Veliaj, avokatët e huaj dhe ligji shqiptar

Kontratat me zyra ligjore ndërkombëtare me vlerë 300 mijë dollarë ngrenë pyetje mbi përputhshmërinë me ligjin shqiptar dhe transparencën e financimit.

206
Erion Veliaj
Credits: shteg.org

Dy zyra ligjore ndërkombëtare, “Kasowitz LLP” nga SHBA dhe “Mishcon de Reya LLP” nga Mbretëria e Bashkuar, kanë publikuar një raport mbi arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të ndikuar nga interesa politike dhe personale. Raporti është bërë publik më 24 qershor dhe ngre akuza të forta mbi mënyrën e trajtimit të çështjes nga organet e drejtësisë në Shqipëri.

Sipas raportit, Veliaj është ndaluar pa ngritjen e asnjë akuze konkrete, çka ka penguar kryerjen e detyrës së tij si kryebashkiak. Ndër të tjera, avokatët pretendojnë se hetimi nga SPAK është komprometuar nga konflikte interesi, duke përmendur rastin e prokurorit Ols Dado, i cili thuhet se kishte kërkuar më herët ndryshime në një leje ndërtimi që prekte pronën e tij personale – kërkesë që ishte refuzuar nga administrata e Veliajt.

Megjithatë, ndryshe nga sa pretendohet në raport, ligji shqiptar për ushtrimin e profesionit të avokatit parashikon kritere të qarta për avokatët e huaj: ata duhet të kenë titullin “avokat” në një vend të Bashkimit Evropian, të kenë ushtruar veprimtarinë për të paktën tre vite në një studio ligjore në Shqipëri dhe të zotërojnë gjuhën shqipe. Në kontratat e siguruara nga “shteg.org” nuk rezulton që as “Kasowitz LLP” dhe as “Mishcon de Reya LLP” i përmbushin këto kushte.

Të drejtat e mohuara

Erion Veliaj Spak
Credits: LSA – Erion Veliaj SPAK

Zyra ligjore amerikane, “Kasowitz LLP”,  dhe ajo britanike, “Mishcon de Reya LLP” të kontraktuara për mbrojtjen e Erion Veliajt publikuan ditën e martë, 24 qershor një raport për kryebashkiakun e Tiranës, në të cilin shkruhet se ai është arrestuar padrejtësisht, pa asnjë akuzë duke e penguar në ushtrimin e funksionit të tij publik si kryetar i Bashkisë Tiranë.

Ndër të tjera në raport thuhet se hetimi i SPAK ndaj Veliajt është gërshetuar me interesa politike dhe personale, duke përmendur rastin e prokurorit Ols Dado, i cili thuhet se kishte kërkuar më herët ndryshime në një leje ndërtimi që prekte pronën e tij personale, kërkesë që ishte refuzuar nga administrata e Veliajt.

“Hetimi i SPAK-ut ndaj Kryetarit Veliaj duket se është përfshirë nga konflikte interesi me natyrë politike dhe personale. Para se të niste hetimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), një anëtar i ekipit të prokurorisë raportohet se ka paraqitur një kërkesë pranë administratës së Kryetarit Veliaj për modifikimin e një leje ndërtimi që lidhej me pronën e tij personale.

Kjo kërkesë është refuzuar nga administrata e kryetarit” – thuhet në raport, duke iu referuar rastit të prokurorit Ols Dado, për të cilin gati dy javë pas arrestimit më 10 shkurt të këtij viti, 2025, Veliaj iu drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një kërkesë për procedim disiplinor dhe pezullim nga detyra e prokurorit.

Në kërkesën e tij Veliaj pretendonte se Dado ishte përfitues i një leje ndërtimi në vitin 2021 dhe nuk ishte i kënaqur me metrat katrore të miratuara për leje ndërtimi dhe për këtë arsye i ka shkruar privatisht Veliajt për t’i shtuar ato, sipas tij.

Gjithashtu, në raport citohet se avokatët ndërkombëtarë kanë dërguar disa kërkesa për të takuar klientin e tyre, megjithatë ato u janë mohuar.

“Një shqetësim shtesë përbën fakti që, pavarësisht disa kërkesave për të vizituar Kryetarin Veliaj në paraburgim, avokatëve të tij ndërkombëtarë u është mohuar qasja tek ai, mbi baza qartësisht të pabazuara dhe të gabuara, duke penguar kështu aftësinë e tij për të ndjekur rrugët e mbrojtjes ndërkombëtare, përfshirë mundësinë e një padie pranë Gjykatës së Strasburgut”, – thuhet në raport.

Sipas raportit, Veliaj është ndaluar pa ngritjen e asnjë akuze konkrete, çka ka penguar kryerjen e detyrës së tij si kryebashkiak.

Ndryshe nga sa pretendohet në raport, ligji shqiptar për ushtrimin e profesionit të avokatit parashikon kritere të qarta për avokatët e huaj.  Ata duhet të kenë titullin “avokat” në një vend të Bashkimit Evropian, të kenë ushtruar veprimtarinë për të paktën tre vite në një studio ligjore në Shqipëri dhe të zotërojnë gjuhën shqipe. 

Megjithatë, për të ushtruar në mënyrë të pavarur si avokat, ai duhet ta ketë ushtruar më parë këtë profesion, në mënyrë të rregullt dhe efektive, pranë një studioje shqiptare për një periudhë jo më të shkurtër se tre vjet.

Gjithashtu, një avokat i huaj nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e tij në Shqipëri në momentin kur nuk vërteton zotërimin e gjuhës shqipe, citohet në ligjin e vitit 2018 “Për Profesionin e Avokatit”. 

Në kontratat e siguruara nga “shteg.org” nuk rezulton që as “Kasowitz LLP” dhe as “Mishcon de Reya LLP” i përmbushin këto kushte.

Veliaj nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me studio ligjore brenda BE-së, “Kasowitz LLP” dhe “Mishcon de Reya LLP” janë zyra ligjore në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në kontratën e nënshkruar me kompaninë amerikane, të cilën “shteg.org” e disponon, nuk është përmendur asnjë e dhënë nëse avokatët njohin gjuhën shqipe.

Dokumentet tregojnë se kontrata me zyrën amerikane “Kasowitz LLP”, e nënshkruar në mars 2025 nga Erion dhe Arbër Veliaj, ka një vlerë prej 300 mijë dollarësh, me objekt “këshillim ligjor, mediatik dhe strategjik” në lidhje me ndalimin e Veliajt.

Në kontratë është përfshirë edhe vlera prej 10 mijë dollarësh që  përfshin udhëtimin vajtje-ardhje të avokatëve të Veliajt në Tiranë.

Dokumenti përfshin gjithashtu edhe një klauzolë që parashikon mundësinë e financimit ose subvencionimit nga Qeveria shqiptare. Në kontratë nuk jepen të dhëna nëse avokatët zotërojnë gjuhën shqipe, siç kërkohet nga ligji, dhe as nëse kanë bashkëpunim me ndonjë studio shqiptare.

Për të verifikuar nëse kjo kontratë është mbështetur nga fondet publike, Shteg.org i është drejtuar me një kërkesë për koment Agjencisë për Media dhe Informim, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.

Një tjetër detaj që ngre pikëpyetje është përfshirja në dijeni e Sara Goxhajt, ish-shefe e kabinetit të Veliajt, në komunikimet me zyrën ligjore amerikane. Pas arrestimit të Veliajt, Goxhaj mori përkohësisht drejtimin e Bashkisë, përpara se të shkarkohej nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani. Shteg.org e ka kontaktuar Goxhajn në adresën zyrtare të përfshirë në dokumentacionin e “Kasowitz LLP”, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.