Të mbijetosh në spitalin Onkologjik

Arrestimi i mjekëve të spitalit Onkologjik “zbulon” farsën e shëndetësisë falas. Raportet tregojnë trajtimin çnjerëzor të pacientëve me sëmundjeve tumorale nga ana e sistemit shëndetësor shqiptar. Mbi 1000 pacientë nuk kanë marrë trajtim për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve mjekësore.

1128
Të mbijetosh në spitalin Onkologjik
Credit: LSA

Pesë vite më parë, M.T. sorollatej korridoreve të Spitalit Onkologjik në Tiranë duke u përpjekur të gjente ilaçe dhe kura për të ëmën, e cila ishte diagnostikuar me tumor në gjoks gjatë një kontrolli krejtësisht rutinë. Sëmundja agresive mund të mbahej sadopak nën kontroll vetëm përmes kimioterapisë, regjimi i së cilës përfshinte përdorimin e tre barnave: carboplatin, paclitaxel dhe bevacizumab. Por pavarësisht rrezikut që i kanosej, pacientja nuk e mori kurrë shërbimin e plotë që nevojitej dhe nga gjashtë seanca trajtimi me ilaçin bevacizumab, asaj iu aplikuan vetëm dy. Kërkesave të dëshpëruara të familjarëve për të marrë një përgjigje, stafi spitalor përgjigjej “se bari ishte në mungesë dhe se farmacia në qendrën më të madhe spitalore në vend, nuk e dispononte”. Gruaja humbi jetën pak muaj më pas si pasojë e një mjekimi të cunguar dhe një trajtimi aspak njerëzor nga mjekja që e ndiqte. 

“Maldive” në këmbim të vdekjes

Kryeministri Edi Rama dhe ish Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja në Qendrën Spitalore Universitare
Credit: LSA

Pavarësisht viteve që kalojnë, skema mbetet e njëjta: farmacisë qendrore i mungojnë ilaçet e trajtimit të sëmundjeve tumorale dhe mjekë e infermierë të këtij spitali i drejtojnë familjarët e pacientëve të sëmurë tek farmacitë private, duke e shndërruar këtë fenomen në një vdekje më të shpejtë për pacientët që s’kanë mundësi ekonomike të blejnë kurat e shtrenjta dhe një “biznes” shumëmilionësh për farmacitë dhe depot farmaceutike të lidhura me mjekët onkologë.    

Në ditët e fundit të muajit qershor, gjatë operacionit “Rrugëtimi”, prokuroria e Tiranës ndaloi shtatë persona, mes të cilëve Brikena Qirjazin, nëndrejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e ngarkuar me detyrë në shërbimin onkologjik, mjekët onkologë Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri (Pere), si dhe koordinatorin e këtij spitali, Emiljano Lela, të gjithë nën akuzë për “shpërdorim detyre”.

Pjesë e këtij rrjeti kriminal ishin edhe Florian Marku, administrator i një farmacie private, i akuzuar për “tregtim dhe transport të mallrave kontrabandë”, Halil Gashi, babai i mjekut Edmond Gashi, pronar në letra i klinikës private “Megis” për “fshehje të të ardhurave” dhe Drilona Kishta, ish-specialiste e departamentit të rrezatimeve, për “shpërdorim detyre”. Asnjëri prej të akuzuarve nuk përfundoi në qeli, pasi gjykata vendosi masa sigurie “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitjeje”. 

Hetimi nisi nga denoncimet e vijueshme të pacientëve apo familjarëve të tyre për mungesa në shërbimin spitalor, në barnat e nevojshme për kimioterapinë, mosfunksionimin e pajisjes së kobalto-terapisë në Spitalin Onkologjik, si dhe kostot e papërballueshme financiare me të cilat përballeshin personat e dëmtuar, ku si “zgjidhje” e vetme u jepeshin klinikat private.  

Prokurorët arritën të dokumentonin pas hetimeve se ilaçet që duhet të përdoreshin për të trajtuar pacientët në Spitalin Onkologjik, gjendeshin në farmaci private pa pullën fiskale ose me pullë të prishur, çka ngre dyshimin se barnat, ku vlera e vetëm njërit prej tyre arrinte deri në 1500 euro, kishin kaluar në mënyrë të jashtëligjshme nga farmacia shtetërore në ato private. 

Pjesë e skemës ishte dhe prishja e skemës së ndjekjes së pacientëve sipas një radhe të paracaktuar. Koordinatori Lela merrte pacientë nga mjekë të tjerë dhe i dërgonte tek mjeku Edmond Gashi, i cili nga ana e tij nuk i dorëzonte dosjet për pacientët, por i mbante në zyrën e tij, pasi këta pacientë dërgoheshin për të kryer privatisht të gjitha procedurat onkologjike tek klinika private e babait të Gashit, “Megis”. 

Në bisedat e zbardhura nga komunikimet në WhatsApp mes mjekëve nën hetim, prokuroria zbuloi se “pazaret” e operacioneve barazoheshin me shuma parash që mund t’i shpenzonin në destinacione luksi, si Maldive ose Tajlandë, kostot e të cilave paguheshin përmes “zarfeve” që jepnin pacientët me kancer. 

Pjesë e dosjes hetimore është edhe mosfunksionimi i pajisjes së kobalto-terapisë, e cila qëllimisht ishte nxjerrë jashtë funksionit, duke mos ofruar shërbime për pacientët që kishin nevojë. 

Në lidhje me skandalin e radhës në Spitalin Onkologjik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha se ndaj mjekëve që drejtojnë pacientët drejt spitaleve private, do të merren masa deri në heqjen e përhershme të licencës së mjekut. Por drejtuesja e këtij dikasteri nuk përmendi në asnjë moment se si mungesat në spitale ndikojnë në veprimet e mjekëve apo në cenimin e shëndetit të pacientëve. 

Filozofinë “Fajin e kanë mjekët, dhe jo sistemi” e ndoqi në fjalën e tij edhe kryeministri i vendit Rama, i cili bëri më shumë shfaqje mediatike se sa mori përsipër përgjegjësisë. Ai i cilësoi veprimet e mjekëve si “krime kundër njerëzimit”, megjithatë nuk harroi të mburrte punën e bërë në sistemin shëndetësor gjatë qeverisjes së tij, e cila hidhet poshtë nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kryeministri tha se sheh si zgjidhjen më të mirë për të luftuar korrupsionin kontraktimin e kompanive të huaja konsultuese, ndërsa deklaroi se do të kontraktojë menaxherë të huaj për të asistuar drejtoreshën e re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim luftën ndaj korrupsionit.

Në 10 vitet e fundit ka pasur rreth 26 arrestime mjekësh, por ndërhyrjet ndëshkuese së organeve ligjzbatuese nuk kanë përmirësuar sistemin shëndetësor, pasi pacientët me sëmundje të rënda kanë vijuar të ngrenë zërin për mungesat në trajtimin e tyre, fakte këto të dokumentuara edhe në raportet e institucioneve shtetërore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit “skanoi” Onkologjikun

Protesta para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale
Credit: LSA

Sipas të dhënave zyrtare, rastet e sëmundjeve tumorale janë në rritje nga viti në vit, ku mesatarisht shënohen 6000 raste të reja brenda vitit. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë i fataliteteve në vend, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit.

Në monitorimin e performancës së periudhës kohore 2020-2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një sërë shkeljesh të rënda për sa i përket trajtimit të sëmundjeve tumorale nga ana e sistemit shëndetësor shqiptar. 

Konkluzionet e këtij auditimi kanë arritur në përfundimin se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk kanë pësuar rritje në përputhje me numrin e rasteve dhe në këtë spital mungon ende njësia e kujdesit paliativ, çka do të mundësonte trajtimin e të sëmurëve me kancer në stadin terminal të sëmundjes.

Sipas KLSH-së, Regjistri Kombëtar i Kancerit nuk është i përditësuar me të dhëna reale, mangësi e cila ndikon drejtpërdrejt në hartimin e politikave kombëtare për sëmundjet tumorale. Ndërkohë, rezulton se 600 gra që vuajnë nga tumoret gjinekologjike nuk kanë marrë trajtim për shkak të mosfunksionimit të pajisjes mjekësore të brakiterapisë, 200 pacientë me tumore lëkure nuk u shërbyen me trajtim për shkak të mosvendosjes në funksion të aparatit të ortovoltazhit, si dhe 250 të tjerë nuk u trajtuan dot me shërbim radioterapie për shkak të mungesës se elementeve të nevojshme, si: tubusa, pompa dhe maska termo-plastike. 

Raporti thotë se Drejtoria e Përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka realizuar raporte monitorimi mbi treguesit e performancës spitalore në Spitalin Onkologjik, në lidhje mbi trajtimin e sëmundjeve tumorale. 

Gjithashtu, thuhet se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nëpërmjet Shërbimit të Onkologjisë nuk ka pasur efektivitet në programin e patronazhit ndërspitalor për edukimin në vazhdim të shërbimeve të kimioterapisë në Spitalet Rajonale, si dhe nuk ka raportuar 2 herë në vit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 

Të gjitha këto mangësi të vërejtura në auditimet klinike dhe teknike sjellin sipas ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezik të vazhdueshëm për pacientët si pasojë e uljes së cilësisë së shërbimit. 

Rëndësia e Regjistrit Kombëtar të Kancerit

Spitali Onkologjik
Credit: LSA

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në monitorimin e bërë përmend edhe Regjistrin Kombëtar të Kancerit, funksioni i të cilit është të grumbullojë, krahasojë, analizojë dhe interpretojë të dhënat e incidencës së kancerit, vdekshmërisë dhe mbijetesës.

Por auditimi ka treguar se nuk ka të dhëna në kohë reale për këtë regjistër lidhur me rastet e reja, ecurinë, si dhe mortalitetin e shkaktuar nga këto sëmundje. Kjo vjen për shkak të kalimit të përgjegjësive nga një institucion tek tjetri.

Nga ana e KLSH-së është vërtetuar se skedat e pacientëve të sëmurë me kancer, të cilat duhet të krijohen në momentin e regjistrimit në Spitalin Onkologjik dhe të vijojnë më pas me të gjithë ecurinë e sëmundjes me trajtimin përkatës, deri në shërimin apo mortalitetin e shkaktuar nga sëmundja, në fakt nuk kryhet. “Mosfunksionimi i të gjithë këtij zinxhiri të strukturave shëndetësore në raportim dhe në koordinim midis tyre tregon një performancë të dobët në statistikat zyrtare, ndonëse politikat shëndetësore qeveritare reklamojnë menaxhim dhe monitorim në kohë të kancerit”, thuhet në raport.  

Por denoncimet e vijueshme nga pacientë apo familjarë të dëshpëruar dhe të dorëzuar përballë një sistemi të kalbur shëndetësor, “skanimi” në themel i Spitalit Onkologjik nga ana e KLSH-së apo hulumtimet mediatike, duket se nuk mjaftojnë për autoritetet përgjegjëse që t’i japin zgjidhje situatës korruptive dhe aspak njerëzore në një prej spitaleve më të rëndësishëm të vendit. 

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.