SPAK i drejtoi Gjykatës së Posaçme (GJKKO) kërkesën për vendosjen e konfiskimit të 35 pasurive në pronësi të Ervis Martinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në këto pasuri, të cilat nëse kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pranohet do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar, përfshihen 10 kompani të ndryshme, 5 automjete, 1 vilë, 2 apartamente, një llogari bankare në emër të një shtetasi tjetër me vlerën e 1.8 milionë lekëve, si dhe 16 pasuri të tjera të tipit “truall”, “njësi” dhe “ullishte”.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se këto pasuri, të sekuestruara më parë, janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë janë prezumuar se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me të.
Ervis Martinaj dyshohet për kryerjen e disa veprave penale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në bashkëpunim me një grup kriminal në dëm të Indrit Dokle. Sipas ligjit shqiptare, kjo vepër penale dënohet me deri në 5 vjet burg.
Gjithashtu, Martinaj dyshohet se ka kryer veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal”, që dënohet me 2 deri në 5 vite burg, si dhe për “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale” kjo e fundit, sipas Kodit Penal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, që i shtohen veprës penale të kryer.
“Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”- saktësohet në Kodin Penal Shqiptar.
Martinaj u dënua në prill të vitit 2021 nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 8 muaj burg për organizim të lojrave të fatit, fshehje dhe falsifikim të të ardhurave dhe sigurim të kushteve të vrasjes.
Ai u shpall në kërkim prej SPAK-ut më Maj të vitit 2022 pas operacionit “Golden Bullet” që bazohej në dëshmitë e një të pandehuri që kishte pranuar se kishte marrë porosi për krime nga Martinaj, megjithatë deri më tani ai rezulton i zhdukur.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.