Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar për herë të parë nisjen e një procedimi penal që lidhet me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Njoftimi, i bërë publik në faqen zyrtare të SPAK në kuadër të programit të transparencës, vjen pa detaje për natyrën e veprës penale, emrat e përfshirë apo numrin e procedimit. Megjithatë, burime konfidenciale pohojnë se objekt hetimi janë procedurat koncesionare dhe kontrata e ndërtimit, si dhe përputhshmëria e tyre me legjislacionin shqiptar.
Hetimi hapet në një kohë kur projekti i Aeroportit të Vlorës është vënë në qendër të kritikave të forta nga ambientalistë dhe organizata ndërkombëtare për shkak të ndikimit të tij të mundshëm në zonën e mbrojtur të Luginës së Nartës, një nga habitatet më të rëndësishme të biodiversitetit në rajon.
Presioni ndërkombëtar

Më 23 tetor 2024, pranë Bashkisë së Mynihut u dorëzua një peticion me 457 firma nga qytetarë gjermanë, aktivistë dhe ekspertë mjedisorë, të cilët kërkuan ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me projektin e Vlorës. Pas një beteje dyvjeçare dhe presioni të pandërprerë nga organizata si EuroNatur, më 8 prill 2025, Komisioni për Ekonomi dhe Punë i Këshillit Bashkiak të Mynihut vendosi të tërheqë përfundimisht Munich Airport International (MAI) nga çdo rol këshillues në projekt, duke theksuar shqetësimet mjedisore dhe reputacionale që shoqëronin pjesëmarrjen gjermane.
Kjo tërheqje nxori në pah edhe manipulimin e opinionit publik nga autoritetet shqiptare. Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar publikisht se Aeroporti i Vlorës do të menaxhohej nga Aeroporti i Mynihut, një pretendim që nuk qëndron sipas dokumenteve të publikuara nga portali investigativ “shteg.org”, ku roli i MAI rezulton të ketë qenë vetëm këshillues dhe jo menaxherial.
Që nga momenti kur u paraqit si premtim elektoral nga Kryeministri Rama gjashtë vite më parë, projekti është ndjekur nga një sërë akuzash për shkelje ligjore. Kontrata e ndërtimit me vlerë 104 milionë euro u firmos vetëm pak ditë para zgjedhjeve të prillit 2021, çka ngjalli dyshime për shkelje të kodit zgjedhor. Fitues i tenderit ishte një konsorcium i përbërë nga kompania turke YDA Construction, me lidhje me partinë në pushtet në Turqi, kompania kosovare Mabetex në pronësi të Behgjet Pacollit, dhe 2A Group sh.p.k e Valon Ademit, ish-konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë.
Një kompani britanike e skualifikuar nga tenderi ka ngritur padi në SPAK, duke akuzuar për manipulim të procedurës dhe përfshirjen e kompanive fiktive për të simuluar konkurrencën. Sipas burimeve, dokumentet e tenderit janë subjekt hetimi për dyshime mbi falsifikim dhe mashtrim në prokurim publik.
Laguna e Nartës, e cilësuar si një ndër ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut, është shtëpia e mbi 200 llojeve shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot. Ekspertët paralajmërojnë se aeroporti i ndërtuar pranë kësaj zone do të ketë ndikim të pakthyeshëm në ekosistem.
Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Konventa e Bernës kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Në shtator 2023 dhe në dy raste të tjera në dhjetor 2023 dhe 2024, Konventa e Bernës përsëriti kërkesën për pezullimin e projektit derisa të kryhet një vlerësim i plotë dhe i pavarur i ndikimit mjedisor.
Megjithatë, për të hapur rrugë projektit, autoritetet shqiptare ndryshuan kufijtë e zonave të mbrojtura duke zhbërë mbrojtjen ligjore për 26.7% të ekosistemit bregdetar, përfshirë edhe zonën ku parashikohet ndërtimi i aeroportit. Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga vetë Kryeministri, miratoi këtë vendim të kontestuar.
Sipas dhjetëra grupeve mjedisore, vlerësimi i ndikimit në mjedis është i manipuluar dhe i porositur nga vetë përfituesit e projektit, përfshirë pronarët e tokës dhe anëtarët e konsorciumit ndërtues. Akademikët kanë paralajmëruar për rrezikun e përplasjeve midis avionëve dhe shpendëve, duke propozuar alternativa për devijimin e fluturimeve.
Gabriel Schwaderer, drejtuesi i EuroNatur, deklaroi se “vendimi i Aeroportit të Mynihut për t’u tërhequr është një hap i rëndësishëm, por i vonuar, sepse dëmet tashmë janë të dukshme”. Ai kërkoi që Shqipëria të respektojë konventat ndërkombëtare dhe të rishikojë projektin në dritën e vlerësimeve të pavarura.
Kontrata që garanton fitime për ndërtuesit
Sipas dokumenteve të kontratës së koncesionit, qeveria shqiptare ka garantuar të ardhura për konsorciumin në rast se aeroporti nuk arrin parashikimet optimiste. Nëse pas katër vitesh aeroporti nuk gjeneron 9.6 milionë euro të ardhura nga trafiku, qeveria do të paguajë diferencën. Kjo shifër rritet në 18.7 milionë euro në vitin e 13-të të operimit. Në total, qeveria mund të përfundojë duke mbuluar mbi 138 milionë euro, një shumë që i tejkalon kostot fillestare të ndërtimit.
Ndërtimi është projektuar se do të marrë disa vite, pas dy viteve të operimit, aeroporti pritet që të ketë një kapacitet prej 600 mijë pasagjerësh. Me sa duket qeveria pret që ta marrë në dorëzim kur ajo të ketë afro 1.2 mln udhëtarë në vit.
Dokumentet e prokurimit tregojnë se projekti është me “risk të lartë”, duke vënë në dukje se do të ndërtohet në një “zonë të gjelbër” me shumë pak të dhëna që tregojnë se sa pasagjerë pritet që të vijnë. Aty shprehet qartë se “është e pamundur që të parashikojmë trafikun”.
Megjithatë, dokumentet e prokurimit pranojnë se projekti është me “risk të lartë”, duke pranuar mungesën e të dhënave për trafikun e mundshëm dhe duke nënvizuar pamundësinë për të bërë parashikime realiste.
Pavarësisht përmasave të debatit publik dhe tërheqjes së partnerit ndërkombëtar, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë koment mbi vendimin e Mynihut dhe as mbi hetimin e nisur nga SPAK. Asnjë institucion nuk ka pranuar të japë sqarime mbi të ardhmen e projektit.
Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për një padi të ngritur nga organizatat mjedisore për ndalimin e projektit, fati i Aeroportit të Vlorës mbetet i paqartë, i rrethuar nga hije korrupsioni, manipulim dhe një krizë gjithnjë e më e thellë besueshmërie ndaj institucioneve publike.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.