Thika në zemrën e Martinit na vrau të gjithëve

1196
Martin Cani protesta
Credit: shteg.org

Eh ç’mort në këtë mot! Thika çau zemrën e Martinit, 14 vjeç, nxënës i shkollës me emrin e klerikut paqësor “Fan Noli”. E vranë Martinin. E vrau një tjetër 14-vjeçar që edhe pas katër ditësh akoma s’ka pendesë. Ajo thikë në duart e një fëmije që sot ka epitetin vrasës, i mbylli jetën Martinit të vogël, por Martini e ka ende plagën e madhe hapur. Plagë shpirti që ska shërim në familjen e këtij djaloshi. “Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Si nënë që jam, uroj që askush të mos provojë një dhimbje të tillë. Me respekt Florina dhe Angel Cani”. Ky mesazh i shkurtër me brengë të madhe u lexua sot aty para Ministrisë së Arsimit, ku morën pjesë qindra qytetarë në protestën para institucionit më të rëndësishëm arsimor, i cili ngjante si “varr i hapur” për të pritur Martinë të tjerë!

Në protestë sheh plot prindër të ngrysur. Disa me lot përfaqe e të tjerë munden me e kapërdi lëmshin në grykë. Kishte edhe bashkëmoshatërë të Martinit, filiza të njomë që shkrehen në lot shpresëhumbur. Mjaft të rinj të tjerë duken, pa ngarkesën e prindit, por me vetëdijen e plotë qytetare se protesta për vdekjen sot, vlen për paqen e së nesërmes.

Kuja e nënës Florina që kapi kupën e qiellit, u kthye përsëri këtu në tokë. Vdekja erdhi në pragun e çdo shtëpie në vend. Nis fëmijën për shkollë me meraku se mos një ditë nuk do të kthehet me jetë, por i mbyllur në atë arkëmort të bardhë. Zi mban çdo familje. E ndjejnë se dhuna, droga, përgjakja, pasiguria dhe vdekja po shëtit lirë, pa i vënë fre kush. A mos e ndaloi gjë ajo ministri që ka emrin për arsim? Dhimbja është aty në shesh, tragjedi, ama drama e shpifur luhet në godinën e Ministrisë së Arsimit. Si mundet që një punonjëse (ndoshta nënë edhe ajo), hap dritaren e katit të tretë dhe zgërdheshur bën gjeste që të përziejnë dhimbjen me mllefin? Kjo ofiqare që të vjen gjynah për mendjen e saj pa mend, paguhet edhe me taksat e nënës së Martinit.

Të vjen të kapërcësh ato hekura që mendojnë se u ruan karrigen, rrogën, postin, partinë, idealin politik apo imoralin njerëzor që shfaqin, por sërish stepesh, ku ske frymë sa të ulërasësh deri në kupë të qiellit, sepse Martini duket sikur në sheh të gjithëve. Vëzhgojmë kudo, mos duket ndokund ndonjë mësuese e Martinit, drejtoreshë shkolle, roje, oficer sigurie a psikologe? Kërkund nuk gjenden. “Kanë frikë të dalin se humbin vendin e punës”-dëgjohet të thotë një i ri që mban një fjalim të shkurtër aty në protestë. A mos puna është më më vlerë se vdekja? A mos frika se humb punën vlen më shumë se liria për të protestuar? Sa vlen paga e shkartisur qoftë edhe me ndonjë shuk korrupsioni para jetës së fëmijës?

“Jep dorëheqjen”-janë të tjera brohorima në drejtim të Ministres së Arsimit Albana Koçiu. Koncepti i dorëheqjes qenka si “mort” për individë që mendojnë se posti është privilegj dhe jo detyrë. Drama më e madhe është se që nga ministrja, deputetë të kahut qeveritar dhe nëpunës “justifikohen” se krimi nuk ndodhi në ambientet e shkollës, por ca metra larg saj. “E kanë fajin rrjetet sociale, Tik Tok apo Snapchat”-mërmërisin të tjerë ofiqarë sot kur dëgjuan fjalën e kryeministrit dje. Fotot e Martinit në ato pakarta proteste të vrasin, bashkë me pyetjen se si nuk mundet ai ëngjëll që të mbysë makutërinë institucionale që pret të shkajnë ditët me idenë se gjithçka do harrohet.

Një vajzë e re që sapo mbushi 21 vjeç e cila ëndërron të bëhet prind shkuan me bojë të kuqe gjak: “Martin nuk do të harrojmë”. E la atë shkrim në murin e ministrisë sot, e ndoshta natën vonë do e fshijnë ata gjynahqarë të mendjes që quhen nëpunës. Një parrullë dhimbjeje edhe mund ta fshish, por vdekjen e Martinit jo. Na fal ëngjëll, dikush të vrau fizikisht, të tjerë moralisht duke iu fshehur përgjegjësisë dhe ne tjerët që protestuam në shesh, apo nga kudo ku ishim u vramë bashkë me ty, sepse ndihemi përgjëgjës, më shumë se të papërgjeshmit fajtorë që ende nuk reagojmë për gjënë më të shtrenjtë: jetën, të cilën ty ta morën!

Sebi Alla
Website |  + posts

Sebi Alla është gazetar me një ekperiencë të gjatë në median e shqiptare.

Alla ka punuar që nga viti 2000 në median e shkruar, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi si dhe ka kryer një sërë hulumtimesh.

Gjithashtu ai ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa media të shkruara në Shqipëri.

Alla ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës.