Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar sot, 20 janar 2025, hetimi gjyqësor në ngarkim të Altin Hajrit, i dyshuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës.
Hajri nuk është arrestuar ende nga policia por hetimi gjyqësor ka vijuar gjatë seancës së sotme me dëshmin për ngjarjen nga familjarët e Prengës, i rrëmbyer një vit më parë.
Pamjet e siguruara nga Policia e Shtetit e tregonin atë në bodrumet një resorti në Shijak, pronë e Hajrit, ku është edhe vendi i fundit që ai është parë. Ndërkohë, trupi i tij ende nuk është gjetur, për gjatë seancës së sotme vëllai i tij, Anton Prenga ka dëshmuar se si ka negocuar me trafikantët e drogës për lirimin e tij nga Londra.
Anton Prenga i pyetur nga prokurorët dëshmoi para togave të zeza se ka qenë bashkëshortja e Jan Prengës e cila e ka njoftuar atë për rrëmbimin e të vëllait më 17 janar 2020.
“U telefonova nga bashkëshortja e Janit, Maria por për shkak të punës nuk munda të përgjigjesha, isha në Londër. Me të mbaruar punë e telefonova dhe më tha që Janin e kanë grabitur. Menjëherë telefonova vëllain tjetër, Astritin. Ai më kërkoi të takoheshim dhe të flisnim nga afër.
“U takuam unë, Astriti dhe Gëzim Shullani, ata më sqaruan për një grabitje që kishin bërë në Britani, rreth 60 kg kokainë dhe para, në dijeni të tyre ishin pronë e një anglezi” – nisi të rrëfejë Antoni duke shtuar se pikërisht kjo kokainë e zhdukur në Angli ishte dhe një nga arsyet pengmarrjes së Janit.
Anton Prenga i tregoi gjykatës edhe negociatat me trafikantët e kokainës për lirimin e të vëllait.
“Me të grabitur “mallin” Astriti dhe Gëzimi ishin telefonuar nga Gent Doçi si pronar i “mallit”. Por pronarë të tjerë kishin dalë me rradhë si Gramoz Rexhepi, Gentian Bleta dhe Korado.
Duke mos ditur kush ishte pronar i “mallit”, Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani kanë qenë skeptik për kthimin e tij, por e kanë kthyer mallin në këmbim të kthimit të pengut pra vëllait të Astritit, Jan Prenga. Mirëpo Jani nuk u kthye kurrë”, – u shpreh Anton Prenga.
Ndërkohë që dhe vëllai i vogël Ndrekë Prenga, asokohe ka qenë në burg në Britani, por edhe atij i është bërë e ditur situata e grabitjes së mallit dhe pengmarrjes së vëllait.
Me shpresën se mund të shpëtonte jetën e Janit, të nesërmen e rrëmbimit të tij, Anton Prenga është kthyer në Shqipëri.
“U takova me babain e Gëzimit, Nikollë Shullani, më pas me babain e Gent Doçit të cilët më nuk ishin në dijeni të situatës por më thanë do të njoftojmë. Shkova dhe në shtëpinë e Korados por atje ishin gjyshërit e tij të cilët nuk ishin në dijeni për asgjë. U thirra në Polici pas disa ditësh dhe dhashë dëshminë.” – tregoi Prenga.
Për të dëshmuar përballë trupës gjyqësore ishte thirrur edhe bashkëshortja e Jan Prengës, por për shkak se ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë, ajo nuk ishte prezent në gjykatë.
Nga ana e prokurorit u kërkua verifikim dhe marrje e masave për të siguruar pjesëmarrjen në seancën e radhës.
Përpara trupës gjykuese dëshmoi dhe nëna e Jan Prengës, znj. Tone Prenga, e cila ende kërkon nga drejtësia gjetjen e të birit.
“U bënë 5 vite që kur djali im ka humbur, nuk di më shumë detaje për situatën, i bëj thirrje shtetit të më gjejnë djalin”.
Altin Hajri nuk është arrestuar ende nga policia ndërsa në lidhje me këtë ngjarje, më herët gjykata ka dënuar Festim Bexhdilin me burgim të përjetshëm, ndërkohë ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë, proces i cili është drejt fazës së fundit.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz në vitin 2020, pasi dyshohet se vëllai i tij kishte vjedhur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Angli.
Për shkak të dhunës së ushtruar në automjetin tip “Range Rover” ai humbi jetën rrugës drejt një resorti në Shijak, pronë e Hajrit, ku është edhe vendi i fundit që ai është parë. Ndërkohë, trupi i tij ende nuk është gjetur.
Policia provoi me anë të pamjeve filmike praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm kopshtari Festim Bexhdili.
Emri i Altin Hajrit u bë i njohur për gjatë operacionit Enigma të 2015-s, ku u arrestuan 16 persona, u sekuestruan 450 kilogramë drogë e përpunuar dhe me qindra kilogramë marjuanë dhe kokainë. Ai u shapll në kërkim së bashku me vëllain e tij, Emiljanin, të cilësuar si “koka të grupit”.
Hajri rezulton i arratisur nga drejtësia që prej qershorit në 2017, kur u dënua në mungesë me 7 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.