepse nuk ishin kryesorët – rrëfeu Alibej.
Miqësi dhe tradhti
Në thellësi të këtij rrjeti kriminal, ku vrasjet dhe paratë shkojnë dorë për dorë, del në pah një element thelbësor pabesia mes grupeve. Alibeaj pranoi se përmes Eno Bitrit kishte arritur të komunikonte me Mikael Qosen, mik i ngushtë i Suel Çelës. Gjatë bisedave me të, Nuredini kishte pohuar se Alibeaj ishte pas vra pas këtyre vrasjeve.” Menjëherë i dërgohet një fotografi ku mbi tavolinë ishin grumbuj eurosh dhe një shënim me datë, muaj e orë.
“Kemi 2 milion euro për vrasjen e Erion Alibej,” i kishte Nuredin Dumani, duke zbuluar shumën e madhe që po qarkullonte në kokën e Alibeajt.
Sipas tij, Nuredini kishte kërkuar gjysmën e parave dhe në këmbim që të dorëzonte Talo Çelën.
Por përveç planet për vrasjet, atentatet dhe komunikimet, Alibeaj tregoi se grupi i tij përdorte makina me targa të vjedhura, të siguruara nga Alban Qerosi. Automjetet merreshin në zona si Shijaku dhe Durrësi.
Komunikimi bëhej përmes platformave të enkriptuara si Sky ECC dhe Encrochat, ku Alibej përdorte pseudonimet “LIZZ”, “KUMI” dhe “NOKU”.
Në fund, Alibej pranoi se financimi për veprimtarinë kriminale vinte edhe nga figura të tjera si Arjan Spahia dhe Fat Katnari, të lidhur me trafikun ndërkombëtar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.