SPAK zyrtarizon akuzat ndaj Metës dhe Kryemadhit

Pas gati 6 vitesh hetime, ish-Presidenti i Republikës dhe ish-kryetarja e LSI-së përballen me tre akuza të rënda që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe pasuri të padeklaruara. Meta e cilëson procesin një farsë politike të orkestruar nga qeveria.

246
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi
Credits: Facebook - Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet pas gati gjashtë vitesh dhe ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi.

Ata përballen me një sërë akuzash të rënda që lidhen me lobimin e LSI-së në SHBA, aferën CEZ-DIA, ndërhyrje në tregun e fibrave optike, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Akuzat ndaj Ilir Metës janë konfirmuar fillimisht nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili deklaroi se përfundimi i hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme lidhet me përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen publike nga kontestimet e opozitës lidhur me zgjedhjet parlamentare. “Janë tre akuza: korrupsioni pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave. Akuzat nuk qëndrojnë. Ato janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, kur ai është marrë në pyetje,” u shpreh Cakrani. Sipas tij, hetimet janë finalizuar qëllimisht pas zgjedhjeve për të larguar vëmendjen nga “terrorizimi i procesit zgjedhor” – deklaroi avokati.

Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e SPAK, ku qëndroi për rreth dy orë, ku dhe iu komunikuan zyrtarisht tre akuza që kanë të bëjnë me  “pastrim parash”, “korrupsion” dhe “mosdeklarim pasurie”.

Pas daljes nga seanca, ajo deklaroi se “nuk tha asnjë fjalë përpara prokurorisë” dhe theksoi se “do të flasë vetëm kur të shkojë në gjyq”. Ajo shtoi se: “Unë ua kam thënë që në janar nuk them asnjë fjalë aty. Shihemi në gjyq, sepse u firmos e gjithë kjo. Içik muhabet s’do bënim më, ca u bë me zgjedhjet apo kush do të kandidojë për prokuror e BKH? Aty prokuror e BKH është Edi Rama. Sfidat për mua janë me opinionin publik dhe Zotin, drejtësia njerëzore është një moment dhe drejtësia hyjnore është ajo që duhet të kemi frikë. Duhet me jetuar fort. Çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, asnjëri nuk e di”.

Për të njëjtat akuza është marrë i pandehur edhe Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli që prej 21 tetorit 2024. Ai ka ndërruar avokatin e tij, duke u përfaqësuar tashmë nga Kujtim Cakrani, në vend të Genc Gjokutajt. Cakrani deklaroi për mediat se “janë tre akuza, korrupsioni pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave. Akuzat nuk qëndrojnë.

Ato janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, por kur ai është marrë në pyetje. Ai pretendon dhe është e saktë se këto hetime përfunduan pas zgjedhjeve dhe kanë përfunduar në momentin kur në Shqipëri po diskutohet për terrorizimin e zgjedhjeve. Për të hequr vëmendjen nga problematikat e zgjedhjeve, prokuroria vendosi të përfundojë hetimet”.

Ndërkohë, Meta ka reaguar në faqen e tij zyrtare, duke e cilësuar arrestimin e tij si një “rrëmbim kriminal, të lidhur me farsën zgjedhore dhe hetimore të drejtuar nga SPAK”. Ai shkruan se: “Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force”-n e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre”.

Meta shprehet më tej se “nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale”.

Ai shton se do të ballafaqohet “me të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij”, si dhe “me të gjithë ‘dëshmitarët’ e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë pasur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre”. Meta përmbyll deklaratën duke thënë se është “i bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota”.

Hetimi ndaj Metës dhe Kryemadhit ka si pikënisje aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA, për mbledhjen e borxheve të energjisë. SPAK dyshon se marrëveshja është përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 6.5 milionë euro, nga të cilat Meta dyshohet se ka marrë pagesa të konsiderueshme.

Akuzat përfshijnë gjithashtu ndërhyrje në tregun e fibrave optike gjatë vitit 2014, ku çifti Meta-Kryemadhi dyshohet se ka favorizuar një kompani të huaj për të hyrë në tregun shqiptar, duke përfituar financiarisht përmes kartave krediti të padeklaruara. Ish-drejtuesi i AKEP, Pirro Xhixho, akuzohet për ndihmë në këtë proces në kundërshtim me ligjin.

SPAK gjithashtu ka hetuar kontratat e lobimit të lidhura nga Meta si kryetar i LSI-së me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017. Një shumë prej 463 mijë dollarësh dyshohet se nuk është deklaruar dhe nuk është pasqyruar në bilancet zyrtare të partisë në KQZ.

Ndërkaq, një tjetër pistë hetimi lidhet me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në emër të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e paguar tërësisht në cash. SPAK dyshon se kredia e përdorur ishte një mbulesë për pastrimin e parave që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i çiftit.

Akuzat për mosdeklarim pasurie përfshijnë edhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013–2019 në vlerën e 106 mijë euro, nga të cilat 86 mijë janë paguar në cash.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.