Jurgis Çyrbja, deputeti i Partisë Socialiste i Qarkut të Durrësit është marrë i pandehur pas akuzave që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij për veprat penale që dyshohet se janë kryer gjatë kohës që ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Kadastrës në qytetin bregdetar.
Prokurorët kanë dyshime, Çyrbja ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.
Fillimisht, më datë 8 Tetor 2024, deputeti i Partisë Socialiste u mor në pyetje nga prokurorët dhe 24 orë më vonë ai njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit. Çyrbja tha se dorëheqja e tij nga mandati i deputetit vinte për shkak të problemeve shëndetësore, por një ditë më pas, mëngjesin e së premtes me 11 tetor, ai u paraqit sërish para prokurorëve.
Pas vetëm 30 minutave qëndrim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, doli prej saj si person i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Në kufijtë e kalimit të afateve hetimore, prokurori Dritan Prençi kërkoi marrjen të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” të deputetit. Edhe pse Çyrbja ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen, ka ende imunitet parlamentar, pasi duhet të mblidhet këshilli i mandateve në Parlament dhe të bëhet miratimi dhe më pas dërgimi në KQZ i vendimit të dorëheqjes dhe vakancës së krijuar për zëvendësimin e tij.
Hetimet ndaj deputetit socialist të Qarkut të Durrësit duket se kanë nisur që në vitin 2021, kur Partia Demokratike dorëzoi në SPAK një kallëzim ndaj një grupi zyrtarësh lokal të Durrësit.
Emri i Çyrbes nuk është në listën e të denoncuarve drejtpërdrejtë, por SPAK dyshon se ai në cilësinë e ish-kreut të Kadastrës Durrës është përfshirë në dhënien e lejeve të legalizimit në mënyrë të paligjshme në disa raste.
Jurgis Çyrbja nuk ka bërë asnjë koment për akuzat e ngritura ndaj tij, ndërkohë që është deputeti i tretë i Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit që po përballet me drejtësinë në mandatin e tretët qeverisës së kësaj force politike.
Në shtator të vitit 2021, ishte ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka që nuk pranoi marrjen e mandatit të deputetit, dhe pse ai u shpall fitues në zgjedhjet parlamentare. Pak muaj më vonë ai u arrestua me urdhër të SPAK si i dyshuar për aferën e inceneratorëve. Koka është i dënuar për inceneratorin e Elbasanit me pesë vite e tetë muaj, ndërsa për inceneratorin e Fierit ka marrë dënimin me 6 vite e tetë muaj nga Gjykata e Posaçme.
Po ashtu deputeti tjetër i qarkut Durrës, Rrahman Rraja dha dorëheqjen më 8 korrik të vitit 2023. Dorëheqja e tij erdhi pas përfshirjes së djalit, vëllezërve dhe nipave të tij në dhunën ndaj dy banorëve të Krujës të cilët kishin denoncuar se nga shpërthimet e gurores në administrim të vëllezërve Rraja, u ishin dëmtuar banesat. Po ashtu pasuritë e deputetit Rraja janë në proces hetimi, pasi dyshohet se një pjesë e tyre mund të jetë vendosur nga aktivitetet të paligjshme, brenda dhe jashtë vendit.
Tashmë listës së deputetëve të dorëhequr për shkak të problemeve më drejtësinë i shtohet edhe Jurgis Çyrbja.
Ish drejtori i kadastrës së Qarkut të Durrësit nuk është emër i panjohur më parë për drejtësinë. Ai del përciptas i përmendur në komunikimet e dosjes 339 të hetuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku si personazhe kryesorë kishte ish-kreun e Bashkisë Durrës Vangjush Dakon dhe i dënuari për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Astrit Avdyli.
Gjithashtu Jurgis Çyrbja është marrë në pyetje në lidhje me hetimin e çështjes penale në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe grupit të tij, mbi procedurat e ndjekura si kreu i Kadastrës Durrës, për kalimin e pronësisë së ish-hotel Vollga tek Shullazi.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.