Tenderat e Bashkisë Tiranë, 5 zyrtarë dënohen me burg

Gjykata e Posaçme dënoi me burg dhe ndalim për funksione publike ish-drejtoreshën Eglantina Zere dhe katër zyrtarë të tjerë, për shkelje të barazisë në një tender prej qindra milionë lekësh, të fituar nga kompani të lidhura me ish-drejtues të lartë të bashkisë.

492
Gjykata e Posaçme
Credits: shteg.org

Pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë, përfshirë ish-drejtoreshën e përgjithshme të “Tirana Parking”, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkelje të barazisë në tendera publikë. Vendimi u shpall të martën, më 17 qershor, dhe përfshin dënime me burg dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.

Sipas vendimit të gjykatës, Eglantina Zere, ish-drejtore e përgjithshme e “Tirana Parking”, së bashku me zyrtarët Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati, u shpallën fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Sipas akuzës, një tender i zhvilluar më 1 tetor 2019 nga “Tirana Parking”, me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te stadiumi Selman Stermasi” ishte manipuluar për t’i dhënë avantazhe të padrejta bashkimit të operatorëve “V.A.S Konstruksion” dhe “Rroku Guest”.

Prokuroria zbuloi se këto kompani ishin në mënyrë de facto nën kontrollin e Redi Mollës, ish-drejtor i Ujësjellësit Tiranë, dhe Mariglen Qatos, ish-drejtor i IMT-së, të cilët nuk ishin pjesë formale e procedurës, por ushtronin ndikim në mënyrë të tërthortë për të fituar tenderin.

“Verifikimi dhe vlerësimi i ofertave nuk është bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), por nga persona të tjerë të punësuar në shoqërinë private ‘5D Konstruksion’ sh.p.k., gjë që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin për prokurimet publike”, thuhet në konkluzionet e SPAK.

Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k.

Secili prej të pandehurve u dënua me 9 muaj burg, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 6 muaj burgim.

“Të pandehurit, në cilësinë e funksionarëve publikë dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” – vlerësoi gjykata.

Përveç burgimit, të pandehurve iu ndalua mbajtja e funksioneve publike për një periudhë prej pesë vitesh, në bazë të nenit 35 të Kodit Penal.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.