Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni.
Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, për procedurat e ndjekura në dhënien e një leje ndërtimi për një pallat në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Në pretencën e mbajtur nga prokurori i çështjes Sotir Kllapi, u kërkua të shpallej fajtor edhe Fatmir Ejupi, topograf inxhinier, me akuzën për falsifikim stampash dhe dokumentesh. Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg për të dhe administratorin e kompanisë që përfitoi lejen e ndërtimit, Fiqiri Farrukun. Por për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës së Farrukut prokuroria kërkoi pezullimin. Masë lehtësuese, shërbim prove për kohën e mbetur u kërkuar nga prokurori për Ardian Bulkun.
Hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe personave të tjerë zyrtarë të bashkisë nisën në 2020 për akuzën shpërdorim detyre.
Dako dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë Durrës ju vendosën nën hetim dy fakte penale:
Procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë dhe procedura e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me fond limit 21.000.000 lekë me T.V.SH.
Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se, gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës Nr.02 datë 28 Shtator 2011 në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të parashikuara nga Ligji Nr.8652, datë 31 korrik 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe Ligji Nr. 10 119 datë 23 Prill 2009 “Për planifikimin e territorit” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.
Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.
Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës.
Së dyti, në lidhje me faktin e dytë të hetuar ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe të gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.
Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.
Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.
Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,20 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.
Vangjush Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.