Procedurat penale duket se do t’i garantojnë Vangjush Dakos, ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, masa më të ulëta dënimi nëse do të gjendet fajtor për akuzat e shpërdorimit të detyrës.
Dako do të përfitojnë uljen e ⅓-s së dënimit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi të premten, më 19 korrik 2024, kërkesën për vijim të procesit gjyqësor në ngarkim të tij me gjykim të shkurtuar.
Ish-kryetari më jetëgjatë socialist në bashkisë e Durrësit herë pas herë është vendosur nën akuzë nga opozita për lidhjet e tij me grupet kriminale, ndërkohë që më vitin 2019 u shpall person i padëshiruar nga Departamenti i Shtetit me argumentin e përfshirjes së tij në “korrupsion madhor”.
Dako, i cili drejtoi Bashkinë e Durrësit për tre mandate në periudhën 2007-2019, u arrestua në qershor të 2023-shit, së bashku me 9 ish-zyrtarë të bashkisë dhe sipërmarrësin e një kompanie private.
Pas pothuajse një vit hetimi prokuroria pretendon se ka të provuar implikimin e tij në veprimtari të jashtëligjshme për dy ngjarje: një që ka të bëjë me një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2011 dhe një të dytë për abuzimet me fondet publike sa i përket procedurave të një tenderi konsulence.
Rasti i lejes abuzive ka të bëjë me një pallat të ndërtuar në vitin 2011 në qendër të Durrësit. Prokuroria dyshon se leja iu dha kompanisë “Fakle” dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe apartamentet ishin shitur. Për më tepër, pallati nuk ishte ndërtuar sipas projektit të miratuar pasi kishte katër kate shtesë. SPAK-u e akuzon ish-kryebashkiakun se ka tejkaluar kompetencat duke legalizuar një ndërtesë pa leje.
Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria kërkon shpalljen e Dakos fajtor, ka të bëjë me një procedurë prokurimi, me konsulencën e kërkuar gjatë periudhës 2014-2015. Bashkia e Durrësit kërkoi shërbim konsulence për sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Sipas SPAK-ut, komisioni i prokurimit është ngritur me urdhër të Dakos, i cili llogariti si fond limit një vlerë gati dhjetë herë më të madhe se ajo që parashikonte ligji, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 18 milionë lekësh.
Abuzimet ishin konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërsa ish-kryetari i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, kishte bërë më herët kallëzim penal.
Dako pretendon se nuk ka pasur dijeni për procedurat e ndjekura pasi fondi është llogaritur nga ekspertët e prokurimeve, por gjithsesi do të jetë hetimi gjyqësor që pritet të vijojë në shtator që do të vërtetojnë implikimin e kryebashkiakut më të përfolur socialist në këto afera korrruptive
Pushteti i Dakos

Ishte tetori i vitit 2018 kur nga përgjimet e mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një grupi të dyshuar për trafik droge rrodhën në media bisedat e transkriptuara telefonike të tyre me Vangjush Dakon, asokohe kryetar në detyrë i Bashkisë Durrës.
Bisedat tregonin raportet “miqësore” të kryebashkiakut me persona të akuzuar nga drejtësia si anëtarë të grupeve kriminale të cilët dyshohet se u angazhuan për të shtuar votat e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Aso kohe opozita e akuzoi Dakon të lidhur me strukturat e krimit të organizuar dhe të përfshirë në skemat e shitblerjeve të votave, ndërsa ai mbrohej se komunikimet nuk ishin gjë tjetër veçse telefonata të rëndomta në kuadër të “marrëdhënies me elektoratin”.
“Kjo është politika. Ai bën një luftë për mua, fiton vota, jep një kontribut dhe ti nuk mundke t’i bësh një telefon?!” – deklaronte Dako në studio televizive teksa edhe e etiketonte veten si “supermen”, i aftë për të takuar mijëra qytetarë gjatë fushatave elektorale. Nën këtë dinamikë “rutine” argumentonte edhe takimet me trafikantët e drogës.
Publikimi i bisedave telefonike nuk ishin rast i izoluar i Dakos që tregonte lidhjet e tij me botën e nëndheshme.
Në dhjetor 2016 Gjykata e Apelit liroi me kusht Lulzim Berishën, një person i shpallur fajtor për trafik droge, prostitucion dhe dhjetëra vrasje gjatë viteve ‘90 dhe fillim vitet 2000.
Berisha u lirua “për sjellje shembullore” dhe falë garancisë për angazhimin në punë vullnetare dhënë nga Bashkia Durrës, e cila drejtohej nga Vangjush Dako.
Në dhjetor 2021 Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e Apelit për lirimin e Berishës, mirëpo ky ishte larguar nga Shqipëria.
Mediat zbuluan se Bashkia Durrës ishte angazhuar në të paktën 30 raste për të liruar me kusht të dënuarit duke ofruar “dënime alternative me punë vullnetare”.
Për lidhjet e tij me eksponentë të krimit të organizuar dhe implikimet në shitblerje të votave Dako nuk u akuzua kurrë zyrtarisht, por në vitin 2019 Edi Rama nuk e vendosi më në listën e kandidatëve për kryetar bashkie të Partisë Socialiste të Durrësit. Më pas Dako dha dhe dorëheqjen nga funksionet drejtuese të partisë dhe pak muaj pas largimit, Departamenti i Shtetit shpalli “Non Grata” me arsyetimin që është i përfshirë në korrupsion madhor, ndaj dhe sanksionoi ndalimin e tij dhe të familjes të hyjë në SHBA.
Por e shkuara e Dakos numëron të tjera akuza dhe aludime.
Në shkurt 2015 ai u akuza për abuzime me ndarjen e banesave sociale. Opozita pretendoi shkelje dhe ndarje të padrejtë për 150 banesa sociale të ndërtuara në fund të vitit 2011. Akuzat e opozitës vijuan ndaj Dakos edhe për tjetërsimin e listave zgjedhore duke pretenduar se Durrësit i ishin shtuar 2,700 banorë vetëm për efekt vote në zgjedhjet vendore.
Nga ana tjetër, përfshirja e vëllait të Vangjush Dakos në sektorin e ndërtimit është shoqëruar vazhdimisht me akuza për klientelizëm. Akuza të tjera për cilësi të dobët dhe abuzime në punime u shtuan në rrafshin publik pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku shumë pallate në Durrës u dëmtuan rëndë.
Megjithëse larg politikës aktive, Dako do të vijonte të gëzonte mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili deklaronte hapur miqësinë me të.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit Amerikan kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër, do jetë miku im,” do të shprehej Rama në shkurt 2020 në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.