Tom Doshi përballë prokurorëve të SPAK

Për rreth dy orë Doshi ka dhënë shpjegime për prokurorët për një çështje që sipas tij ka të bëjë me hetimet e nisura në Bashkinë Rrogozhinë.

576
Tom Doshi në Prokurorinë e Posaçme
Credits: LSA

Tom Doshi, ish-deputet i Partisë Socialiste në vitet 2009 dhe 2013 është paraqitur mëngjesin e së hënës, më 24 shkurt 2025 në Prokurorinë e Posaçme.

Mediat shpërndanë një video të Doshit teksa ai hynte i buzëqeshur në ambientet e prokurorisë, ku ai ka qëndruar për rreth dy orë.

Zyra e shtypit të Prokurorisë së Posaçme nuk sqaroi rrethanat apo motivet e paraqitjes së Doshit në prokurori, por ai i deklaroi gazetarëve se ishte thirrur si person që ka dijeni një procedim penal të nisur nga SPAK.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, tha se u pyet për zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK.

“Kam bërë një takim në Rrogozhinë dhe personi që kam takuar ka qenë në përgjim. Kaq. U pyeta a keni dijeni” – deklaroi Doshi.

Ndërkohë zyra e shtypit të SPAK nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me marrjen në pyetje të ish-deputetit. Kjo nuk është hera e parë që Doshi përfundon në dyert e prokurorisë. Përballja e parë e Doshit me ligjin ndodhi në fillim të viteve 2000.

Në vitin 1990, gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai u dënua me një vit burg për sjellje të pahijshme, pasi përfshirja e tij në një sherr në gjendje të dehur në qytetin bregdetar të Durrësit përfundoi me goditjen me thikë të një personi.

Largohet nga Shqipëria për në Australi pas viteve 90-të por u rikthye si biznesmen ku në në vitin 2000 firma e tij “Aldosch sh.pk” fitoi tenderët për të blerë dy kompani të mëdha shtetërore në sektorin e qumështit dhe atë farmaceutik.

Pas kësaj Doshi u përfshi në politikë. Ai siguroi mandatin e tij të parë në parlament në 2005 si kandidat socialist, për të përfaqësuar qytetin e tij të lindjes, Shkodrën.

Në vitin 2015, autoritetet e akuzuan Doshin për deklarim të pasaktë të pasurisë së tij në vlerën 14 milionë euro. Por ndonëse hetuesit shqyrtuan pallatet, magazinat, apartamentet, fabrikat dhe makina luksoze si në Australi ashtu edhe në Shqipëri, ai u shpall i pafajshëm. Një grup akuzash lidhur me pastrim parash u gjykuan, për përfundim të të cilave ai nuk u gjet fjator.

Një vit më pas, Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Doshin duke e shpallur non grada për “përfshirje në korrupsion madhor”.

Sipas deklaratës, “Departamenti e shpalli publikisht” z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara.

“Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, – thuhej në deklaratë.

“Ligji kërkon gjithashtu që Sekretari i Shtetit të dizenjojë zyrtarë të tillë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjet e tyre. Përveç dizenjimit të z.Doshi, Departamenti dizenjon publikisht edhe bashkëshorten e z.Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur Briana Doshi, djalin e tij të rritur James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur,” – vijonte më tej deklarata.

E ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 po afroheshin u rrit dhe presioni kundër tij – duke përfshirë deklaratat publike të ambasadores së atëhershme amerikane, Yuri Kim – duke e detyruar atë të jepte dorëheqjen.

Doshi u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015 me duartrokitje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, pasi akuzoi publikisht Ilir Metën (aktualisht i arrestuar), ish-President i Republikës, për një komplot vrasjeje ndaj tij.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.