Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka paraqitur sot pretencën për dosjen e dytë penale ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Organi i akuzës kërkon dënimin e tij me dy vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 1 vit e 4 muaj.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre, vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Livadh, në Bashkinë e Himarës, e cila përfundoi në pronësi të Arqile Bollanos, i komanduar dikur në krye të Bashkisë Himarë.
Pjesë e të njëjtës çështje është edhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i tokës dhe menaxhimit të pronës pranë Bashkisë Himarë. Për të, Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg, që reduktohet në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hetimet për këtë rast nisën pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi të Arqile Bollanos.
Kjo nuk është çështja e vetme penale ndaj Jorgo Goros. Që prej marsit 2024, ai ndodhet në burg, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, ka falsifikuar dokumente për të kaluar sipërfaqe të konsiderueshme të tokës shtetërore në pronësi të privatëve. Sipas SPAK, këto prona përfunduan në zotërim të një shoqërie të lidhur me Artan Gaçin, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka përfituar më pas statusin e investitorit strategjik.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.