Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shoqërua nga Blloku i Sigurisë drejt Gjykatës së Posaçme me një furgon policie, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në arrest shtëpie, u soll në gjykatë e shoqëruar nga dy efektivë të policisë.
Para ambienteve të GJKKO u mblodhën mbështetës të Veliajt, të cilët e pritën me duartrokitje dhe thirrje, ndërsa furgoni i policisë hynte në gjykatë. “Lali Eri” ishte brohorima që shoqëroi momentin e mbërritjes së tij.
Në seancë ishin të pranishëm edhe biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha dhe Elman Abule, të cilët ndodhen nën masën e detyrimit për paraqitje. Ndërkohë, biznesmeni Sokol Kryeziu ndodhet jashtë vendit dhe masa ndaj tij ende nuk është ekzekutuar.
Fatmir Bektashi, i akuzuar për korrupsion aktiv, u paraqit në gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë. Një tjetër i akuzuar, biznesmeni Gentian Sula, iu drejtua gazetarëve me fjalët: “Më vjen keq që lodheni që në mëngjes.”.
Seanca filloi me 30 minuta vonesë për shkak të mungesës së energjisë elektrike në gjykatë, problem që u zgjidh përmes një gjeneratori. Pas një kërkese nga avokatët për më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen me 13 fashikuj, seanca u shty për të rinisur pas 4 orësh.
Gjatë seancës, e cila zgjati rreth tre orë pas rinisjes, kryebashkiaku Veliaj mohoi akuzat dhe kërkoi një masë sigurie më të lehtë. Avokati i tij, Ermir Beta, argumentoi se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për mbajtjen e tij në burg. Gjithashtu, Veliaj pati një përplasje të drejtpërdrejtë me prokurorin e çështjes, Ols Dado.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu” mësohet të ketë thënë ai.
Veliaj përballet me akuza për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Çështjen e ndjekin prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar është Erion Bani.
Sipas SPAK, Veliaj ka miratuar fonde publike dhe leje ndërtimi për biznesmenët e përfshirë në hetim, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve kanë përfunduar në organizata dhe biznese të kontrolluara nga Ajola Xoxa dhe persona të lidhur me të. Nëpërmjet tetë bizneseve dhe OJF-ve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin Elman Abule, janë gjeneruar 1.1 milion euro.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, Xoxa ka shpenzuar 860 mijë euro për veshje dhe bizhuteri në gjashtë vitet e fundit, shpenzime të padeklaruara.
SPAK ka sekuestruar një vilë 494 m² në Qerret, ndërtuar nga kompania e Gentian Sulës, dy llogari bankare të Ajola Xoxës me 869,149 euro, si dhe 115 mijë euro në valutë të ndryshme, të gjetura në një kasafortë gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të saj.
Gjykata pritet të marrë një vendim për masat e sigurisë ndaj të akuzuarve në orët në vijim.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.