Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka miratuar një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Ky plan bazohet në një urdhër të datës 24 janar 2025, të lëshuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, duke iu referuar legjislacionit penal dhe procedural në fuqi. Gjithashtu, ai zbatohet në kuadër të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, një dokument i cili ende nuk është bërë publik.
Hetimet do të përqendrohen në korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje, si dhe në çdo vepër penale të lidhur me krimet zgjedhore, përfshirë ato të kryera nga organizatat kriminale apo zyrtarët e nivelit të lartë. SPAK ka parashikuar ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i përbërë nga një strukturë qendrore dhe grupe hetimore në terren, që do të operojnë në të 61 bashkitë dhe 12 qarqet e vendit. Struktura qendrore do të drejtohet nga Altin Dumani dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.
Megjithatë, ekspertët dhe politologët kanë shprehur skepticizëm mbi efektivitetin e këtij plani. Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, thekson se këto masa mund të mos kenë ndikim të madh në parandalimin e krimeve zgjedhore, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e grupeve kriminale dhe financimet in-formale në fushatat elektorale.
Sipas tij, institucionet nuk kanë vullnet të mjaftueshëm për të bashkëpunuar në parandalimin e manipulimeve zgjedhore, pasi shumë aktorë politikë janë vetë të përfshirë në këto praktika.
“Për sa kohë forca kryesore politike dhe aktorët kryesorë politik në Shqipëri duan të manipulojnë zgjedhjet, duan të përdorin çdo formë për të fituar zgjedhjet, institucionet nuk mund të kenë sjellje kontrolluese dhe gjykuese ndaj institucioneve që i kanë zgjedhur. Kështu që institucionet ekzekutive nuk mendoj që do t’i përgjigjen kësaj lloj strategjie. Madje dhe Policia e Shtetit ka treguar së fundmi disa sjellje të politizimit të ndikimit të politizimit, gjë që shkon kundër strategjisë së SPAK dhe nuk mund të jetë një burim kaq shumë i besueshëm në denoncimin e krimeve” – shpjegon Afrim Krasniqi.
Përdorimi i Diasporës

Një tjetër shqetësim i ngritur është zhvendosja e fushatës zgjedhore në Diasporë, ku SPAK nuk ka juridiksion për të hetuar dhe ndërhyrë. Krasniqi argumenton se nuk ka asnjë mekanizëm për të verifikuar burimet e financimit dhe ndikimet politike që mund të vijnë nga Diaspora.
“Po shohim që fushatat elektorale po zhvendoset në Diasporë dhe Prokuroria e Posaçme nuk ka autoritet, as verifikimi, as hetimi, as parandalimi dhe as gjykimi në lidhje me krimet zgjedhore që mund të ndodhin në Diasporë. Kush janë ata krime në lidhje me burimet in-formale? Kush paguan para dhe për çfarë? Kush janë individët të cilët sponsorizojnë partitë politike dhe kandidatët që nxisin dhe sigurojnë vend dhe mandatet të sigurta në listën e kandidatëve? Kush janë ndikimet dhe përfitimet e tyre? Kush janë efektet që dhe ata do të kenë në qeverisjen e nesërme të Shqipërisë?
Dy elementët kryesore të SPAK-ut, që lidheshin sidomos me financat elektorale në rolin e krimit në zgjedhje, mund të jenë dhe dy pikat e dobëta të këtij sistemi, të këtij procesi zgjedhor dhe të kësaj strategjie. Që do të thotë, mundësia e aplikimit brenda Shqipërisë dhe kufizimi që ka, e më pas pamundësia e verifikimit jashtë Shqipërisë dhe problematikat që krijohen” – shpjegon Krasniqi.
Po ashtu, edhe Arjan Dyrmishi ndan të njëjtin shqetësim, duke theksuar se shteti shqiptar nuk mund të hetojë krimet zgjedhore të ndodhura jashtë vendit, pasi ato janë nën juridiksionin e shtetit pritës.
“Për të parë mirëfunksionimin e këtij plani hetimor nuk kemi eksperienca të mëparshme nëse në Diasporë mund të ndodhë zhvillimi i një krimi zgjedhor. Edhe në rastet e zhvillimit, krimi i kryer është përgjegjësi e shtetit tjetër jo i Shqipërisë. E mira do të ishte verifikimi përpara zhvillimit të zgjedhjeve për të marrë masat e parandalimit të ndonjë metode që mund të përdoret për kryerjen e krimit zgjedhor” – tha për “shteg.org”, eksperti i sigurisë kombëtare, duke e konsideruar nismën e SPAK si pozitive.
Nga ana tjetër, Arlind Qori, përfaqësues i Lëvizjes BASHKË, sugjeron që SPAK të mbikëqyrë me kujdes procesin e regjistrimit të votuesve të Diasporës dhe të monitorojë votën me postë. Ai gjithashtu shpreh shqetësimin se Prokuroria e Posaçme nuk do të përfshijë në hetimet e tij financimin e paligjshëm të partive politike, një faktor kyç që ndikon në kapjen e shtetit dhe çon në korrupsion pas-zgjedhor.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave, SPAK ka parashikuar krijimin e një platforme të posaçme për administrimin e denoncimeve nga qytetarët dhe institucionet. Megjithatë, kallëzimet penale do të konsiderohen të vlefshme vetëm nëse depozitohen në prokurori në mënyrë të rregullt procedurale.
Krasniqi thekson se masa më efektive për parandalimin e krimeve zgjedhore do të ishte ndëshkimi i paktën 2-3 rasteve të ndërhyrjeve kriminale në politikë dhe procesin e vendimmarrjes për listat e kandidatëve, dhe kjo duhet të ndodhë përpara se të nisë fushata elektorale zyrtare.

“Do të ishte një mesazh parandalues por nëse kjo ndodh pas zgjedhjeve nuk do të ketë më vlerë, kështu që mendoj që nëse SPAK dëshiron sukses duhet ta bëjë këtë një orë e më parë dhe ndoshta pa pritur datën zyrtare të fillimit të fushatës elektorale. Me dispozitat e kodit zgjedhor ka nisur periudha e monitorimit dhe grupet kriminale mund të veprojnë që tani, që në momentin që bëhen zgjedhjet brenda partive politike për të shpallur kandidaturat dhe në moment që hartohet lista elektorale. Kur lista e deputetëve shkon në KQZ dhe nis fushata elektorale në fakt aty grupet kriminale kanë mbaruar punë dhe nëse hetimet e SPAK-ut nisin në këtë moment nuk do të kenë rezultatet e pritshme” – shpjegon ai.
Përveç grupit hetimor, SPAK ka planifikuar ngritjen e një njësie të posaçme për monitorimin e të dhënave publike në media dhe rrjete sociale, duke ia përcjellë këto informacione strukturës qendrore dhe grupeve hetimore në terren. Një tjetër fokus do të jetë monitorimi i përdorimit të buxhetit shtetëror dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore, për të shmangur përdorimin e resurseve publike në favor të forcave politike.
Por për Partinë Demokratike masat e ndëmarra nga SPAK janë shumë të vonuara.
“Është një masë e marrë shumë vonë, sepse zgjedhjet janë 2 muaj larg, kohë kjo e pamjaftueshme për të realizuar një fotografim të drejtë dhe efikas të peizazhit elektoral në Shqipëri. Kjo, sepse Shqipëria nuk është një vend që kërkon të shmangë problemet e zgjedhjeve të 11 majit, por të ruhet nga përsëritja e fenomeneve tashmë të vjetra, që janë kalcifikuar në proceset zgjedhore. Pra, SPAK nuk mund të sillet si misioni kalimtar i OSBE-ODHIR, që vjen dhe vëzhgon zgjedhjet dhe nxjerr një raport në fund”- thotë zëdhënsi i PD-së, Alfred Lela, sipas të cilit sjellja si një ‘aktor i huaj’ i SPAK, vërtetohet edhe nga precedentët e deritanishëm të këtij institucioni në lidhje me zgjedhjet.
“Dosjet e zgjedhjeve ‘184’ dhe ‘339’ i ka shpallur si ‘jashtë kompetencës’. Po kështu edhe rastin e kryebashkiakes së PS, Majlinda Bufit, që ia përcolli Prokurorisë së Fierit. E quajtura ‘drejtësi e re’ ka hetuar dhe dënuar për zgjedhjet vetëm një kandidat për kryebashkiak të opozitës, Fredi Belerin. As mbrojtësit më të mëdhenj të qeverisë nuk e thonë dot, pa i zënë gazi, se zgjedhjet në Shqipëri i manipulon opozita dhe i ruan qeveria” argumenton Lela.
Nga ana tjetër, SPAK u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe private, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve që të angazhohen aktivisht në këtë proces, duke kontribuar në transparencën dhe zbatimin e ligjit për zgjedhje të ndershme dhe të lira.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.