Standardet e dyfishta të institucioneve me abuzuesit e qarkullimit rrugor

Rasti i Martin Manes dhe drejtuesve të tjerë të mjeteve që përfundojnë në burg ngrenë pikëpyetje mbi barazinë para ligjit dhe trajtimin e diferencuar të qytetarëve nga autoritetet.

866
Policë gjatë kontrollit rrugor
Credits: shteg.org

Në Shqipëri, institucionet ligj-zbatuese duket se ndjekin standarde të dyfishta për veprat penale që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor. 

Martin Mane, djali i një biznesmeni, u arrestua më 12 janar 2025 nga Policia e Tiranës pasi përplasi dy makina dhe refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit. Megjithatë, Prokuroria e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tij, duke argumentuar se nuk ishin ndjekur procedurat e detyrueshme për marrjen e kampionit të gjakut. Ndryshe nga Mane, në raste të ngjashme drejtuesit e mjeteve të kapur në gjendje të dehur janë arrestuar në flagrancë dhe mbajtur në paraburgim për 48-72 orë përpara se të dilnin para gjykatës.

Statistikat zyrtare tregojnë se për 9 vite organi i akuzës ka regjistruar rreth 36 mijë procedime penale ku të pandehur janë marrë mbi 21 mijë shtetas për veprat penale që kanë të bëjnë me shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që përfshihen veprat penale si: “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” neni 290, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor në gjendje të dehur, pa dëshmi” neni 291 dhe “Largim nga vendi i aksidentit” neni 273.

Gjatë viteve të fundit, politikat penale janë ashpërsuar, siç konstatohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme në raportin e fundit mbi gjendjen e kriminalitetit. Në vitin 2024 organi akuzës kërkoi në gjykatë 3073 masa arrest në burg.

Arrestimi që përplasi Prokurorinë me Policinë e Shtetit

Policë gjatë një aksioni
Credits: shteg.org – Policia gjatë një aksioni

Në orët e para të mëngjesit të 12 Janarit 2025, Martin Mane përplasi dy makina përballë godinës së Parlamentit.

Gjatë ditës, Policia e Tiranës njoftoi ndalimin e Manes me akuzat që kishin të bënin me largimit nga vendngjarja dhe mos bindjes së urdhrit të policisë.

Pas ndalimit, i riu refuzoi të kryente testin e alkoolit, duke u justifikuar me një problem shëndetësor.

“Shërbimet e policisë kanë konstatuar tek kryqëzimi Luigj Gurakuqi automjetin auto veturë të drejtuar nga shtetasi M.M dhe kanë konstatuar se automjeti kishte dëmtim të lehtë. Drejtuesit i automjetit është ftuar të bëjë testin e alkoolit, por ka pretenduar se vuan nga alergjia. Me pas është shoqëruar në polici dhe është ftuar përsëri të bëjë testin e alkoolit por përsëri ka pretenduar se vuan nga alergjia. Gjithashtu nuk ka pranuar ti merret kampion gjaku me pretendimin e vuajtjes së tij nga alergjia” – thuhet në njoftimin zyrtarë.

Policia e arrestoi Manen në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Në referimin e policisë nuk përmendet asnjë rresht neni 291 që flet për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, vepër penale kjo për të cilën Kodi Penal parashikon dënimin me burg nga dhjetë ditë deri në tre vjet.

Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, Prokuroria e Tiranës e cilësoi arrestimin e tij të paligjshëm, duke argumentuar se autoritetet nuk kishin ndjekur procedurat e nevojshme për marrjen me forcë të një kampioni të gjakut si dhe kushtet e arrestimit të të riut në flagrancë. Për këtë arsye, Martin Mane u lirua dhe ndaj tij hetimet po vijojnë në gjendje të lirë.

Prokuroria e Tiranës në njoftim zyrtar shpjegon se ndaj të riut Mane policia gjyqësore nuk ka respektuar procedurën e parashikuar nga neni 201/a pika “5” i Kodit të Procedurës Penale, si dhe ka shkelur ligjin duke kryer arrestimin e tij në flagrancë.

Prokuroria, tregon kujdes të shpjegojë se Policia nuk ka respektuar “procedurat e marrjes së kampionëve të gjakut pa pëlqimin e personit” në rastin e të riut Mane.

Neni 201 i Kodit të Procedurës penale flet për rrethanat e “Marrjes me detyrim e kampionëve biologjikë ose kryerja e procedurave mjekësore të detyruara” dhe në 14 pikat e tij përcakton saktësisht mënyrat e marrjes së kampionëve të gjakut për rastet e personave ndaj të cilëve kanë nisur procedime penale.

Pika 5 e këtij neni, të cilit Prokuroria e Tiranës i referohet në rastin e Manes dhe akuzon policinë gjyqësore me moszbatimin e ligjit thotë se: 

“Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata mund të vendosë që marrja e kampionëve biologjikë ose procedura mjekësore të kryhet pa pëlqimin e personit, kur është e nevojshme dhe duke kufizuar lirinë e tij, nëse nuk dëmtohet shëndeti i tij dhe nëse është e domosdoshme për të provuar faktet në procedim. Nuk mund të kryhen procedura mjekësore që vënë në rrezik jetën e personit, integritetin fizik ose shëndetin e tij, që mund të dëmtojnë fëmijën e pa-lindur ose që sipas protokolleve mjekësore, mund të shkaktojnë vuajtje të pa përligjura”.

Ditën e ngjarjes Martin Mane nuk është, as i proceduar penalisht dhe as prokuroria nuk rezulton të këtë bërë ndonjë kërkesë në gjykatë për marrjen e kampioneve të gjakut ndaj të riut.

Megjithatë prokuroria saktëson se ndaj të riut është bërë regjistrimi i procedimi penal nr. 167 datë 13.01.2025 për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

“Është vlerësuar se nuk janë respektuar kriteret për arrestimin në flagrancë të parashikuar nga neni 251 të K. Pr. Penale dhe për këtë shkak është urdhëruar lirimi i shtetasit M.M dhe vazhdimi i hetimeve ndaj tij, në gjendje të lirë” – thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë e cila saktëson se ndaj Manes janë marrë dhe masa administrative të parashikuara nga Kodi Rrugor.

Kështu referuar këtyre masave, Martin Manes i është pezulluar patenta dhe në rast se ai do të konstatohet sërish që po drejton automjetin pas përdorimit të pijeve alkoolike, do të dënohet me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë ose me pezullim të leje-drejtimit 1 deri në 2 vjet, nëse e përsërit shkeljen brenda një viti.

Po kështu, një tjetër masë ndëshkimore që prokuroria thotë se është marrë ndaj Manes ka të bëjë me detyrimin që ai ka në rast të një  aksidenti.

Sipas masës ndëshkimore i riu duhet “të ndalojë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme njerëzve të dëmtuar, duke përdorur kutinë e ndihmës së shpejtë”.

E ndërsa prokuroria po vazhdon hetimet, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke e lënë të riun të lirë, kaq paq me drejtësinë duket se nuk ia kanë dalë shtetas të tjerë të cilët janë gjendur përballë institucioneve ligj-zbatuese në rrethana të ngjashme.

Forca e ligjit

Statistikat zyrtare të INSTAT tregojnë se 36 mijë procedime penale janë ngritur nga organi i akuzës për vepra penale që kanë të bëjnë me shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga procedimet e regjistruara prokuroria ka marrë të pandehur mbi 21 mijë shtetas dhe këto statistika i referohen viteve 2015-2023.

Një prej personave të ndaluar, arrestuar dhe proceduar është Luan Beka. Më 16 maj 2024 ai u ndalua nga policia në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë.

Policia e detyroi Bekën të kryente dy herë testin e alkoolit, ndaj të cilit ai rezultoi pozitiv me një nivel prej 1.16 mg/l në testin e parë dhe 1.17 mg/l në testin e dytë. Beka u arrestua menjëherë dhe u mbajt në paraburgim për 48 orë, përpara se të dilte para gjykatës dhe t’i caktohej masa “detyrim paraqitjeje”.

Gjykata e Elbasanit, ndryshe nga Prokuroria e Tiranës në rastin e Martin Manes, e konsideroi arrestimin e tij të rregullt dhe ai po përballet tashmë me drejtësinë.

Avokati Sokol Dedndreaj i tha “shteg.org” se në Shqipëri është kthyer në një normë ndalimi dhe arrestimi i personave kur bëhet fjalë për shkeljen e neneve që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor. 

“Në raste të tilla, për akuza të ngjashme vendimi mbetet në këndvështrimin e prokurorit nëse e lë në paraburgim, apo jo. Në Shqipëri zakonisht lihen në paraburgim deri në momentin që dalin para gjykatës” – thotë Sokol Dedndreaj.

Duke iu referuar normës së procedimeve të organit të akuzës, avokati Dedndreaj ngre dyshime për mënyrën e arsyetimit të prokurorit të prokurorisë së rrethit Tiranë në lidhje me të riun Martin Mane.

“Prokurori e ka cilësuar arrestimin e paligjshëm për shkak se nuk është bërë testi i alkoolit, por në fakt akuzat për shtetasin të dokumentuara nga policët nuk ka qenë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, por për dy akuza të tjera, prandaj nuk më bind si argumentim” – thotë avokati Sokol Dedndreaj.

Avokati i Manes nuk preferoi të komentoj pyetjet që “shteg.org” ngriti për çështjen, po kështu komenteve nuk iu përgjigj as Policia e Shtetit.

Avokati i Popullit dhe përfaqësues të fushës juridike në vijimësi kanë ngritur shqetësimin mbi nivelin e lartë të personave në paraburgim, që përbën 62% të totalit të popullsisë së burgjeve.

Njohës të fushës juridike theksojnë se ashpërsimi i masave penale ka kosto të mëdha sociale dhe financiare, ndaj argumentojnë se ndër 7 masat shtrënguese të parashikuara në ligj, ajo e sigurimit “arrest në burg”, duhet të aplikohet e fundit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.