SPAK shton akuzat ndaj Ish-Ministrit Ilir Beqaj për korrupsion dhe mashtrim

Gjatë viteve 2022-2023 në Agjencinë e Programimit Strategjik janë zhvilluar procedura fiktive prokurimi për projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, ku fituesit e tenderëve ishin të paracaktuar në shkelje të ligjit.

511
Ish-Ministri Ilir Beqaj
Credits: shteg.org

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), duke dërguar për gjykim 11 persona, mes tyre edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas hetimeve, lista e akuzave ndaj Beqajt është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh. SPAK ka zbuluar se gjatë viteve 2022-2023, në SASPAC janë zhvilluar procedura fiktive prokurimi për projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, ku fituesit e tenderëve ishin të paracaktuar në shkelje të ligjit.

Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe ish-drejtor i SASPAC, akuzohet për 6 vepra penale; “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, kryer në bashkëpunim 2 herë; “Shkelje e barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim 8 herë; “Falsifikim dokumentesh, kryer në bashkëpunim 9 herë; “Mashtrim me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim 2 herë; “Mashtrim, kryer në bashkëpunim 3 herë; “Fshehje e pasurisë dhe deklarim të rremë”, kryer 3 herë.

Ermal Kurtulaj, ish-zyrtar i SASPAC, akuzohet për të njëjtat vepra penale si Ilir Beqaj.

Gazmend Haxhia, Elton Marini dhe shoqëria tregtare “Nine Service Int”, akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.

Alfred Nikolla dhe shoqëria tregtare “Landways International”, akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion aktiv.

Për të pandehurit Bjona Ziaj dhe Bledar Leka rëndojnë akuzat për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Marinela Jazoj, akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Mira Topçiu, akuzohet për falsifikim dokumentesh kryer 8 herë.

Skema e korrupsionit

Sipas SPAK Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj në bashkëpunim, kanë zhvilluar tendera fiktivë për organizimin e 3 konferencave të financuara nga fondet e BE-së, si: Konferenca FESTA (E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri); Konferenca e Energjisë dhe Bashkëpunimi në Rajonin e Adriatikut dhe Jonit.

Këto shërbime u prokuruan përmes procedurave të manipuluara, ku fituesit ishin dakordësuar paraprakisht dhe dokumentet për tenderët u falsifikuan për të krijuar një pamje të rreme të një gare të hapur.

Në disa raste, sipërmarrjet përfituese nuk kishin ofruar fare shërbimet e kontraktuara, por thjesht kishin marrë fondet, duke ndarë përfitimet me zyrtarët e përfshirë. 

Gjithashtu, SPAK ka provuar se Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj kanë marrë përfitime të parregullta nga përfaqësues të këtyre shoqërive tregtare.

Fshehja e pasurisë dhe sekuestrimet

SPAK ka zbuluar se Ilir Beqaj ka fshehur pasurinë e tij, duke mos deklaruar: 50% të kuotave në shoqërinë “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k.; një apartament në Lungomare, Vlorë dhe një automjet.

Për këtë arsye, është vendosur sekuestrimi i këtyre pasurive, me vendodhje në Lungomare, Vlorë dhe disa llogarive bankare, e të tjera sekuestruar të pandehurve, si dhe i disa llogarive bankare me vlerë 19.67 milionë lekë bazuar në kursin e këmbimit të ditë së sotme përkatësisht 14.3 milionë lekë; 15,542 euro; 42,318 dollarë; 9.4% të aksioneve të “Albanian Food and Hospitality Services” dhe tre automjete.

SPAK ka deklaruar se hetimet për këtë çështje nuk janë mbyllur plotësisht, pasi gjatë procesit janë zbuluar edhe fakte të tjera të mundshme penale, të cilat po hetohen më tej.

Kujtojmë që Ilir Beqaj është i pandehur edhe për çështjen e koncesioneve në shëndetësi.

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka ngritur akuzë ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj për shpërdorim detyre në lidhje me kontratën e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një kontratë që ka një vlerë rreth 100 milionë euro, nënshkruar në vitin 2015.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.