“Statusi i Minatorit”, premtimi që nuk u mbajt kurrë

55 minatorë janë aksidentuar, 6 prej të cilëve humbën jetën në vendin e punës, megjithatë miratimi i “Statusit të Minatorit” që do të ndihmonte ata dhe familjet e tyre nuk u mbajt kurrë si premtim nga ana e qeverisë.

456
Statusi i Minatorit
Credits: LSA

Gjatë mëngjesit të sotëm minatorët qëndruan në formë proteste për më shumë se një orë jashtë ambientevë të Ministrisë së Ekonomisë, për të ripërsëritur kërkesat e tyre që lidhen me miratimin e statusit të minatorit.

Nëse statusi i tyre do të miratohej, ata do të kishin pagesa dhe pensione më të larta se ato aktualet. Gjithashtu, do të kishin dhe kushte më të sigurta në punë ndërkohë që në rast aksidentetsh familjarët e tyre do të mbështeteshin financiarisht për të përballuar jetesën në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare, në dy vitet e fundit 55 minatorë janë aksidentuar ndërkohë që punonin, prej të cilëve 6 humbën jetën.

Miratimi i Statusit të Minatorit është një premtim që nuk u mbajt kurrë nga Qeveria aktuale, ndonëse Kryeministri Rama e ka miratuar që në vitin 2009.

Gjatë orës 10 të mëngjesit një grup minatorësh iu drejtuan ambienteve të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) për të kërkuar miratimin e statusit të minatorit.

Ata qëndruan në dyert e këtij institucioni për më shumë se një orë, megjithatë nuk u pritën nga asnjë përfaqësues i tij.

Mark Gjergji, i cili ka punuar në minierën e Bulqizës për 17 vite e tashmë ndodhet në pension, tha për “shteg.org” që arsyesja e grumbullimit pranë Ministrisë së Ekonomisë ishte ripërsëritja e kërkesave të bëra zyrtare ndër vite.

“Ne kërkojmë miratimin e statusit të minatorit, garantimin e kujdesit shëndetësor dhe indeksimin e pensionit,” – tha ish-minatori, i cili shton se pavarësisht vështirësive të hasura gjatë punimit të nëntokës, aktualisht ai merr një pension prej 22 mijë lekësh, që është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e përditshme.

“Indeksimi është bërë për deputetët dhe jo për minatorët, dhe ky është turp që pas gjithë atyre vuajtjeve të kemi një pension kaq të ulët. Ne duam që pensioni minimal për minatorët të mos jetë më pak se 540 mijë lekë të vjetra”, – tha Gjergji, sipas të cilit pagesa mujore e një minatori në Shqipëri nuk është më e lartë se 700 mijë lekë të vjetra.

Përveç pagesës dhe pensioneve të ulëta, një tjetër kërkesë e minatorëve është edhe siguria në punë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), në dy vitet e fundit, 2023-2024, në të gjithë vendin 345 aksidente kanë ndodhur në vendin e punës.

Nga këto, 55 aksidente kanë ndodhur në miniera, 6 raste prej të cilave janë shoqëruar me pasoja fatale për minatorët duke shkaktuar humbjen e jetës.

Nëse statusi i minatorit do të ishte, familjet e minatorëve të aksidentuar do të ishin mbështetur financiarisht nga shteti, duke mos e bërë më të vështirë jetesën.

Statusi, premtimi që nuk u mbajt kurrë

Statusi i minatorit është premtimi që nuk u mbajt kurrë nga Qeveria aktuale, ndonëse Kryeministri Rama ka premtuar firmosjen dhe miratimin e saj që në vitin 2009, kur ishte në opozitë.

Përballë ish-minatorëve të Gurit të Kuq në Pogradec, Rama premtoi përpara 16 viteve se do të miratonte statusin e minatorit në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

Rama u bë kryeminisitër në zgjedhjet e vitit 2013, megjithatë statusi nuk u miratua në 3 muajt e parë të qeverisjes, madje as në janar të vitit 2018, kur Qeveria dha mendim negativ për projektligjin e statusit të minatorit të propozuar nga deputetit Përparim Spahiu, në atë kohë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që sëbashku me PS-së mundësuan fitimin e zgjedhjeve.

Sipas Qeverisë, miratimi i këtij statusi do të sillte efekte negative në skenën e pensioneve dhe në buxhetin e e shtetit, megjithatë këto arsyetime “u harruan” 3 muaj më pas, më 16 prill të 2018, ku në një takim tjetër me minatorët Rama deklaroi: “Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”- tha Rama, ndërkohë që vitin e kaluar u shpreh se statusi është i miratuar dhe për minatorët është e kotë të vazhdojnë “historinë e statusit”, ndonëse nuk përmbushet asnjë nga pikat e kërkuara prej tyre ndër vite.

“Statusin e minatorit ne e kemi miratuar, ka kohë, nuk është e rastit që minatorët dalin në pension 10 vite para të tjerëve. Është në status, siç është dalja në pension para të tjerëve, janë edhe të gjitha përfitimet e tjera njësoj si kategoritë e tjera. Ne kemi vetëm me statuset e veçanta, me kompensimet, trajtimin e veçantë për drita etj., kemi 270 milionë euro. Tek këto 270 milionë euro përfshihen edhe minatorët” – deklaroi ai më 30 tetor të vitit të kaluar, çka nuk është pranuar nga minatorët dhe ish-minatorët, të cilët thanë për “shteg.org” se do të vazhdojnë të ngrijnë zërin e tyre.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.