SPAK me qëndrime të ndara për Bexhdilin në çështjen “Jan Prenga”

Prokurorët me qëndrime të kundërta për përfshirjen e kopshtarit në rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës. Vetë i pandehuri mohon akuzat dhe kërkon drejtësi.

176
Festim Bexhdili
Credits: shteg.org - Festim Bexhdili

Në Gjykatën e Apelit u zhvillua sot seanca e radhës ndaj Festim Bexhdilit, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhvendosjen e trupit të Jan Prengës. Bexhdili, punonjës mirëmbajtjeje në resortin “Golden” në pronësi të kushëririt të tij Altin Hajri, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë, vendim që prokurorja Elida Kaçkini kërkoi të mbetet në fuqi, duke e konsideruar atë si pjesë aktive të grupit kriminal.

Sipas Kaçkinit, veprimet dhe lëvizjet e Bexhdilit në ditën kritike, të dokumentuara me pamje filmike, tregojnë njohuri të plotë për planin dhe përfshirje direkte në zhvendosjen e trupit të viktimës.

“Ne vlerësojmë që vendimi i GJKKO, i dhënë për Festim Bexhdilin, duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhe prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre. I pandehuri, ditën e ngjarjes, ka pasur një vendndodhje të ndryshme nga kompleksi deri të paktën në orën 10:57, ku ka hyrë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim të një garazhi, më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. Altin Hajri shfaqet në 11:27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve.” – tha Kaçkini.

Ajo theksoi mungesën e pendesës nga ana e të pandehurit dhe kërkoi konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm si të mbështetur në prova ligjore.

“Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen. Në tërësinë e provave, ne vlerësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve, ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues.” – tha prokuroria.

Megjithatë, prokurori tjetër i çështjes, Behar Dibra, kërkoi rikualifikim të akuzës dhe një dënim më të ulët – 20 vite burg – duke e përjashtuar Bexhdilin nga bashkëpunimi në kuadër të grupit kriminal. Sipas tij, mungojnë provat që e lidhin Bexhdilin me autorët kryesorë të rrëmbimit dhe ai ka vepruar nën presion dhe frikë, në rolin e një punonjësi të zakonshëm që gjendej rastësisht në vendin e ngjarjes.

“Fakti është që vepra penale ‘mbajtja peng e Jan Prengës’ është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli nga një i pandehur tjetër që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve të tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj. Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirrnin Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Në automjetin ku u fut trupi hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë, dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di.” – tha Dibra.

Vetë Festim Bexhdili deklaroi se ka qenë i pafajshëm dhe veprimet e tij kanë qenë rezultat i frikës. 

“Jam dakord me çfarë kam thënë në shkallë të parë. Nuk jam dakord as me pengmarrjen, as me vrasjen. Kam qenë aty, nga frika kam marrë trupin. Kushdo të ishte ashtu do bënte. Jam hallexhi, isha në punë, u gjenda aty. Ishalla bëhet drejtësi.” – tha ai.

Avokati mbrojtës, Ilir Murati, kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke theksuar mungesën e provave direkte dhe qëndrimin e dyzuar të prokurorisë. “Vetëm sepse ishte aty, nuk do të thotë që është bashkëpunëtor. Gjykata e Lartë e ka prishur njëherë këtë vendim dhe sërish nuk kemi prova të reja për përfshirjen e tij”, u shpreh avokati.

Gjykata e Apelit pritet të shpallë vendimin më 25 korrik 2025. Festim Bexhdili u arrestua më 27 janar 2020, i fshehur në banesën e tezes së tij.

Sipas dosjes hetimore, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz si hakmarrje për një sasi droge të humbur në Angli, ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë vëllai i tij. Viktima humbi jetën gjatë rrugës për në resortin e Altin Hajrit në Shijak. Deri më sot, trupi i Jan Prengës nuk është gjetur. Në lidhje me këtë çështje, vetëm Festim Bexhdili dhe Olsi Turja janë përballur fizikisht me drejtësinë shqiptare.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.