Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkuar sekuestrimin e një tjetër prone, për të cilën thotë se i përket vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
Ky sekuestrim është pjesë e një sërë veprimesh që kanë nisur më herët nga Prokuroria e Posaçme ndërmarrë kundër vëllezërve të cilët janë persona nën hetim për kryerjen e disa veprave penale përfshirë vrasje, dëmtim të pronës dhe pastrim parash nga veprimtari kriminale.
Ata janë dyshuar për drejtimin e një organizatë kriminale që operon në qytetin e Elbasanit. Hetimet janë thelluar pas zbulimit të disa pasurive të tjera që dyshohet se janë fituar në mënyrë të jashtëligjshme nga aktiviteti kriminal i kësaj organizate.
Sipas informacionit të shpërndarë nga SPAK, një vilë dy katërshe, e ndodhur në lagjen “5 Maji” në Elbasan, është sekuestruar si pasuri e dyshuar e krijuar nga aktivitete kriminale.
Vila e sekuestruar është një objekt me dy kate banimi, një kat nëntokë i përshtatur si palestër dhe i pajisur me vegla, një tarracë e hapur mbi katin e dytë dhe një oborr me lulishte në pjesën e përparme. Po ashtu, ka një verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës, si dhe një garazh të hapur që lidhte vilën me një ndërtesë njëkatëshe. Kjo ndërtesë ishte përdorur si zyrë dhe ishte mobiluar me pajisje të plota.
Kati i parë i vilës përfshin një garazh të mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë dhe një dhomë gjumi, të gjitha plotësisht të mobiluara. Kati i dytë ka dy dhoma gjumi me garderobë të veçuar, gjithashtu të mobiluara dhe të kompletuara me kushte të përshtatshme për banim.
Ndërkohë që organizata e Çopjave ka pësuar një numër sekuestrimesh të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tilla si makina, tokë, ndërtesa që dyshohen të kenë lidhje me aktivitetet e tyre kriminale. SPAK ka informuar gjithashtu se gjatë hetimeve janë bashkëpunuar me agjenci ndërkombëtare për të ndihmuar në zbardhjen e veprimeve të paligjshme dhe për të siguruar prova të mjaftueshme për akuzat ndaj individëve të përfshirë.
Në datën 18 shkurt 2025, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar miratoi sekuestrimin e “Solis Farm”, një pikë agroturizmi që administrohej nga Petrit Lakatos. Ky vendim erdhi pas arrestimit të Lakatos dhe lidhjes së tij me organizatën kriminale të Çopjave.
Në total organizatës kriminale të Çopjave u janë sekuestruar 44 pasuri, ndërsa nga hetimet Prokuroria e ka mundur të dokumentojë aktivitetin kriminal të grupit që drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të dyshuar si përgjegjës për 6 vrasje dhe 17 tentativa të tjera për ekzekutime të kundërshtarëve, ndodhur në Shqipëri në vitet 2018-2020.
Ata dyshohet se janë të përfshirë edhe në grabitjen e miliona eurove të një dërgese parash në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill 2019, çka ia ndryshon shumë rrjedhën asaj ngjarjeje, ku nën akuzë për grabitjen janë persona të tjerë dhe emri i tyre nuk është përmendur kurrë më parë.
Përveç vrasjeve dhe një mori atentatesh të dështuara, grupi sipas të dhënave hetimore ka arritur të rekrutojë jo vetëm punonjës policie, të cilët iu kanë shërbyer për vite me radhë, por edhe punonjës të gjykatës së Elbasanit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.