Mungesa e provave por dhe të penduar të drejtësisë që ndryshojnë dëshmitë e tyre kanë detyruar prokurorinë e Posaçme të tërheqë akuzat e ngritura për vrasje ndaj Lulëzim Berishës dhe Plarent Dervishaj, ky i fundit i dëbuar nga Dubai pak kohë më parë.
Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi, gjetën vdekjen nga shpërthim i një sasie tritoli e vendosur në kabinën e ashensorit, ngjarje kjo e ndodhur mesnatën e 27 shkurtit 2005 në Tiranë.
Hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje ishin pezulluar, për t’u rihapur në vitin 2020 nga kryeprokurori i SPAK, në atë kohë Arben Kraja, i cili ngriti akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Si provë për prokurorinë shërbyen dëshmitë e të penduarve të drejtësisë që implikonin në vrasjen e biznesmenit dhe dy prej drejtuesve kryesorë, të grupit kriminal që në rekordet e organeve ligjzbatuese njihet si “Banda e Durrësit“.
I pari ishte Luftar Reci, i cili dëshmoi për prokurorët se kishte njohje e miqësi me Lulëzim Berishën e Plarent Dervishajn dhe se ishte Berisha që i kërkoi ti gjente një minë, e cila sipas tij u përdor për ekzekutimin e Vajdin Lamajt e mikut të tij.
I dyti ishte një shtetas maqedonas i cili u kontraktua për sigurimin e minave, por që në sallën e gjyqit i pyetur nga avokatët e të dyshuarve mohoi kategorikisht të ketë njohje apo lidhje me të akuzuarit apo familjarë të tyre.
Pas katër vitesh hetime prokuroria i kërkoi gjykatës rrëzimin akuzës ndaj Lulëzim Berishës dhe Plarent Dervishaj duke argumentuar se “nuk provohet kryerja e veprës penale nga ana e personave nën hetim”.
“Nga faktet e dhëna prej tij (Luftar Reci) nuk provohet përfshirja e personave nën hetim Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj në vrasjen e shtetasve Vajdin Lamajt e Artan Arsi”, arsyeton prokuroria.
Megjithatë prokuroria pranon se mina që u përdor në vrasjen e Lamajt është montuar në prani të të dyshuarve, porse nuk rezulton të kenë pasur dijeni për ngjarjen ku do të përdorej.
“Rezulton e provuar që lënda plasëse e përdorur është montuar në prani dhe të personave nën hetim në kohën e montimit dhe nuk është diskutuar se për çfarë do përdorej kjo lëndë plasëse. Aktiv në kryerjen e veprimeve ka qenë Indreit Taullai, i cili ka gjetur lëndën plasëse dhe këtë lëndë ia ka dhënë më pas të pandehurit Emiljano Shullazi. Në diskutimet e mëvonshme ka qenë Indrit Taullai dhe Viktor Ymeraj që kanë përfshirë veten e tyre në këtë vrasje. Këta të fundit janë akuzuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për rrëzimin e akuzave ndaj Devishajt dhe Berishës.
Gjykata e Posaçme e miratoi kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve, vendim që u përshëndet nga avokatët.
Ilia Ilia një prej dy avokatëve të të dyshuarve e konsideroi të drejtë dhe të bazuar në ligj vendimin e gjykatës, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Referuar dokumenteve gjyqësore të akuzuarit për vrasjes së Vajdin Lamajt, janë Emiljano Shullazi në rolin e organizatorit në bashkëpunim me Viktor Bajraktarin Imeraj, Indrit Taullain si dhe të penduarin e drejtësisë Luftar Reci.
Rënia e kauzave për vrasjen e biznesmenit duket se nuk shpëtojnë Berishën dhe kunatin e tij Dervishaj nga përballja e tyre me drejtësinë.
Një Gjykatën e Posaçme po zhvillohet hetimi gjyqësor ku ata janë të dyshuar se kanë organizuar vrasjen e Klodian (Kledian) Saliun si dhe vrasjen me dashje të mbetur në tentativë në dëm të Osman Trumës.
Po kështu nën hetim nga Prokuroria e Posaçme është një tjetër dosje, ata janë të dyshuar edhe për atentatin e kryer ndaj ish prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoi ku gjeti vdekjen shoferi i tij.
Ajo është gazetare në televizionin News 24 si dhe autore e emisionit “Në shënjestër”.
Prej më shumë se një dekade ajo raporton mbi aktualitetin dhe ka kryer një sërë investigimesh që implikojnë zyrtare të lartë të shtetit shqiptar me botën e krimit.
Për meritat e saj të veçanta dhe kurajon e treguar Klodiana Lala është nderuar edhe me çmime.