U shkarkuan nga Vetingu, çifti i gjyqtarëve në kërkim të pasurisë

Shkëlzen dhe Rilinda Selimi po përballen me drejtësinë që nga prilli i vitit 2021 kur Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë e tyre në Vlorë.

656
Shkelzen Selimi
Credits: shteg.org

Ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga procesi i vetingut për shkak të fshehjes së kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar, u përball sot me Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në lidhje me konfiskimin e pasurisë së tij.

Ish gjyqtari dhe bashkëshortja e tij po përballen me me akuzat e fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rreme, pasi një hetimit të nisur nga Prokuroria e Posaçme 3 vjet më parë.

Seanca e së premtes, 7 shkurt 2025 në Gjykatën e Posaçme, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, kishte në fokus aktin e ekspertimit mbi të cilin është mbështetur akuza mbi pasuritë e ish-gjyqtarit.

Një ndër pasuritë e vëna nën sekuestro është një karburant në Lungomare, Vlorë, me vlerë 250 mijë euro, të cilin Selimi pretendon ta ketë blerë me të ardhura nga një kredi bankare, shitja e një apartamenti dhe kursime personale. SPAK, duke zbatuar ligjin anti-mafia, e ka vendosur këtë pasuri nën hetim, duke ngritur dyshime për burimin e fondeve.

Në seancën e sotme, avokati mbrojtës Ylli Manjani kundërshtoi aktin e ekspertimit të përdorur nga prokuroria, duke i cilësuar aktet e prokurorisë si të njëanshme dhe të pavlefshme.

Ekspertët nuk ishin të pavarur, por të lidhur me prokurorinë, argumentoi në sallën e gjyqit avokati, duke pretenduar se akti ishte i mbështetur në prova të dyshimta dhe mbi dy variante kontradiktore.

“Akti i 3 në fazën e hetimit, në të cilin u bazua dhe konfiskimi, ishte një provë me dy variante, e cila nuk mund të merret për bazë. Debati gjyqësor, në seancën e shkuar u shkaktua nga një variant i dytë artificial. Akt i provokuar nga ana e tyre.” – u shpreh Manjani, drejtuar gjykatës.

Në vijim të debatit gjyqësor, Manjani kërkoi që akti i ekspertimit të shpallet i pavlefshëm, duke pretenduar se nuk është profesional. Për më tepër, ai kërkoi pushimin e çështjes, duke theksuar se prova e vetme e paraqitur nga akuzat është e pabazë.

Nga ana tjetër, prokurorja Musabelliu mbrojti vlefshmërinë e aktit ekzistues dhe refuzoi dokumentin alternativ të paraqitur nga Selimi dhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja Rilinda Selimi. Ajo argumentoi se ekspertiza e tyre nuk ndiqte procedurat ligjore dhe nuk kishte legjitimitet para gjykatës.

Pas shqyrtimit të argumenteve, gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për shpalljen e pavlefshmërisë së aktit të ekspertimit dhe rrëzoi pretendimet për shkelje procedurale nga prokuroria. Gjyqtarja Hajredinaj urdhëroi një akt të ri ekspertimi, dhe caktoi seancën  e radhës më 24 shkurt 2025.

Çifti i gjyqtarëve po përballen me drejtësinë që nga prilli i vitit 2021 kur Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë e tyre.

SPAK duke zbatuar ligjin anti-mafia, i ka sekuestruar ½ e një karburanti në Shëtitoren Lungomare në Vlorë.

Karburantin ish gjyqtari e ka blerë në vitin 2013 për me vlerë 250 mijë euro. Ai pretenduar si burim një kredie me vlerë 6.6 milionë lekë, shitjen e një apartamenti dhe një garazhi në Vlorë me çmim rreth 79 mijë euro si dhe kursimet e tij me vlerë rreth 20 mijë euro. Karburantin e ka dhënë me qira me vlerë rreth 60 mijë USD në vit.

Selimi u shkarkuar nga KPK-ja në korrik të 2018, për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar si dhe për fshehjen e këtyre kontakteve. Ish-gjyqtari e ankimoi vendimin, por u shkarkuar nga Kolegji i Apelimit me vendim të formës së prerë në shkurt të 2019. Duke qenë se ish gjyqtari u shkarkua vetëm për pastërtinë e figurës, karburanti nuk ka qenë objekt diskutimesh gjatë seancave të procesit të Vetingut.

Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar. Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, ndërkohë që shumica e trupit gjykues nuk gjeti probleme shkarkuese për pasurinë.

Ish-gjyqtari Selimi është në proces gjyqësor për veprën penale të deklarimit të rremë të pasurisë mbi bazën e një hetimi të nisur tre vjet më parë nga SPAK.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.