Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në gjykatë për dërgimin në gjyq të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv në dy raste të lidhura me aferat e inceneratorëve në Shqipëri.
Në një njoftim të SPAK, bëhet e ditur se Bllako, në periudhën kur mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ka përfituar shuma të konsiderueshme monetare për interesa private, duke abuzuar me pozitat e tij publike.
Sipas hetimeve, ish-deputeti ka përfituar 119,715 euro dhe 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin, një nga personat e përfshirë në këtë skandal, gjatë periudhës kur po përgatitej kontrata koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorëve në Tiranë.
Hetimi ka zbuluar se Alqi Bllako ka propozuar që Vladimir Bezhani të emërohej këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ndihmonte në hartimin e dokumentacionit për propozimin e pa kërkuar të shoqërisë “Integrated Technology Services”, e cila u angazhua në projektin e inceneratorit të Tiranës.
Në përpjekjet e tij për të përfituar pasuri personale, Bllako ka kërkuar që Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, sipas prokurorisë “pronarët de facto të shoqërisë koncesionare të inceneratorëve”, të siguronin një pagesë për Bezhanin, i cili më vonë është paguar përmes një kontrate të dyshimtë.
Përveç kësaj, Bllako akuzohet se ka ndërhyrë në mënyrë të parregullt për të siguruar një kontratë për blerjen e një makinerie për aktivitetin tregtar të babait të tij në qytetin e Ersekës, duke përfituar një shumë prej 119,715 euro.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe deputet i PS-së, Alqi Bllako, është dënuar nga gjykata edhe për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit.
Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org