Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur 30 persona fizikë dhe juridikë, në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion dhe pastrim parash në Bashkinë e Tiranës, ku në qendër të akuzave ndodhen kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.
Ndër të pandehurit është dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. SPAK i ka komunikuar akuzën zyrtarisht, duke e bërë atë pjesë të hetimit që përfshin gjithashtu zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe familjarë të Ajola Xoxës.
Të pandehur janë marrë Adela Kondakçiu dhe Flutur Xhani, Valmir Xoxa daja i Ajola Xoxes.
Valmir Xoxa, muzikant në bandën frymore të Bashkisë së Tiranës, është një ndër personat e dyshuar nga Prokuroria e Posaçme për transaksione të dyshimta që, prokurorët besojnë janë pjesë e një skeme për të fshehur lidhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë me pronën mbi të cilën ai më vonë ka firmosur lejen e ndërtimit.
Sipas SPAK, Xoxa ka deklaruar se ka blerë një pronë për 140 mijë euro dhe një automjet për 23 mijë euro, të dyja nga kushërirat Ajola dhe Valbona Xoxa, duke përdorur kursimet nga paga e tij si pedagog dhe muzikant. Këto deklarime kanë ngjallur dyshimet e prokurorëve, të cilët pretendojnë se Valmir Xoxa nuk është pronari real i truallit dhe se pas pronës fshihet Ajola Xoxa.
Prokuroria ka dokumentuar që prona e ndodhur pranë rrugës “Faik Tërnova” ka përfituar akses të ri rrugor falë një vendimi të Bashkisë së Tiranës, të cilin Gjykata Administrative e cilësoi si të bazuar në dokumente të falsifikuara.
Hetimi gjyqësor i Gjykatës Administrative tregoi se plani i detajuar i njësisë TR7 u miratua nga Bashkia e Tiranës duke falsifikuar faktet se aty ekziston një rrugë, ndërsa në të vërtetë kjo rrugë do të krijohet, me qëllimin e zhvillimit sa më optimal, të pronës së bashkëshortes së tij (duke i hapur akses pallatit të ri nga dy rrugë dhe duke rritur mundësinë e hapjes së dritareve e ballkoneve nga lindja), në dëm të pronarëve ku shkel kjo rrugë fiktive.
Bashkëshortja dhe vjehrra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës kanë hequr emrat e tyre si përfituese përmes një shitjeje, për të cilat SPAK dyshon se janë fiktive tek një person që nuk ka aftësi paguese, por ndërkohë kujdeset që arkitekti i projekteve personale e familjare të jetë i njëjti që projekton pallatin dhe aplikon për leje në Bashki.
Një vit më vonë, Veliaj po ashtu firmos lejen e ndërtimit me përfitues Agron dhe Valmir Xoxa, të afërm të Ajola Xoxës.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se projekti u zhvillua nga Olsi Efthimi, një mik i afërm i Ajolës dhe bashkëpronar i studios “Atelier 4”. Ka qenë pikërisht kjo studio arkitekture që ka bërë aplikimin në Bashki për lejen e ndërtimit dhe ka marrë përsipër edhe projektin e ndërtimit te njësia strukturore TR7, pikërisht në pronën të cilën Ajola Xoxa dhe Valbona Xoxa e kanë shitur te shtetasi Valmir Xoxa.
Sipas vëzhgimeve të Prokurorisë, Olsi Efthimi dhe Valmir Xoxa nuk japin shenja të njohjes me njëri-tjetrin për zhvillimin e ndërtimit, gjë që provon se nëse shitja e pronave do të ishte e rregullt, atëherë tç dy do e njihnin njëri-tjetrin.
“Këto rrethana forcojnë dyshimin e arsyeshëm se Valmir Xoxa nuk është realisht në zotërim të pronës që po zhvillohet dhe se për këtë pronë kujdeset Ajola Xoxa, pavarësisht se emri i saj nuk figuron më si pronare e truallit”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Nga ana tjetër edhe Valmir Xoxa tregohet i paqartë rreth përfitimeve që ai do të gëzonte nga ndërtimi i godinës shumëkatëshe në pronën e tij.
I pyetur në lidhje me sa ka përfituar nga dhënia e pjesës së tij të bashkëpronësisë për firmën ndërtuese, Xoxa ndryshon disa herë version, por në fund përgjigjet se do të përfitojë një apartament 60 m2, një dyqan 70 m2 dhe një post parkimi.
Gjithashtu, sipas organit të akuzës, në të njëjtën periudhë që ky shtetas supozohet se dispononte një banesë me rreth 140 mijë euro kursime cash, ka aplikuar dhe ka përfituar një kredi të butë për strehim nga Bashkia Tiranë, për rreth 40 mijë euro.
Sipas SPAK, me këto të holla, në vend që të siguronte menjëherë një strehim për vete dhe familjen e tij, Valmiri porosit një apartament tjetër, në të njëjtën ndërtesë e cila po ndërtohet mbi truallin në bashkëpronësi të tij.
Nisur nga deklarimet prokurorët dyshojnë se Valmir Xoxa nuk është realisht në zotërim të pronës që po zhvillohet dhe se për këtë pronë kujdeset Ajola Xoxa, pavarësisht se emri i saj nuk figuron më si pronare e truallit.
Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehjen dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Prokurorët pretendojnë se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.
Nga qelia e burgut, Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.