Thirrje për artikuj investigativë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri

sektori ndertimit ne shqiperi 1
Thirrje për artikuj investigativë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri

Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri (OCCRNA) hap thirrjen për përzgjedhjen e 4 gazetarëve që do të prodhojnë artikuj investigativë mbi sektorin e ndërtimeve në Shqipëri. Gazetarët e përzgjedhur, do të mentorohen nga redaktorë me përvojë në gazetarinë investigative dhe do të publikohen në portalin shteg.org.

Kjo thirrje zhvillohet në kuadër të projektit “Promovojmë transparencën dhe luftojmë kulturën e pandëshkueshmërisë përmes raportimit investigativ”, të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Projekti synon të ekspozojë korrupsionin në sektorin e ndërtimit dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë shqiptare.

Katër gazetarë do të financohen dhe do t’u mbulohen shpenzimet për të kryer investigime lidhur me çështjet korruptive në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Secili gazetar do të ketë tre muaj kohë për të përfunduar investigimin dhe për përgatitjen e shkrimit për publikim.

Për çdo investigim gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë shumën prej 1300 USD (nga e cila zbritet taksa e të ardhurave personale) dhe do të kërkohet që të përfundojnë investigimin e tyre dhe ta përgatisin për publikim brenda tre muajve. Gazetarët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet e përcaktuara për investigimet, ku përfshihen: respektimi i standardeve të gazetarisë investigative si dhe kodit të etikës, konsultimet dhe takimet me redaktorin përgjegjës, publikimin e investigimit në portalin “shteg.org”.

Gazetarët aplikues pritet që të plotësojnë një propozim të detajuar i cili do të dërgohet në adresën e redaksisë SHTEG dhe do të vlerësohet nga një juri prej tre vetash, ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët aplikues mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim do të përzgjidhet.

Kush mund të aplikojë:

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë mediave të tjera apo në profesion të lirë. Pranohen edhe temat e realizuara nga grup gazetarësh, gjithsesi shuma totale për investigimin do të jetë po njësoj si të ishte një gazetar i vetëm.

Të gjithë gazetarët mund t’i dërgojnë propozimet e tyre në emailin [email protected]

Aplikimi do të përmbajë:

Subject: Aplikim për gazetar investigativ _ NED Project

Text: Formularin e aplikimit (propozimi i detajuar i investigimit)

CV-në e gazetarit (ose të çdo anëtari të grupit)

Afati i Aplikimit: 30 shtator 2025

Njoftimi i kandidatëve: do të jetë – Tetor 2025 (kandidatët e përzgjedhur kontaktohen me
email).