Gjatë ditës së sotme, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi dënimin e Bllakos me 5 vite burg për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Sipas SPAK, në vitin 2017, midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k u lidh një kontratë për ndërtimin e landfillit, inceneratorit, rehabilitimin dhe vend-depozitimin ekzistues të mbetjeve në Tiranë.
Bllako akuzohet nga prokuroria për korrupsion pasiv në dy raste në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Një nga rastet për të cilat SPAK e akuzon ish-deputetin lidhet me propozimin që ai i ka bërë Vladimir Bezhanit për të vazhduar detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për të ndihmuar me konsulencë ligjore gjatë kohës kur ishte ideuar projekti i koncesionit. Sipas akuzës, Bllako i ka kërkuar aksionerit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, Klodian Zoto, të sigurojë përfitim të parregullt për Bezhanin duke e punësuar atë fiktivisht në shoqëri dhe duke i mundësuar përfitimin e një shume prej 7.5 milionë lekësh.
Gjithashtu, Bllako akuzohet për përfitimin e një vlere monetare prej 119,715 eurosh në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët dyshohet se janë pronarët de facto të shoqërisë koncesionare. Kjo shumë dyshohet se është përdorur për blerjen e një pajisjeje për fabrikën e birrës së babait të tij në Ersekë.
Gjatë seancës, Alqi Bllako deklaroi se ishte i pafajshëm dhe se nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit tek kompania e Klodian Zotos.
“Kam respekt dhe vlerësoj punën tuaj, por deklarohem i pafajshëm. Unë, si sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, s’kam pasur asnjë rol për dhënien e koncesionit”
Alqi Bllako
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e tij me 5 vite burg dhe ndalimin për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.
Avokatët e Bllakos mbrojtën qëndrimin se ai është i pafajshëm, duke argumentuar se ideja për ndërtimin e inceneratorit është dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe se Bllako ka kryer vetëm detyrat administrative të funksionit të tij.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se Alqi Bllako ka firmosur vetëm shkresa të cilat i janë përcjellë nga institucionet përgjegjëse dhe se ai nuk ka qenë pjesëmarrës në mbledhjet vendimmarrëse për dhënien e koncesionit. Avokatët pohuan se ai nuk ka përfituar para nga kjo çështje dhe se nuk ka qenë anëtar i komisionit për koncesionin.
Sipas mbrojtjes, familja e të pandehurit ka ndihmuar një kompani të Klodian Zotos për të testuar pajisjen për gazimin e pijeve, por nuk ka pasur përfitime të paligjshme.
Në deklaratat e tij gjatë seancës, Bllako theksoi se nuk ka plotësuar asnjë nga kriteret ligjore për t’u akuzuar për korrupsion pasiv dhe se organi i akuzës nuk ka arritur të provojë ndonjë shkelje ligjore nga ana e tij.
Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014, kur qeverisja “Rama” shpalli një emergjencë mjedisore, duke justifikuar kështu dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Më vonë, të njëjtat kompani përfituan edhe koncesionet për ndërtimin e inceneratorëve në Fier dhe Tiranë, ndërkohë që ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë gjetur fajtorë për përfshirjen në këto afera.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.