Tenderi 834 mijë euro i KESH, mesazhet që fundosin Benet Becin

Kryebashkiaku i Shkodrës nën hetim nga SPAK për favorizim në tender. Mesazhet e zbuluara në telefonin e bashkëshortes së një ish-zyrtari zbulojnë prapaskenat e përzgjedhjes së kompanisë fituese dhe ndarjes së fondeve publike.

456
Benet Beci dhe Evis Berberi, ish-drejtor i ARRSH-së
Credits: Facebook - Benet Beci dhe Evis Berberi, ish-drejtor i ARRSH-së

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, është zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Së bashku me Becin, janë vënë nën hetim edhe gjashtë persona të tjerë, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti. Të gjithë akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas dosjes hetimore, një tender i zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) më 13 janar 2020, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, dhe me fond limit prej 69.5 milionë lekësh pa TVSH (afro 834 mijë euro me TVSH), ka përfshirë Becin nën hetim, ku prokurorët kanë dyshime të arsyeshme në implikimin e tij në korruppsion.

Hetimet ndaj Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Becit janë nxitur nga provat e dala gjatë një hetimi paralel kundër Evis Berberit, ish-drejtor i ARRSH-së, i arrestuar më herët nga SPAK. Gjatë hetimeve ndaj tij, prokuroria sekuestroi dhe analizoi telefonin e bashkëshortes së tij, Adela Ruko, e cila rezulton të ketë qenë në atë kohë kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e KESH.

Gjatë analizës së telefonit, hetuesit kanë zbuluar komunikime direkte midis Adela Rukos dhe Benet Becit, i cili në atë periudhë ishte drejtor i KESH. Sipas hetimit, Ruko ka marrë udhëzime si nga Beci, ashtu edhe nga bashkëshorti i saj Berberi, për të siguruar favorizimin e një kompanie të paracaktuar në tender.

Në një nga SMS-të e gjetura, Evis Berberi i shkruan Benet Becit në mënyrë të drejtpërdrejtë:

“…500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Ky mesazh, sipas prokurorëve ngre dyshimet se pas tenderit fshihej një skemë ndarjeje të parave, në të cilën përfitues të drejtpërdrejtë do të ishin zyrtarët e lartë dhe persona të lidhur me ta.

Dokumentet tregojnë se tenderi është fituar nga kompania “Consulting & Management Albania” SHPK, në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari. Kjo kompani ishte e vetmja pjesëmarrëse në garë dhe bëri një ofertë sa 99.8% e fondit limit, një tregues tipik i mungesës së konkurrencës së lirë. Vetëm një ditë pas mbylljes së procedurës, kompania u shpall fituese, duke përforcuar dyshimet për paracaktim.

Sipas SPAK, kompania në fjalë dyshohet se do të shërbente si mjet për ndarjen e shumës së kontratës ndërmjet personave të përfshirë. Ndërsa një pjesë e parave pretendoheshin për profesorë të angazhuar nga Universiteti i Harvardit, pjesa tjetër do të shpërndahej në formë korrupsioni ndaj vendimmarrësve.

Më 4 nëntor 2024, Benet Beci u paraqit në ambientet e SPAK, ku dha deklarime për rreth 40 minuta. Ai nuk pranoi të komentojë për mediat ndërsa largohej nga Prokuroria e Posaçme. Në një reagim të mëvonshëm në rrjetet sociale, ai i mohoi akuzat duke i cilësuar “gënjeshtra”, dhe nuk bëri asnjë referim për një dorëheqje të mundshme.

Zyra e shtypit të Prokurorisë së Posaçme i tha “shteg.org” se “nuk ka informacione  për të ndarë me publikun në procedimin penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ndërsa Beci deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk komentoi hetimet dhe akuzat e ngritura ndaj tij.

Më 23 prill 2025, Prokuroria e Posaçme ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve, për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes dhe nevojës për analiza të mëtejshme të komunikimeve dhe dokumenteve të sekuestruara.

Benet Beci, një prej figurave më të promovuara nga Partia Socialiste në nivel vendor, përballet tani me akuza serioze që rrezikojnë jo vetëm karrierën e tij politike, por edhe legjitimitetin e administrimit të një fondi të rëndësishëm publik.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.