Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në GJKKO dosjen për ish-kryetarin Jorgo Goro dhe dy ish-drejtorëve, Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi të Bashkisë Himarë. Ndaj tyre rëndon akuza për “Shpërdorim detyre” për tjetërsimin e 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Himarës.
Sipas SPAK, Goro ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar dëm ndaj disa banorëve të Himarës në lidhje me procesin e trajtimit të pronave bujqësore.
Në këtë çështje janë të përfshirë edhe dy ish-drejtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi, të cilët po ashtu akuzohen për të njëjtën vepër penale “shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, ish-kryetari i bashkisë dhe ish-drejtorët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin gjatë procesit të dhënies së pronësisë mbi tokën bujqësore, duke shkelur aktet ligjore dhe vendimet e qeverisë që rregullojnë këtë proces.
SPAK kërkon që Gjykata e Posaçme të nisë procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, baziar në nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimi ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Himarës ka nisur në vitin 2024, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe rivali politik i Goros.
SPAK, duke u mbështetur edhe në raportet e KLSH, ka zbuluar shkelje të mundshme dhe ka nisur hetime të mëtejshme për ndërtimin e një resorti në Himarë, ku dyshohet se janë bërë abuzime financiare.
Një nga akuzat më të rënda ndaj Goros është falsifikimi i dokumenteve për të përfituar pasuri në emër të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka, ndërsa nga hetimi është zbuluar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë disa vartës të tij në administratën lokale, kanë manipuluar dokumente dhe i kanë dërguar ato për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) të Vlorës. Kjo ka mundësuar regjistrimin e pronave bujqësore që i përkisnin shtetit në emër të subjekteve private, duke shkaktuar abuzime të rënda me pasurinë publike.
Prej marsit të vitit 2024 Goro gjendet në burg pasi akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.