Gjykata e Posaçme (GJKKO) pranoi kërkesën e Prokurisë për vendosjen nën sekuestrim të 31 pasurive në pronësi të Jusel Micit dhe Mendim Domit, dy organizatorëve të grupit kriminal të “Call Center” që u vodhi miliona euro evropianëve.
Sipas njoftimit të SPAK, në pasuritë e dy të rinjve të cilat nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme përfshihen tre llogari bankare me vlerë rreth 200 mijë eurosh, aksione në një kompani, 5 apartamente, 7 sipërfaqe toke të llojit “arë”, 6 garazhe etj.
Domi dhe Mici u arrestuan në vitin 2022 pasi akuzohen si anëtarë të një grupi kriminal, të cilët përmes mashtrimit dhe veprimtarive joligjore bindnin me anë të telefonatave “call center” qytetarë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe i bindnin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave online. Ata mundën të xhironin në llogarinë e kompanisë së tyre fantazmë vlerën prej rreth 5.8 milionë eurosh.
Dy 32 vjeçarët po hetohen nga SPAK pasi dyshohen për kryerjen e disa veprave penale, si “Mashtrimimi kompjuterik” i kryer në bashkëpunim, që sipas ligjit shqiptar nëse është kryer më shumë se njëherë ose është shoqëruar me pasoja të rënda dënohet me burgim deri në 3 vite.
“Grup i strukturuar kriminal”, vepër penale që sipas legjislacionit krijimi, organizimi dhe drejtimi dënohet me 3 deri në 8 vite burg, kurse pjesëmarrja dënohet sërish me burgim, nga 2 deri në 5 vite. Gjithashtu, ata dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale nga organizata kriminale ose grup të strukturuar kriminal, që ndikon në shtimin e dënimit me burg deri në 5 vite.
Përfshirja e Jusel Micit dhe Mendim Domit në aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit me anë të call-center në 7 vite më parë, kur të dy 25-vjeçarë vendosën t’ja shisnin kompaninë e tyre “VibeMedia” një shtetasi italian të quajtur Maurizio Giacalone për 100 lekë.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga “shteg.org” në vitin 2024, pas shitjes së “VibeMedia” ata krijuan 8 kompani të tjera, objekt i të cilave ishte operimi “call center”, në 4 prej të cilave ndanin aksionet edhe me kushuririn 22-vjeçar të Micit, Ismailin.
Pavarësisht se të rinjtë rezultonin pronarë, hetimet e mëvonshme të prokurorisë zbuluan se në të vërtetë kompanitë ishin krijuar nga shtetas italianë, të cilët dyshohet se kanë hapur 24 kompani që vepronin në fushën e call center dhe tele-marketing.
Sipas dëshmisë së Ismail Micit përballë trupës gjyqësore më prill të vitit 2022, në tjetër proces gjyqësor të një çështjeje të ngjashme, shtetasit italianë të cilët hapnin kompanitë fantazmë të call center-ave nëpërmjet shtetasve shqiptare, u kërkonin atyre t’ua jepnin paratë e gjeneruara nga kompania në cash.
Para dy vitesh Ismail Mici u tha gjyqtarëve se ka tërhequr para nga bankat pas çdo telefonate që merrte nga “shefat”. Ai u angazhua në tërheqjen e mbi 1.5 milionë eurove pasi italianët i premtuan se do t’i rregullonin një vend pune me të ardhura të mira.
Dy kushërinjtë Mici dhe Mendim Domi nuk janë shqiptarët e vetëm që po përballen me drejtësinë shqiptare për këto vepra penale. Prej vitit 2021 autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë më shumë se dhjetë operacione kundër skemave me “qendrat e thirrjeve telefonike”, që ka rezultuar me procedimin e mbi 170 personave deri në fund të vitit 2024.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.