Prokuroria e Posaçme njoftoi të hënën se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të grupit kriminal i cili dyshohet se vepronte në Francë.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet franceze është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave, shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm në fushën e narkotikëve.
Ky grup ishte i vendosur në qarkun e Lionit të Francës dhe, sipas SPAK, hetimet kanë vërtetuar se kryente dërgesa thuajse ditore të lëndëve narkotike në grupet e shitjes në disa qarqe të tjera të Francës. Konkretisht në Rhone, Ain, Svojë dhe Savojë e Sipërme.
Hetimet kanë identifikuar si drejtues të këtij grupi kriminal Redian alias Refik Doda dhe Zabit alias Artur Fisniku, ndaj të cilëve rëndojnë disa akuza për konsumimin e disa veprave penale.
Redian Doda akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Sipas kodit penal shqiptar, nëse kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet.
Akuza e dytë që rëndon mbi Dodën është edhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, që dënohet nga legjislacioni shqiptar me burgim nga 5 deri në 10 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë.
Gjithashu, Redian alias Refik Doda akuzohet edhe për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal në rolin e drejtuesit. Në Kodin Penal shqiptar përcaktohet se krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kryerjen e veprave penale dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 17 dhjetor 2024, Doda i ka paraqitur Gjykatës kërkesën për të zëvendësuar masën e sigurimit “arrest me burg” më 13 dhjetor të këtij viti, por kjo kërkesë u rrëzua si e pabazuar në ligj dhe në prova nga GJKKO-ja.
Ndaj Zabit alias Artur Fisnikut, rëndon akuza e trafikimit të lëndëve narkotike më shumë se një herë, dhe ajo e grupit të strukturuar kriminal, kryer në formën e drejtim, ndërkohë që Fabi Isaku akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe për veprën penale “grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, që dënohet nga shteti shqiptar me burgim nga 2 deri në 5 vjet.
Sipas hetimeve të kryera, bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe të gjykuar në Francë kanë pasur rolin e ndihmësve në veprimtarinë e grupit kriminal të drejtuar nga Redian Doda dhe Zabit Fisniku.
Të pandehurit, Redian Doda, njohur ndryshe si Refik Doda, Zabit Fisniku alias Artur Fisniku dhe Fabi Isaku u arrestuan në korrik të 2024, në Shqipëri për llogari të autoriteteve franceze.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.