Skema mashtruese on-line që preku mbi 20 mijë shqiptarë

Mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë dyshohet se kanë rënë pre e platformave mashtruese online si Xuex, Txex dhe Grokr, të cilat kanë operuar gjerësisht në dy vitet e fundit në vend.

28
Skema Mashtruese online
Credits: shteg.org - Skema Mashtruese online

Të dielën, më 14 shtator 2025, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e gjashtë personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, ndërsa ende nuk dihet sasia e saktë e parave që qytetarët kanë humbur në këto skema.

Të arrestuarit ishin agjentë në terren, të cilët promovonin dhe rekrutonin qytetarë për të investuar, por dyshohet se numri i tyre real është shumë më i madh.

Sipas ekspertëve, mbi 20 mijë persona kanë investuar në këto platforma, duke përdorur kriptovaluta përmes Binance ose duke dorëzuar paratë dorazi te “agjentët”.

Dëshmitë e siguruara nga “shteg.org” tregojnë përfshirjen e këtyre agjentëve që shfaqeshin si garantues për pagesat dhe reklamonin hapur aplikacionet, të cilat u përhapën lirshëm në gjithë vendin.

Rrëfimet e viktimave, ashtu si dhe analizat e ekspertëve, zbulojnë se platformat me emra të çuditshëm, Xuex, Txex dhe Grokr u shpërndanë në heshtje nëpër rrjete sociale, grupe Telegram-i dhe kafene periferike, derisa shndërruan Shqipërinë në një terren pjellor për mashtruesit digjitalë.

“Milionerë online”

Hamdiu*, i vetëpunësuar si operator turistik, vendosi të investonte 1 mijë euro pasi pa me sytë e tij njerëz që pretendonin fitime dhe njihte persona që garantonin pagesat. Agjentët shpërndanin informacione dhe mësonin “klientët” si të bëheshin “investitorë”.

Në qytete si Lushnje, Divjakë apo Lezhë madje kishte edhe lokale ku “garantohej fitimi” nga këto investime online.

“Hodha 1 mijë euro si fillim dhe duhej të ndiqja sinjalet, siç i quanin ata. Vinin dy herë në ditë, në orën 14:20 dhe në 19:20. Online shihja se paratë e mia po shtoheshin, por nuk arrita të tërheq asnjëherë asgjë,” – rrëfen Hamdiu për “shteg.org”.

Sipas të dhënave, këto platforma nisën të përhapen masivisht në fillim të vitit 2024. Besimi se “biznesi ishte kudo i reklamuar” e shtyu Hamdiun të investonte kursimet, edhe pse ajo që shihte ishte vetëm një projeksion online në telefonin e tij.

“Kishte lokale që reklamonin me postera këto aplikacione. Në Lushnje një vajzë merrte përsipër të mblidhte paratë, ndërsa në Divjakë ekzistonte një lokal ku lekët jepeshin dorazi. Në raste të tjera, ato kaloheshin nëpërmjet portofolave në Binance dhe më pas shkonin e thyenin kriptovalutat në Kosovë, ku është e ligjëruar,” – shton ai.

Platformat si Xuex, Txex dhe Grokr premtonin fitime të mëdha përmes investimeve në rrjete të dyshimta.

Ekspertët thonë se shifrat e rritjes ishin krejtësisht fiktive dhe manipuloheshin manualisht nga persona të caktuar, duke bërë qytetarët të besonin se po fitonin realisht.

“Personat e parë që investonin, rreth 5% e pjesëmarrësve, mund të merrnin përfitime. Por për të tërhequr paratë, duhej të sillje njerëz të tjerë ose të paguaje shuma shtesë. Kur skema arrin “pjekurinë”, kur nuk ka më rekrutime të reja dhe mungon likuiditeti, faqja zhduket,” – shpjegon eksperti i IT-së, Besnik Semanaj.

Një tjetër i ri, Eklenti* nga Tirana, rrëfen se arriti të fitonte 4 mijë euro brenda 45 ditëve në Xuex: “Dëgjova për Xeux-in nëpërmjet një shoku nga Divjaka. Më nisi linkun e aplikacionit, e shkarkova dhe u bëra pjesë. U futa fillimisht me 2 mijë euro dhe dola me 4 mijë euro pas 45 ditës. Më bënë pjesë të një grupi në telegram ku merrnin udhëzime .”

Ai pohon se arriti të tërhiqte paratë përmes Binance, por me një komision prej 5%.

Kur i tërhoqa paratë i kalova në Binancë dhe në platforma të tjera kripto. Nuk më kërkuan para shtesë vetëm më mbajtën 5% komision të shifrës që kisha fituar” – thotë ai.

Sipas ekspertëve, kjo mënyrë funksionimi përbënte një risk të dyfishtë, jo vetëm humbjen e parave, por edhe rrezikun e vjedhjes së të dhënave personale.

“Mënyra e funksionimit ishte shumë e thjeshtë, kishte një faqe internet, një pjesë funksionojnë dhe me aplikacione, por nuk lejohen as në Google Store, as në Apple Store, por të nisin thjeshtë një link dhe më pas, ti bëhesh pjesë e tyre, duke pasur dhe rrezikun e marrjes së të dhënave nga telefoni si viruse, shpjegon Besmir Semanaj, ekpert në IT.

Ushtria agjentëve

Agjente online
Credits: shteg.org – Agjente online

Në hyrje të qytetit të Lushnjës, tek rruga “Shëtitorja e Palmave”, sytë të shkonin menjëherë te një bar-restorant me emrin “La Bonta”. Në xhamin e derës kryesore kishin ngjitur dy postera që premtonin shumë. “Investim një herë = Përfitime të përjetshme” dhe “Projekt investimi afatgjatë, punë ekipore, shumë shpërblime”. Ishte reklama e një platforme të quajtur “Xuex”, e cila shumë shpejt do të rezultonte një skemë mashtruese piramidale.

Më 27 gusht 2025, agjentë të infiltruar shkuan në “La Bonta” dhe pyetën për reklamën. Ishte kamarieri Emanuel Taullau i cili me një qetësi të natyrshme, ai u shpjegoi se për t’u bërë pjesë e platformës duheshin minimumi 1000 dollarë.

“Platforma funksionon edhe në Telegram,” – tha ai, duke u dhënë agjentëve kontaktin e tij personal dhe duke përmendur edhe një figurë enigmatike, pronarin e lokalit, të njohur me pseudonimin “Profesori”.

Të nesërmen, Emanueli i prezantoi agjentët me kolegun e tij, Flavio Mukaj. Të dy ndihmuan në hapjen e llogarive në Binance dhe në grupet e Telegram-it, ndërsa pagesa e parë u krye aty për aty. Agjentët i dorëzuan Emanuelit 100 mijë lekë, që përmes llogarisë së tij u konvertuan në 1000 dollarë dhe u transferuan në “Xuex”. Çdo hap u regjistrua fshehtas nga policia.

Hetimet zbuluan se në qendër të skemës ishte Ereledio Shebekut, 35 vjeç. Ai menaxhonte grupe në Telegram, ku investitorët derdhnin shuma nga 1000 deri në 5000 dollarë. Për çdo investim, pjesëmarrësve u premtohej një fitim 1% në ditë, që mund të tërhiqej çdo 45 ditë, përmes transferimeve nga Binance në bankat shqiptare.

Në komunikim të vazhdueshëm me një person të identifikuar si “Leo Smith”, i dyshuar britanik, Shebeku drejtonte ritualet e përditshme të skemës.

Në orën 14:20 dhe 19:20, pjesëmarrësit duhej të bënin “like” në faqet që ai dërgonte, duke simuluar aktivitet online për të justifikuar “fitimet”.

Sipas dosjes hetimore në Divjakë janë rekrutuar rreth 580 persona, përfshirë punonjës institucionesh dhe banorë të zonës rurale. Disa prej tyre, si Brunilda Ndini, Medi Kajo, Fadil Balliu, Sokrat dhe Anila Lapi, Farie Maci, Evgjeni Kokoneshi, Brunilda Todi dhe Alban Noreci, jo vetëm investuan vetë, por futën edhe familjarët e tyre. Ata konsiderohen “menaxherët” e rrjetit, që siguronin zinxhirin e rekrutimeve dhe mbanin gjallë skemën piramidale.

Ata akuzohen se mashtronin qytetarët duke u premtuar fitime të shpejta, por të ndaluarit i mohuan akuzat, duke pretenduar se ishin vetëm përdorues të platformës dhe se veprimtaria e tyre ishte një “punë online”.

“Jemi njohur online dhe kemi vazhduar punën. S’kemi mashtruar askënd. Për të hyrë në skemë duhej investuar minimalisht 1000 dollarë. Ne kemi investuar fonde në kriptomonedhe të cilat më pas i kemi konvertuar në Kosovë”, thanë thënë ata, duke pretenduar se kanë qenë vetëm përdorues të kësaj platforme.

Hetimet zbuluan se skema funksiononte si rekrutim zinxhir: çdo agjent duhej të sillte të paktën pesë persona të rinj, të cilët më pas sillnin të tjerë, duke e zgjeruar skemën pafund. Udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në Telegram, nga një person i identifikuar si “Leo Smith”.

Në dokumente, Xuex figuron si produkt i EG Investment Group, e themeluar nga “Anthony Leo Smith” në vitin 2018, një identitet krejtësisht i rremë.

EG Invesment Group pretendon se është kompani që merret me fonde investimesh, ndërkohë reklamon se ka një saktësi prej 99.6% në rritjen e kapitalit dhe është prezantuar për herë të parë në treg në vitin 2022 si një risi e themeluar nga Nnty Jay, inxhinier softuerit që ka punuar për Uber.

Të dy personat e pretenduar si themelues nuk ekzistojnë, por janë profile të rreme për të afruar sa më shumë njerëz.

Xuex nuk mund të shkarkohet në Google Store, apo Apple Story, por vetëm nëpërmjet liqeve që të nisin agjentët që punojnë në terren nga këto kompani.

Grupe të tilla kishin miliona ndjekës ndërkohë Drejtoria e Krimit Kibernetik dhe Ekonomik në Policinë e Shtetit, njoftoi zyrtarisht nisjen e hetimeve për këtë skemë mashtruese më 28 gusht 2025.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në deklarata zyrtare thanë se kanë paralajmëruar qytetarët për rrezikun dhe se ke kanë bllokuar këto platforma.

Autoritetet nuk u përgjigjen pyetjeve të ngritura nga “shteg.org”, mbi numrin e viktimave të përfshira në këto skema si log-ues, agjentëve që reklamonin këto skema apo dhe sasinë e parave që kanë humbur shqiptarët në këto platforma.

Deputeti Erion Braçe deklaroi se vetëm në Divjakë ishin rreth 400 agjentë aktivë ndërsa Policia deklaroi se gjatë hetimit disa mujor të koduar “Xuex” u kryen 83 kontrolle personash dhe banesash në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh.

“Ka mbi 400 agjente terreni në atë grup! Nuk e kam fjalën për dikë që hyri atje bashkë me familjarë; por ata që mbanin grupe me 50,100 anëtarë e që në Divjakë i njohin të gjithë” – shkruan në rrjetin e tij social deputeti duke ftuar qytetarët të denoncojnë në polici të gjitha rastet e përhapjes së këtyre skemave mashtruese.

Policia sekuestroi 50 celularë, 11 kompjuterë, hard-disqe, DVR, një makinë dhe shuma të konsiderueshme parash. Për llogari të hetimit, autoritetet shqiptare bllokuan 6 llogari të kriptomonedhave.

Kriptovalutat sipas ekspertëve kanë qenë thjeshtë instrumenti që janë përdorur nga këto aplikacione për të realizuar skemën e mashtrimit.

“Kam qenë dhe vetë në terren në Lushnjë, në Divjakë dhe kam parë që shumica e këtyre aplikacioneve kanë dhe persona në terren që merren direkt me një punë të tillë. Pra, janë agjentët që orientojnë njerëzit të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e këtyre skemave”, thotë Denisa Kele, investitor dhe trajnuese për kriptovalutat.

Ndërkohë, policia thotë se po vijon hetimet për gjetjen e organizatorët e këtij aktiviteti kriminal por sipas ekpertëve identifikimi i personave si organizatorë të skemës është shumë i vështirë.

“Ka një problem për ti gjetur, pasi nuk e dimë kush e ka krijuar, ku është hostuar, ku shkojnë paratë, sepse kanë përdorur kriptovaluta. Pra qytetarët kanë blerë kriptovaluta në faqe të rregullta i kanë kaluar në protofolet tek personat në fjalë” – shpjegon Semenaj.

Zaho Toska
+ posts

Gazetar dhe bashkëpunëtor në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.