Mëngjesin e së premtes, më 6 Dhjetor 2024, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontroll në banesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ndërsa ky i fundit ndodhej në Gjermani për një vizitë zyrtare, siç e njoftoi më vonë përmes një postimi në Facebook.
Sa u raportua më vonë, në banesë, oficerët e hetimit kanë sekuestruar telefonin celular të Ajola Xoxes, bashkëshortes së zotit Veliaj ndërsa më pas, u mësua se ata kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut, si dhe në godinën në qendër të Tiranës, ku ndodhen zyrat e kompanisë së zonjës Xoxe, e cila kryen aktivitete në fushën e artit dhe organizimit të eventeve të ndryshme.
Kontrollet janë zhvilluar mbështetur në një urdhër të Gjykatës së Posaçme, ndërsa vetë Prokuroria deklaroi se nuk mund japë detaje duke qenë se ndodhet në fazën paraprake të hetimeve.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal” – deklaroi zyra e shtypit, duke konfirmuar avancimin e hetimeve të nisur ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij familjar.
Vetëm në mbrëmje, Veliaj reagoi përmes një statusit në rrjetet sociale, në të cilin ai jo vetëm sulmonte opozitën, si të “zhytur në llumin e korrupsionit” apo dhe median që sipas tij “luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”, por dhe se mirëpriste hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme.
“Hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap” – shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku vijonte më tej se ai dhe familjarët e tij do të jenë – ”gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”.
Vetëm 7 muaj më parë, në Prill 2024, kryebashkiaku i Tiranës u thirr në Prokurorinë e Posaçme ku qëndroi për më shumë se 7 orë, për të dhënë shpjegime për inceneratorin e Tiranës.
Në dalje, Veliaj pretendoi se Bashkia që ai drejton nuk kishte lidhje me procesin e inceneratorëve, ndërkohë që zyrtarë të lartë si ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, Taulant Tushe, janë arrestuar, akuzuar apo dhe dënuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Një dosje e dytë e cila ende vijon me hetimet është ajo që njihet se “çështja 5D”. Sipas SPAK dyshohet se në këtë çështje janë përfshirë në afera korruptive dhe shpërdorim detyre të paktën tre ish-drejtues të lartë të Bashkisë Tiranë, gjatë kohës që ajo drejtohet nga Erion Veliaj.
Por, përkundër dosjeve hetimore që prokurorët kanë në duar në lidhje me bashkinë e Tiranës, duket se kontrollet e ushtruara mëngjesin e së Premtes kanë të bëjnë më një hetimin pasuror të nisur ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Në një dokument të bërë publik gjashtë muaj më parë, SPAK i kërkon bankave të nivelit të dytë në Shqipëri që tu vendosin në dispozicion transaksione, llogari bankare dhe çdo veprim tjetër financiar të kryer nga Erion Veliaj, nëna e tij Shqiponja Veliaj, vëllai Arbri Veliaj dhe Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryebashkiakut.
Ka dyshime se në të paktën një rast duke iu referuar “qendrës Harabel” me bashkëthemeluese Ajola Xoxen mund të jetë përfshirë kompania e Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila sipas SPAK ka rezultuar se pronarët e vertëtë janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
“HARABEL është një qendër arti dhe mendimi bashkëkohor me qendër në Tiranë (Shqipëri), që fokusohet në promovimin e artit bashkëkohor si një formë shprehjeje dhe si mjet edukativ. HARABEL beson se arti duhet të jetë i arritshëm për të gjithë dhe duhet të integrohet në jetën e përditshme. Harabel është themeluar nga Ajola Xoxa, në rolin e promovueses së kulturës dhe Driant Zenelit, artist pamor” – thuhet në websitin zyrtar të organizatës.
Po ashtu kryebashkiaku Erion Veliaj dyshohet të jetë përfshirë në dhënien e lejeve të ndërtimit për subjekte dhe kompani me të ardhura të dyshimta.
Në një shkrim të më hershëm, “shteg.org” raportoi mbi hetimet e nisura për kompaninë të cilat dyshohet se pastronin paratë e pista në fushën e ndërtimit në Tiranë.
Gjykata e Tiranës sekuestroi 50 milionë euro pasuri të paluajtshme të lidhura me Elman Abulen e Kristian Boçin, sipërmarrës në energjetikë dhe përpunim skrapi të përfolur për lidhje të forta politike. Prokuroria tha se njëri prej tyre ka qenë i dënuar në Belgjikë dhe se pronat në fjalë dyshohet të jenë produkt pastrimi parash.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.