Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një prej rasteve më të mëdha të mashtrimit ekonomik në Shqipëri dhe ka dërguar për gjykim një grup të strukturuar kriminal të përbërë nga 16 individë dhe 4 subjekte juridike, të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Hetimi i nisur fillimisht nga Prokuroria e Tiranës në fillim të dhjetorit 2023 dhe i deleguar më pas SPAK-ut, ka zbuluar një skemë mashtruese që prej vitit 2015 ka zhytur në borxhe dhe presion psikologjik mbi 17 mijë qytetarë shqiptarë. Grupi akuzohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme të paktën 36.8 milionë euro dhe rreth 1700 prona të paluajtshme, përmes mashtrimit, rifinancimeve të dyshimta të kredive të këqija dhe shantazhit ndaj debitorëve dhe familjarëve të tyre.
Sipas SPAK, grupi kishte ngritur një sistem të mirorganizuar që operonte për më shumë se nëntë vite, me synimin e pasurimit të paligjshëm përmes institucioneve financiare jo bankare si “Micro Credit Albania” sh.p.k, “Final” sh.p.k, “ADCA” sh.p.k dhe Zyra e Përmbarimit Privat “TDR Group”.
Këto shoqëri vepronin si një entitet i vetëm, ndanin zyrat, sistemet kompjuterike dhe stafin, duke i lëvizur punonjësit mes njëra-tjetrës për të realizuar një skemë të mirëfilltë zhvatjeje financiare.
Në krye të skemës akuzohet Arben Meskuti, i konsideruar organizator dhe drejtues i grupit, së bashku me dhjetëra bashkëpunëtorë që ushtronin funksione të ndryshme për zbatimin e skemës kriminale. Qytetarët në vështirësi ekonomike hynin në skema të rifinancimit me kushte shkatërruese, që i ekspozonin ndaj interesave deri në 2% në ditë, kërcënimeve të vazhdueshme dhe humbjes së pronës për borxhe të vogla.
Hetimet kanë dokumentuar bllokimin e mijëra llogarive bankare në mënyrë të paligjshme, sekuestrimin e pasurive të qytetarëve në ankande fiktive dhe transferimin e tyre te kompanitë e sipërpërmendura. Presioni ushtrohej edhe mbi familjarët, përmes keqpërdorimit të të dhënave personale, shantazheve telefonike dhe ristrukturimeve të simuluara që transferonin detyrimin financiar tek persona të tjerë të familjes, pa lidhje me kredinë fillestare.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro në llogari bankare, depozita, bono thesari dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme që lidhen me të pandehurit dhe shoqëritë e përfshira.
Skandali i mikrokredive ka përfshirë edhe institucionin më të lartë financiar të vendit, Bankën e Shqipërisë. Një hetim i mëparshëm i Prokurorisë së Tiranës vlerësoi se ky institucion ka dështuar në marrjen e masave të shpejta dhe të përshtatshme për të frenuar përhapjen e skemës mashtruese, duke ngjallur reagime të forta publike dhe politike.
Në dritën e këtij skandali, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një nismë ligjore për “Marrëveshjet e Kredisë Konsumatore”, e iniciuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Projektligji synon të vendosë rregulla të qarta për transparencën e kushteve të kredive, të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të kufizojë praktikat abuzive që kanë qenë të pranishme në tregun e mikrokredive.
“Ky ligj synon të rrisë transparencën, të fuqizojë të drejtat e konsumatorëve dhe të minimizojë praktikat abuzive, duke krijuar një mjedis më të sigurt për marrjen e mikrokredive,” u shpreh Tabaku.
Ajo përmend si elemente kyçe ndalimin e reklamave mashtruese për kreditë, detyrimin e kompanive për të rivlerësuar aftësinë paguese të konsumatorëve dhe vendosjen e standardeve të detajuara për informimin e qytetarëve mbi të gjitha kostot dhe të drejtat e tyre.
Një ndër skemat më të sofistikuara dhe afatgjata të mashtrimit financiar në Shqipëri është zbuluar dhe dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Pas hetimeve të thelluara, SPAK ka përfunduar procedimin penal nr. 244/2024, duke çuar për gjykim 16 individë dhe 4 subjekte juridike të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që mashtronte qytetarët përmes skemave të mikrokredive dhe mbledhjes së detyrimeve në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas SPAK, aktiviteti kriminal i këtij grupi ka funksionuar për më shumë se 9 vite, duke u përqendruar kryesisht te qytetarë në vështirësi ekonomike. Skema përfshinte aplikimin e interesave abuzive, përdorimin e ankandeve fiktive dhe presion të vazhdueshëm psikologjik, si dhe shkeljen flagrante të të drejtave të individëve dhe familjarëve të tyre.
Grupi kriminal kishte ngritur një sistem të mirorganizuar, në dukje si shoqëri legale për mbledhjen e kredive të këqija, por në thelb kishte për qëllim përfitimin financiar të paligjshëm në kurriz të qytetarëve të pambrojtur.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.