Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si anëtar të një grupi kriminal që vepronte në jug të vendit.
Nga hetimet e kryera nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), të mbështetur nga agjenci të huaja ligj-zbatuese si Eurojust, Europol, rezultojnë të implikuar dhe punonjës të Policisë së Shtetit.
Hetimet zbuluan se grupi kriminal operonte në Shqipëri dhe Greqi dhe dyshohet se drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, një biznesmen i njohur që u vra në Tiranë në vitin 2022.
Ky grup kriminal vitet e fundit është përfshirë në një “luftë” të egër me bandën rivale që dyshohet se është drejtuar nga Aleksandër Sadikaj.
Përplasjet mes tyre kanë krijuar një seri ngjarjesh kriminale, përfshirë vrasje dhe atentate. Sadikaj u ekzekutua më 11 qershor 2022, kur makina e tij shpërtheu në një atentat me eksploziv. Hetimet zbuluan se vrasja e Sadikajt ishte pjesë e një cikli hakmarrjesh që kishte filluar për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes grupeve të ndryshme. Nga kjo “luftë” mes grupeve rezultojnë të jenë vrarë shtatë persona, pesë në Shqipëri dhe dy në Greqi.
Hetimet

Prokuroria e Posaçme SPAK njoftoi të dielën se ka dokumentuar aktivitetin kriminal të grupit që vepronte mes Shqipërisë dhe Greqisë veprimtaria të cilit ishte kultivimi dhe më pas trafikimi i lëndëve narkotike.
Të përfshirë në këtë aktivitetit kriminal sipas prokurorisë janë edhe efektivë të policisë së shtetit, të cilët jo vetëm kanë ndihmuar ndihmuar drejtuesit e grupit me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, por kanë dhënë siguri për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Elvis Dervishi, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë dhe ish-oficeri i policisë, Erdit Hazizaj, janë katër efektivët ndaj të cilëve GJKKO ka lëshuar urdhër arreste për shak të implikimit të tyre me grupin kriminal.
“Punonjësit e policisë së shtetit duke shfrytëzuar pozicionin e tyre kanë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundra-ligjshme” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, është zbuluar se disa anëtarë të grupit, si Xhino Nebi dhe Eldian Allushi, kanë përdorur ndikimin e tyre për të manipuluar provat dhe për të shmangur arrestimin.
Në një rast të regjistruar më 17 shtator 2020 në Sarandë, Xhino Nebi u ndalua ngaa policia dhe në makinë iu gjet një armë pa leje, por përmes ndikimit të Allushit, një i mitur mori fajin për ngjarjen dhe u arrestua në vend të tij.
“Është evidentuar fakti se më datë 17.09.2020 në qytetin e Sarandës shtetasi nën hetim XH.N ka qarkulluar me një makinë në përdorim të tij, duke mbajtur pa leje një armë zjarri e llojit pistoletë me mulli, të kalibrit 9.5 mm, si dhe 17 fishekë të kalibrit 9.5 mm, të futur në një kuti.
Është evidentuar fakti se punonjësi i policisë ka dhënë këshilla që mbajtjen pa leje të armës së zjarrit në automjet e ka marrë përsipër një shtetasi tjetër i mitur, i cili më pas është arrestuar nga oficerët e policisë gjyqësore” – sqaron prokuroria.
SPAK thotë se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligj-zbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.
Hetimet ndaj grupit që vepronte në Sarandë nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria thotë se ka dokumentuar prova që grupi drejtohej nga Kristo Qiricit, ishte i angazhuar kryesisht në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të fituara nga aktivitetet e paligjshme.
Hetimet zbuluan se grupi ka qenë përgjegjës për kultivimin dhe trafikun e kanabisit, duke përdorur teknika të sofistikuara për rritjen dhe prodhimin e tij.
“Në bashkëpunim mes tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar bimën narkotike, ndërsa anëtarë të caktuar, personat që do të kryenin transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Ajo që vihet re është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligj-zbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore”.
Droga ishte e destinuar kryesisht për tregun grek dhe të paktën në një rast sekuestrimi të lëndës narkotike vlera e saj në treg ishte rreth 1.7 milionë euro.
“Është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi” – thuhet në njoftim.
Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se përveç trafikut të drogës, grupi ishte aktiv edhe në pastrimin e parave. Dyshohet se Kristo Qirici dhe bashkëpunëtorët e tij, si Eldian Allushi dhe SH.K, investonin paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme në prona të paluajtshme dhe biznese të ndryshme në Shqipëri, për të fshehur origjinën e pasurisë së tyre dhe për të pastruar paratë.
Roli i Papës

Emri i 44-vjeçarit Edmond Papa nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Madje ata po verifikonin çdo dyshim për lidhjen e tij me një tjetër vrasje të ndodhur në Tiranë.
Bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Ky i fundit, u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën pasi makina e tij u hodh në erë me eksploziv vitin e kaluar. Më 11 qershor, në orën 13:35, makina që ai drejtonte shpërtheu në ecje.
Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve.
Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes, kishin dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.
Në fillim të vitit 2023, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt.
Velo u arrestua natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit, ndërsa po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës.
Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt por dhe me rivalitetin mes grupeve të ndryshme të drogës, ku rezultojnë të vrarë shtatë persona, pesë në Shqipëri dhe dy në Greqi.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.