Fabrika e prodhimit të cigareve në Librazhd, që ndodhet në qendër të një skeme kontrabande të dyshuar nga Prokuroria e Posaçme, është ndër pasuritë kryesore të sekuestruara nga Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 473, datë 28 korrik 2025.
Vendimi vjen pas një hetimi dyvjeçar të SPAK i cili zbuloi skemën që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin e shtetit shqiptar, të dokumentuara në shumën 35 milionë euro, ku përfshiheshin drejtues të kompanisë “Albania Tabak” dhe zyrtarë të lartë të strukturave doganore shqiptare.
Prokuroria bën me dije se ka sekuestruar 21 pasuri me vlerë mbi 9.3 milionë euro, të dyshuara si përfitime të paligjshme nga kontrabanda e mallrave të akcizës, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ndër pasuritë e sekuestruara janë një sërë apartamentesh luksoze në një godinë të lartë në kryeqytet, vila në kompleksin rezidencial “Rolling Hills” në Mullet.
Lista përfshin 7 apartamente luksoze në katin e 32-të të një ndërtese shumëkatëshe, me sipërfaqe nga 115 m² deri në 196 m², një vilë në Rolling Hills, me truall 818 m² dhe sipërfaqe ndërtimi 386 m², një të dytë po në Mullet, me sipërfaqe 932 m².
Sipas vlerësimeve zyrtare dhe kontratave të shitblerjes, vlera totale e pasurive arrin në 9,365,922 euro, të dyshuara si përfitime të paligjshme nga kontrabanda e organizuar.
Në njoftimin zyrtar, nuk thuhet se kujt i përkasin pasuritë e sekuestruara, por sqarohet se 9 tituj pasurie në zonën kadastrale 2446 janë të regjisturara në “Albania Tabak”.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë hetimeve është provuar se fabrika në Librazhd prodhonte cigare pa pullë fiskale dhe manipulonte dokumentet për shmangien e detyrimeve doganore. Dokumentet e ardhura nga strukturat homologe, vëzhgimi në terren dhe analizimi i lëvizjes së kamionëve të ngarkuar me cigare, treguan qartë skemën e organizuar për ndryshimin e destinacionit të ngarkesave dhe kalimin e tyre në mënyrë të paligjshme përmes doganave.
Hetimi, me 36 persona të dyshuar, përfshin edhe 29 punonjës të strukturave doganore, të cilët sipas SPAK janë përfshirë në aktivitetin kriminal si bashkëpuntorë në këtë rrjet kontrabande.
Prokuroria thotë se është provuar përfshirja e drejtpërdrejtë e zyrtarëve të lartë të Doganës Shqiptare. Eldi Hoxha, që në kohën e ngjarjes mbante detyrën e zv/drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit të Akcizës, sipas prokurorisë ka luajtur rol kyç në lejimin dhe mos-kontrollimin e ngarkesave.
Hetimet kanë provuar se nuk bëhet fjalë për veprime të izoluara, por për një marrëveshje të qëllimshme mes individëve me role të ndryshme që nisin nga drejtuesit e biznesit, administratorë, transportues dhe zyrtarë shtetëror të cilat kanë bashkëpunuar për të shmangur kontrollin doganor, për të falsifikuar destinacionet dhe për të prodhuar cigare pa pullë fiskale.
Në bazë të provave të grumbulluara, Gjykata e Posaçme caktoi masa arresti ndaj pronarëve Ilir dhe Darjo Jashari, administratorit Servet Dauti, shtetasit kosovar Luan Qorolli dhe shtetasve serbë Mile Bijeliç dhe Zeljko Stafjer, të dyshuar për kontrabandë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Por asnjë prej këtyre shtetasve nuk është arrestuar nga Policia e Shtetit, ndërsa për pjesën tjetër të grupit, kryesisht punonjës të administratës doganore, janë vendosur masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ndërkohë që hetuesit po finalizonin provat për përfshirjen në aktivitet kriminal të drejtuesve të kompanisë dhe strukturave shtetërore, fabrika ndërroi pronar. Më 5 shkurt 2025, “Albania Tabak” u shit për vetëm 1 lek tek kompania “EA TOBACCO” në pronësi të biznesmenit Egys Agasi.
Sipas kontratës së shitjes, e firmosur me kushtin që kompania të shlyente të gjitha detyrimet ekzistuese, vlera e të cilave kapte rreth 5 milionë euro, përfshirë borxhe bankare dhe mospagim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Biznesit tregon se ndryshimi i pronësisë u regjistrua më 29 maj 2025, vetëm dy ditë pas kërkesës së SPAK për masën e arrestit me burg ndaj pronarëve të mëparshëm dhe zyrtarëve të doganave.
Për më tepër, ndonëse ndaj kompanisë ekzistonte një masë sigurie për ndalimin e tjetërsimit të pronësisë, Zyra e Qendrës Kombëtare të Biznesit lejoi kalimin e saj tek subjekti i ri.
Agasi, në një prononcim për “shteg.org”, mohoi çdo lidhje me hetimin dhe u shpreh se nuk kishte dijeni që kompania ishte nën hetim në momentin e blerjes. “Në kontratë kemi kërkuar vetëm aktivitetin prodhues, makineritë dhe pajisjet jo lëndën e parë. I kemi kërkuar gjithashtu që të shlyenin çdo detyrim ndaj shtetit dhe palëve të treta,” tha ai.
Sipas tij, blerja e fabrikës kishte qëllim uljen e kostove të prodhimit të cigareve që kompania e tij i prodhon në Bullgari dhe i shet në tregun shqiptar.
“Për ne, fabrika përfaqësonte interes, sepse reduktonte kostot e prodhimit,” përfundoi Agasi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.