“Toyota Yaris”, SPAK dërgon për gjykim edhe 2 të pandehur të tjerë

Pas përfundimeve të hetimeve në këtë fraksion të dosjes nga Struktura e Posaçme kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është kërkuar dërgimi për gjykim i Astrit Vladit dhe avokates Erida Lazimi.

59
Avokatja Erida Lazimi
Credits: shteg.org - Avokatja Erida Lazimi

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim Astrit Vladin dhe avokaten Erida Lazimi, të dy të përfshirë në dosjen “Toyota Yaris” dhe të akuzuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas hetimeve të përfunduara të SPAK-ut, rezulton se 5 vite më parë Astrit Vladi i ka kërkuar avokates Lazimi, tashmë e pandehur, të ndikonte në mënyrë të paligjshme në seancën paraprake gjyqësore ku i përfshirë ishte dhe vëllai i tij, Alfred Vladi.

“E pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar personat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që sipas legjislacionit shqiptar personi që propozon në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ose tërthorazi apo që siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe në marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vite.

Ndërkohë, funksionari publik që e pranon këtë propozim apo kërkon përfitim të parregullt për marrjen e një vendimi dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vite.

Pas dërgimit për gjykim të Vladit dhe Lazimit, Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet paraprake për episode të tjera që lidhen me kryerjen e veprave penale të korrupsionit pasiv, ose atij aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të funksionarëve të tjerë të drejtësisë në të njëjtën dosje, “Toyota Yaris”.

Në muajin prill të këtij viti, “shteg.org” raportoi se Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të ish-drejtuesit të Prokurorisë Vlorë Aurel Zarka, pasi ka vepruar në shkelje të ligjit në të paktën 5 raste raste për të cilat SPAK ka pretenduar se ka provat e mjaftueshme për të ngritur akuzat: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas hetimeve, ish-prokurori Zarka ka përdorur aplikacionin SKYEcc për të komunikuar me persona të tjerë për të kërkuar përfitime monetare në këmbim të ndikimit në një çështje penale në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, ndërkohë që SPAK ka pretenduar se ai ka ushtruar ndikim të paligjshëm edhe në ndryshimin e masave të sigurimit për Alfred Vladin dhe të pandehur të tjerë në dosjen “Toyota Yaris”.

Gjithashtu, pas hetimeve të zhvilluara në kuadër të kësaj dosjeje është dënuar në maj të këtij viti, me 2 vite e 8 muaj burg avokati Radovan Çela pasi ka ofruar, pranuar dhe ndërmjetësuar përfitime të paligjshme me qëllim që të ndikohej vendimmarrja e funksionarëve të drejtësisë. Konkretisht, ai përballet me dy raste korrupsioni aktiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve (një në bashkëpunim) si dhe me pesë raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, katër prej të cilave në bashkëpunim.

Fillimisht Çela u dënua me 4 vite burg, dhe më pas përfitoi në uljen e dënimit në bazë të gjykimit të shkurtuar. E ashtuquajtura dosje “Toyota Yaris”, e nisur nga një ngarkesë e dyshimtë parash në portin e Durrësit, ka evoluar në një gur prove të kapjes së drejtësisë. Që nga sekuestrimi i 3.4 milionë eurove, janë ndërtuar akuza për korrupsion, pastrim parash dhe favorizim të të pandehurve, përfshirë edhe përfitime për llogari të personazheve si Suel Çela, i lidhur me botën e krimit në Elbasan.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.