SPAK ka dhënë sot (13 shkurt) pretencën për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, duke kërkuar dënimin e tij me 3 vite burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Dënimin me 3 vite burg u kërkuar edhe për ish-zyrtarin Jerasimo Bashom ndërsa për juristin Vezir Gjikoka, 2 vite heqje lirie.
Organi i akuzës ka kërkuar edhe konfiskimin e sipërfaqeve të tokave të sekuestruara, përfshirë apartamentin e Goros.
Një tjetër kërkesë e prokurorisë është konfiskimi i 10 mijë metrave katrorë tokë në plazhin e Gjipesë, që ishin planifikuar për investime strategjike.
Hetimet për këtë çështje u mbyllën më 7 shkurt dhe dosja u dërgua në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në seancën e sotme, e cila u zhvillua në mungesë të Goros, Prokuroria u përfaqësua nga prokurori Ols Dado.
Hetimet kanë zbuluar përfshirjen e tij në një skemë të dyshuar për tjetërsimin e pronave shtetërore në favor të privatëve. Në dy raste të dokumentuara, ai ka lehtësuar regjistrimin e tokave bujqësore me dokumente të falsifikuara, duke i kaluar ato fillimisht te persona të tretë dhe më pas te kompani private, përfshirë një shoqëri ku përfaqësues është ish-deputeti Artan Gaçi.
Në qendër të hetimeve është një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë në plazhin e Gjipesë, e sekuestruar tashmë nga GJKKO.
Hetimi ndaj Goros nisi në vitin 2024, pas një kallëzimi nga Fredi Beleri, kundërshtari i tij politik dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili ndërkohë ndodhej në paraburgim për akuzën e shitblerjes së votave. Kallëzimi i Belerit ngriti dyshime për abuzime me dhënien e lejeve të ndërtimit dhe menaxhimin e pronave në zonën bregdetare.
SPAK, duke u mbështetur edhe në auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar shkelje të shumta, përfshirë falsifikimin e dokumenteve për kalimin e pronave në emër të privatëve. Një nga çështjet më të nxehta është lidhja e tij me tjetërsimin e një prone në favor të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka, ku dyshohet se janë manipuluar dokumentet për të përfituar statusin e investitorit strategjik.
Prej marsit 2024, Jorgo Goro ndodhet në burg, ndërsa pasuritë e tij, përfshirë një apartament, janë sekuestruar nga autoritetet. Procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-zyrtarëve të tjerë të Bashkisë Himarë pritet të përmbyllet në javët e ardhshme.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.