SPAK tregon akuzat për të cilat po hetohet Kryebashkiaku i Tiranës

Erion Veliaj ka lënë të kuptohej që akuzat ndaj tij për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash janë të iniciuara politikisht dhe se faktet janë ngritur mbi dëshmitarë të rreme.

726
Erion Veliaj duke dalë nga SPAK
Credit: LSA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është paraqitur në mëngjesin e 26 dhjetorit 2024 në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë.

Për më shumë se 5 orë Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët pas hetimeve të nisura për çështje për të cilat SPAK mendon se ka gjetur prova për të paktën katër akuza.

“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në reagimin e prokurorisë.

Por  kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë të kuptohej që akuzat ndaj tij janë të iniciuara politikisht dhe se faktet janë ngritur mbi dëshmitarë të rreme.

Menjëherë pas marrjes në pyetje Erion Veliaj shfrytëzoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të ngritur pretendimet se çështja ndaj tij ishte kurth.

“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, një person që nuk ekziston. Disa njerëz që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime.

Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson ky emër. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin e gjendjes civile dhe mund të verifikojë se është një kurth i sajuar”, tha Veliaj.

Menjëherë pas kësaj deklarate SPAK bëri me dije se informacioni ishte verifikuar, dhe se nga hetimet paraprake rezulton së janë siguruar prova të qënësimshme për të regjistruar  procedimet për të paktën  katër akuza penale.

“Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” -thuhet në njoftimin e Prokurorisë sipas të cilës ka dyshime se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.

Në kuadër të këtij hetimi, në fillim të këtij muaji agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontroll në banesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ndërsa ky i fundit ndodhej në Gjermani për një vizitë zyrtare, siç e njoftoi më vonë përmes një postimi në Facebook.

Sa u raportua më vonë, në banesë, oficerët e hetimit kanë sekuestruar telefonin celular të Ajola Xoxes, bashkëshortes së zotit Veliaj ndërsa më pas, u mësua se ata kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut, si dhe në godinën në qendër të Tiranës, ku ndodhen zyrat e kompanisë së zonjës Xoxe, e cila kryen aktivitete në fushën e artit dhe organizimit të eventeve të ndryshme.

Kontrollet janë zhvilluar mbështetur në një urdhër të Gjykatës së Posaçme, ndërsa vetë Prokuroria deklaroi se nuk mund japë detaje duke qenë se ndodhet në fazën paraprake të hetimeve.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal” –  deklaroi zyra e shtypit, duke konfirmuar avancimin e hetimeve të nisur ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij familjar.

Në një dokument të bërë publik gjashtë muaj më parë, SPAK i kërkon bankave të nivelit të dytë në Shqipëri që tu vendosin në dispozicion transaksione, llogari bankare dhe çdo veprim tjetër financiar të kryer nga Erion Veliaj, nëna e tij Shqiponja Veliaj, vëllai Arbri Veliaj dhe Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryebashkiakut.

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj.

Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.

Abule është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash në vlera prej miliona eurosh dhe dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar.

Pas akteve të kontrollit të ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit ndaj familjarëve të tij, Veliaj deklaroi se është i hapur ndaj çdo hetimi nga SPAK.

Vepra penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë” parashikohet nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet, si dhe me gjobë nga një deri në pesë milionë lekë.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.