Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka sekuestruar një pasuri të ndodhur në rezidencën luksoze “Kodra e Diellit” në Tiranë, e lidhur me kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, pronës së sekuestruar i është vendosur masa e “sekuestros preventive” me vendim të Gjykatës së Posaçme më datë 22 maj 2025. Në qendër të hetimit janë dy pasuri të ndodhura pranë banesës ku çifti jeton aktualisht në Selitë, dhe për të cilat ekziston “dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova” se ata kanë interesa pasurore faktike, edhe pse nuk figurojnë zyrtarisht si pronarë.
Ky veprim vjen si pjesë e procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, një dosje voluminoze që përfshin akuza të rënda për “korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrim parash”, “fshehje pasurie”, si dhe “deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Me datë 20 maj 2025, emrat e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës janë regjistruar zyrtarisht në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar atyre veprën penale të mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
“Ekzistojnë të dhëna konkrete që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim kanë konsumuar elementët e veprës penale të fshehjes apo deklarimit të rremë të pasurisë,” – thuhet në deklaratën e SPAK, e cila flet për një interes real dhe të pashpallur mbi pasuritë e sekuestruara.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, që më herët nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt në hetim, ka hyrë tashmë në dosje si subjekt nën hetim dhe me një masë sigurie të butë – “detyrim paraqitje”.
Prona e sekuestruar, edhe pse figuron në emër të një subjekti privat “A.K.” shpk, dyshohet se është e kontrolluar në mënyrë faktike nga Veliaj dhe Xoxa. Hetimet janë në fazë paraprake, por hetuesit thonë se kanë në dorë prova dokumentare dhe financiare, që lidhin çiftin me pasurinë e sekuestruar, përfshirë transferta, lëvizje kapitale dhe kontrata të dyshimta.
Ndaj Veliaj dhe Xoxajt prokuroria e Posacme ka regjistruar procedimi penal me nr. 27 në vitit 2024, dhe ndaj tyre janë ngritur disa akuza të tjera të rënda, si “korrupsion pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ajola Xoxa ndodhet nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, ndërsa Erion Veliaj vazhdon të mbahet në arrest me burg.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.