SPAK kërkon dënimin me 5 vite burg për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako

Akuzat ndaj Bllakos janë pjesë e një hetimi më të gjerë për aferën e inceneratorëve. Në këtë çështje, SPAK ka kërkuar gjithashtu deklarimin fajtor të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe një dyzinë funksionarësh shetëror.

506
Inceneratorët
Credits: ExitNews

SPAK kërkoi deklarimin fajtor të ish-deputetit socialist Alqi Bllako për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë“, lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës, duke kërkuar gjithashtu dënimin e tij me 5 vjet burg. Dënimi pritet të ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke mbetur kështu 3 vjet e 4 muaj. Po ashtu nga prokuroria është kërkuar një dënim plotësues për të mos ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Akuzat ndaj Bllakos lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit në Tiranë. Prokuroria pretendon se Bllako, në kohën kur ishte deputet dhe një nga përgjegjësit për sektorin e mjedisit, ka kërkuar dhe siguruar përfitime të paligjshme për disa individë të lidhur me projektin.

Sipas hetimeve, Bllako ka propozuar që Vladimir Bezhani të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë procedurës së dhënies së koncesionit për ndërtimin e inceneratorëve. Për këtë shërbim, Bllako akuzohet se ka kërkuar përfitim të parregullt nga Klodian Zoto, aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV”. Bllako kërkoi që Bezhani të punësohej fiktivisht në shoqërinë “Integrated Technology Services” dhe të merrte një shumë prej 7.5 milionë lekësh për këtë shërbim.

Gjithashtu, prokuroria thotë se Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë një shumë prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.

Si pasojë e ndërprerjes as mbrojtja e Bllakos dhe as vetë ish-deputeti i PS, nuk mundën të flisnin ditën e sotme përpara gjykatës.

Seanca e radhës në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako do të zhvillohet më 7 mars, në të cilën parashikohet të bëhet mbrojtja nga ana e avokatëve.

Akuzat ndaj Bllakos janë pjesë e një hetimi më të gjerë për aferën e inceneratorëve. Në këtë çështje, SPAK ka kërkuar gjithashtu deklarimin fajtor të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të tjerë funksionarë të përfshirë, si dhe dënimin e tyre me burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.

Ky proces ka lidhje me një serë vendimesh dhe kontratash të dyshimta lidhur me ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, që janë akuzuar për abuzime financiare dhe shpërdorim të fondeve publike.

Skandali i inceneratorëve ka nisur në vitin 2014, kur qeveria “Rama” shpalli një emergjencë mjedisore që shërbeu si bazë për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Pas këtij vendimi, të njëjtat kompani morën edhe koncesionet për ndërtimin e inceneratorëve në Fier dhe Tiranë. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë shpallur fajtorë për menaxhimin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit. Vendimi për inceneratorin e Elbasanit ka marrë formë të prerë, ndërsa çështja e Fierit është dërguar për rigjykim nga Apeli i Posaçëm.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.