“Toyota Yaris”, Prokuroria e Posaçme kërkon mbi 4 vite burg për ish-prokurorin e Vlorës

Aurel Zarka është i vetmi i ndaluar, ndërsa personat e tjerë të akuzuar bashkë me të, ish-oficerja e Policisë Gjyqësore, Erjona Dauti, biznesmeni Astrit Vladi si dhe avokati Radovan Çela, nuk janë gjetur ende nga Policia e Shtetit.

395
Aurel Zarka
Credits: shteg.org

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shpalljen faktor të Aurel Zerkës, ish-drejtues i Prokurorisë së Vlorës për veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit: Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.

Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi.

Zarka është i vetmi i ndaluar, ndërsa personat e tjerë të akuzuar bashkë me të, ish-oficerja e Policisë Gjyqësore, Erjona Dauti, biznesmeni Astrit Vladi si dhe avokati Radovan Çela, nuk janë gjetur ende nga Policia e Shtetit.

Sipas prokurorit të çështjes, ish kolegu i tyre dyshohet se ka vepruar në shkelje të ligjit në të paktën pesë raste ku SPAk pretendon se ka prova mbi të cilën kanë ngritur akuzat e “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë,  “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Prokurori Braho, në leximin e kërkesës për gjykim tregoi episodet ku ish-prokurori ka vepruar në kundërshtim me ligjin, të evidentuara këto në komunikimet SkyECC.

Përmes aplikacionit, ku investigimet kanë treguar se përdoreshin gjerësisht nga grupet kriminale, dyshohet se Zarka ka komunikuar me persona të tjerë për të kërkuar përfitime monetare në këmbim të ndikimit në një çështje penale në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.

Prokuroria nuk ka mundur të provojë shumën e parave për të cilët dyshohet se ka marrë ish-kolegu i tyre por pretendon se provat që ish-prokurori ka ndikuar një një çështje që ka të bëjë me trafikun e lëndëve narkotike.

Bazuar në hetimet, SPAK pretendon se një rast tjetër kur Zekra ka ushtruar ndikimin e paligjshëm ka të bëjë me ndryshimin e masave të sigurimit për Alfred Vladin e të pandehurit të tjerë, një çështje kjo e njohur, si “Toyota Yaris”.

Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

“Provohet fakti se Eriona Dautaj ka marrë përfitime të parregullta në vlerën 10 mijë euro me pretimin se do të paguante Elisabeta Imeraj e cila do të ndikonte tek gjyqtarja dhe tek të dy prokurorët e çështjet me qëllim favorizimin e Alfred Vladit dhe të pandehurve të tjerë” – deklaroi në sallën e gjyqit prokurori Klodian Braho.

Duke iu referuar përgjimeve mes avokatit Radovan Çela dhe ish-oficeres së policisë Eriona Daupaj, SPAK pretendon dhe përfshirjen e Zekës edhe kur bëhet fjalë për përshpejtimin e hetimeve në ngarkim të vëllezërve Vladi.

“Radovan Çela i ka dhënë Eriona Daupajt shumë prej 50 mijë euro me qëllim që kjo shumë ti jepej Elizabeta Imerajt me qëllim që të ndikonte tek prokurorët e çështjes për të përfunduar hetimet në një kohë sa më të shkurtër dhe të favorshme në ngarkim të të arrestuarve” – parashtroi prokurori Braho.

Në episodin e pestë, në pretencën e lexuar përballë togave të zeza, Braho deklaroi se ekzistojnë dyshime të mbështetur në prova se ish-kryeprokurori i Vlorës është i përfshirë edhe në hetimit pasuror të nisur nga Prokuroria e Tiranës për vëllezërit Vladi.

Eriona Daupaj, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, ka pranuar dhe kërkuar ryshfet nga Radovan Çela për të favorizuar subjektet. Edhe në këtë episod, Zarka ka luajtur rol ndërmjetësues.

SPAK kërkoi që Zarka të shpallet fajtor duke kërkuar dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Zerka përfiton uljen me një të tretën të dënimit, dhe nëse ai gjendet fajtor rrezikon dënimin me 3 vite heqje lirie.

Në përfundim të hetimeve, SPAK ka veçuar një numër të konsiderueshëm aktesh dhe komunikimesh që mund të çojnë në akuzat për përfshirjen e funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Disa nga këto komunikime përmendin emra të tjerë të lidhur me sistemin gjyqësor, të cilët mund të kenë ndikuar në çështje të caktuara, duke kërkuar përfitime për veprime të lidhura me detyrën e tyre.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.