Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej dy javësh, ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale, duke sulmuar prokurorin e çështjes, Olsi Dado.
Në postimin e tij, i 19-ti në Facebook prej ditës së arrestimit, Veliaj ka publikuar një pjesë të procesverbalit të seancës së 12 shkurtit, ku pretendon se prokurori e ka quajtur “ndyrësirë”.
Në një koment të gjatë, Veliaj bashkangjitur fotos, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të dialogut të ndodhur në sallë e gjyqit, shkruante:
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëlmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më.”
Pas këtij postimi, kanë reaguar, institucionet e drejtësisë të cilat kanë hedhur poshtë pretendimin e kryetarit të Bashkisë. Fillimisht ishte Gjykata e Posaçme (GJKKO) e cila në një deklaratë publike rrëzoi pretendimet që Veliaj ngriti nga qelia e paraburgimit.
“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment” -thuhet në deklaratën që Gjykata shpërndau për median.
Pretendimet e kryebashkiakut i ka rrëzuar edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) e cila gjithashtu shpërndau për media një pjesë të saktë të procesverbalit të mbajtur në seancën gjyqësore të 12 Shkurtit 2025 ku u vlerësua masa e arrestit ndaj Veliajt.
Nga dokumenti i SPAK lexohet se prokurori Dado ti jetë drejtuar kryebashkiakut në seancën e vlerësimit të masës së arrestimit me fjalët- “S’ke turp që përmend banesën e prokurorit, çfarë është kjo, kërcënim”.
Përveçse publikimit të procesverbalit, SPAK saktësoi se edhe nga dëgjimi i audios nuk konstatohet që prokuri të ketë fyer personin nën hetim gjatë seancës gjyqësore.
“Audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media” – thuhet në deklaratën e SPAK.
Që nga dita e arrestimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe pse ndodhet në qelitë e paraburgimit poston qëndrime dhe akuza ndaj prokurorëve të çështjes në rrjetet e tij sociale.
Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen për ngritjen e një mekanizmi të ndërlikuar korruptiv, përmes të cilit fondet publike të Bashkisë së Tiranës dyshohet se janë përvetësuar në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe organizata joqeveritare përfituese të këtyre fondeve.
Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke e cilësuar hetimin si një sulm të motivuar politikisht. Ata kanë akuzuar prokurorin e SPAK-ut, Olsi Dado, se po i persekuton për arsye politike, ndërsa kanë deklaruar se do të mbrojnë pafajësinë e tyre në gjykatë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.